Pendarovski: Duhet rezistencë sistematike, por edhe personale ndaj dezinformatave

Kemi nevojë për nivel më të lartë të edukimit dhe edukimit mediatik për dezinformatat në shkollat ​​tona fillore dhe të mesme, pasi popullata e re është targeti. Një qasje e organizuar do të na mundësojë të krijojmë gjenerata që do të jenë më elastike ndaj lajmeve të rreme dhe të aftë për të formuluar pikëpamjet e tyre përmes të menduarit kritik bazuar në informacione të verifikuara. Kështu deklaroi presidenti Stevo Pendarovski në fjalimin e tij në konferencën “Informacioni kundër dezinformimit: Ndërtimi i rezistencës ndaj praktikave të dezinformimit në mjedisin post-kovid në Maqedoninë e Veriut”, organizuar nga Këshilli Euro-Atlantik i Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

Dezinformatat shpesh nuk janë naive dhe i rastësishme, tha ai, por janë produkt i një qasjeje të planifikuar dhe të organizuar ndaj një teme të caktuar dhe synon të mjegullojë perceptimin publik për çështje të rëndësishme dhe të rrisë nivelin e konfliktit në shoqëri.

“Qëllimet, shpesh janë afatgjata dhe sistematike për të manipuluar publikun duke vendosur informacione të rreme, gjysmë të vërteta, fakte të shtrembëruara apo lajme tërësisht të fabrikuara me qëllimin përfundimtar për t’i shërbyer interesave apo qëllimeve të subjekteve të caktuara shtetërore dhe joshtetërore që kanë agjendat e tyre specifike”, tha Pendarovski.

Kreu i shtetit shtoi se digjitalizimi dhe lidhja globale e kanë bërë përdorimin e dezinformatave një armë jashtëzakonisht të fuqishme në arsenalin e teknikave të veprimit hibrid.

“Dezinformimi mund të destabilizojë vetë vendin dhe kjo është arsyeja pse jo rastësisht demokracitë e zhvilluara i trajtojnë ato si kërcënim për sigurinë kombëtare. Vitet e fundit edhe ne e kemi identifikuar dhe trajtuar dezinformimin si një nga kërcënimet prioritare për sigurinë tonë kombëtare. Nevoja për ngritjen e vetëdijes për ekzistencën e tyre dhe efektet e tyre meriton vëmendjen tonë të plotë si shoqëri dhe si shtet”, tha Pendarovski.

Presidenti tha se forcimi i rezistencës ndaj dezinformatave është detyrë komplekse sepse ndaj tyre duhet të ndërtohet rezistencë sistematike, por edhe personale dhe kjo mund të arrihet, tha ai, vetëm me bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve shtetërore, arsimit, organizatave të shoqërisë civile dhe mediave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button