Petrovska – Bërns: RMV dhe SHBA janë shembull i bashkëpunimit strategjik dhe aleat në mbrojtje

Maqedonia e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një bashkëpunim të mbrojtjes që mund të shërbejë si shembull se si bashkëpunojnë dy vendet aleate, por edhe vende partnere strategjike. Bashkëpunimi që është realizuar për më shumë se 25 vjet na ka ndihmuar që të përmbushim standardet e Aleancës, tha ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska në takimin e sotëm me ambasadoren e SHBA-së në vendin tonë, Kejt Bërns, transmeton Portalb.mk.

“Ministrja Petrovska shprehu mirënjohje për mbështetjen amerikane për zhvillimin e kapacitetit tonë më të madh të trajnimit dhe stërvitjes, poligonin ushtarak “Krivollak”, ku njësitë maqedonase dhe amerikane kanë punuar në zhvillimin e infrastrukturës së brendshme dhe të objekteve të trajnimit, ndërsa është ndërtuar edhe një pistë për dronët. Stërvitja më e madhe ushtarake e mbajtur ndonjëherë në Krivollak, stërvitja „Sëift Response 22“ e organizuar nga forcat amerikane në Evropë, do të zhvillohet në këtë polygon këtë pranverë, me pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Francës, Shqipërisë dhe Malit të Zi”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Lidhur me modernizimin, ministrja Petrovska shprehu kënaqësinë që Armata, përmes një marrëveshjeje Qeveri me Qeveri që forcon integritetin e operacioneve, blen transportues të blinduar të rinj dhe të sofistikuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ministrja Petrovska dhe ambasadorja Bërns folën edhe për situatën në Ukrainë. Ata theksuan rëndësinë e unitetit me të cilin aleatët e NATO-s i qasen çështjes, duke bërë përpjekje për zgjidhjen diplomatike të mosmarrëveshjes, por edhe duke shprehur mbështetjen për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës.

Maqedonia e Veriut dhe SHBA-ja ndër vite kanë pasur bashkëpunim jashtëzakonisht produktiv, veçanërisht në fushën e trajnimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta, ndërsa vitet e fundit janë karakterizuar me disa vizita të nivelit më të lartë. Aktualisht pjesëtarët e njësisë sonë të NATO-s, Grupi i Batalionit të Lehtë të Këmbësorisë në Shtip janë duke u stërvitur së bashku me pjesëtarët e Brigadës së IV-të Mbështetëse të SHBA-së, ndërsa pjesëtarët e forcave speciale janë duke u trajnuar me marinsat amerikanë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button