Emisari Peach vizitoi Kosovën
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka qenë tema e takimit të emisarit të Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, dhe presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, të enjten në Prishtinë, raporton REL, transmeton Portalb.mk.
Presidentja Osmani ka thënë se Kosova është e përkushtuar ndaj dialogut, si proces i përqendruar në njohjen reciproke dhe se ky proces duhet t’i trajtojë palët në mënyrë të barabartë.
Sipas Osmanit, derisa Kosova është konstruktive në këtë proces, Serbia po shkakton obstruksione duke mos i zbatuar marrëveshjet e nënshkruara.
Mes tjerash, presidentja Osmani ka deklaruar se “Mbretëria e Bashkuar është ndër aleatët tanë kryesorë, me rol kyç në procesin e çlirimit, pavarësimit dhe shtet-ndërtimit të Kosovës. Sa më i madh roli i këtij shteti në proceset e rëndësishme të rajonit tonë, aq më të mëdha e më të dobishme do të jenë rezultatet për qytetarët tanë”.
Vizita e Stuart Peach në Kosovë pason vizitat e tij në shtetet e rajonit. Sipas njoftimit të Presidencës serbe, në takimin me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, Peach ka deklaruar se bashkë me partnerët nga BE-ja dhe SHBA-ja do të punojë në mbështetje të dialogut Kosovë-Serbi.
Në këtë takim, sipas Presidencës, Vuçiq ka thënë se Serbia vazhdon të përpiqet për një zgjidhje të qëndrueshme dhe të pranueshme për të dy anët dhe se mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj dialogut si e vetmja mënyrë për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura.
“Në këtë kontekst, presidenti shprehu pritjet që ka që Sir Stuart Peach, me përvojën dhe njohuritë e tij për situatën në rajon, do të japë kontributin dhe mbështetjen e tij të plotë për vazhdimin konstruktiv të dialogut”, thuhet në deklaratë.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga BE-ja, ka nisur në vitin 2011. Deri më tash, në kuadër të këtij dialogu, janë arritur 23 marrëveshje në nivel teknik dhe politik, por jo të gjitha prej tyre zbatohen në terren. Aktualisht, është duke u përgatitur takimi i radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Dy takime të para mes tyre në Bruksel vitin e kaluar, nuk kanë pasur rezultate.
Në Maqedoninë e Veriut më 31 janar, presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski dhe përfaqësuesi Special i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, kanë shkëmbyer mendime dhe informacione për situatën aktuale në vend dhe rajon, si dhe mundësitë për bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar për tema me interes të përbashkët lidhur me stabilitetin dhe sigurinë, si dhe forcimin e institucioneve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsioni i nivelit të lartë.
Në këtë takim u bisedua edhe për çështjet lidhur me anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian dhe dialogun e vazhdueshëm me Republikën e Bullgarisë.
Gjatë vizitës në Mal të Zi më 27 janar, Stuart Peach ka thënë se Mbretëria e Bashkuar mbështet fuqishëm vlerat demokratike në këtë shtet, por edhe tranzicionin e pushtetit që aktualisht është pjesë e këtyre vlerave.
Në Mal të Zi aktualisht po zhvillohen bisedime për krijimin e qeverisë së re, pasi u votua mosbesimi i Qeverisë së Zoran Krivokapiqit. Bisedimet për qeverinë e re po i udhëheqë ish-zëvendëskryeministri Dritan Abazoviq, udhëheqës i Lëvizjes URA, me kërkesën e së cilës është votuar mosbesimi i Qeverisë.
Gjatë vizitës në Shqipëri, ai porositi se “Mbretëria e Bashkuar është e përkushtuar të mbështesë demokracinë parlamentare, si dhe reformat e nevojshme për zhvillimin e vendit”, por edhe se ua ka bërë të qartë të gjithë liderëve se çdo mosmarrëveshje duhet të zgjidhet përmes dialogut paqësor, proceseve politike dhe ligjore n interes të popullit shqiptar, jo interesave të ngushta individuale”.
Sir Stuart Peach është emëruar si dërguar i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor në dhjetor të vitit 2021.
Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka thënë atëherë se emërimi i Sir Stuart Peach është pjesë e përkushtimeve të vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për stabilitet dhe paqe në këtë rajon.
Para kësaj detyre, ai ka qenë shefi i Komitetit ushtarak të NATO-s, pozitë të cilën e ka mbajtur nga viti 2018.
Ai ka shërbyer më herët edhe si Shef i Shtabit të Mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar.
Në vitin 2000, Peach ka qenë edhe komandant i forcës ajrore të NATO-s në Kosovë.