Shoqëri sedërlënduar: Ëmbla dhe Elsa si (s)provë

 Dy ndodhi tronditën shoqërinë shqiptare javën e kaluar; të dyja kishin një emërues të përbashkët: diskriminimin. Termi diskriminim nënkupton dallimin e dikujt nga të tjerët, keqtrajtimin e një personi duke mos e quajtur të barabartë me të tjerët, duke ia kufizuar a duke ia mohuar fare të drejtat që i takojnë; diskriminimi shënjon edhe praktika të trajtimit me paragjykime ose të padrejtë, të përjashtimit ose të refuzimit të kategorive të ndryshme të njerëzve sipas racës, moshës,  fesë, gjinisë, etnisë, gjendjes martesore, aftësive të kufizuara etj. Diskriminimi është “trajtim i ndryshëm, i padrejtë dhe negativ ndaj elementeve që jetojnë brenda një shoqërie, por edhe ndaj qytetarëve të një vendi të huaj.” (Dağ & Pajaziti, 2019)

Rasti i Ëmbla Ademit nga shkolla fillore “Bashkimi” e Gostivarit trazoi ndërgjegjet e opinionit publik në Maqedoninë e Veriut. Ëmbla, një vajzë me sindromën Down e diskriminuar, e ekskomunikuar nga prindërit e shokëve dhe shoqeve të saj të shkollës. Një shembull eklatant i pahijeshisë, jonjerëzishmërisë, zhvlerësimit tonë kolektiv si shoqëri. Defiçiencë e dashurisë, respektit ndaj një “zemre” ndryshe. Firmëtarët e peticionit për segregim të saj nga ambjenti amë i saj janë tregues të mëshirës, përdëllimit, i fetarisë sonë të shumëproklamuar që qëndron në këmbë të akullta. Ëmbla mund të ishte fëmijë i çdonjërit prej nesh, mund të ishte fat i çdo familjeje, që në asnjë mënyrë s’do të duhej të shkaktonte ndjenjë përçmimi, të perceptimit si një copëz njeriu me më pak vlerë. Fëmijët si Ëmbla janë bekim, janë caktim hyjnor, janë qenie simpatike me më shumë kërkesa, që duan më shumë përkushtim. Janë preokupim më i madh i prindërve, ndërkohë edhe mjet për të shprehur devocionin, përkushtimin që kemi për njeriun, pa marrë parasysh pamjen dhe shkallën e aftësive. Ndoshta janë edhe sprovë prindërimi. Por edhe sprovë e të tjerëve jashtë familjes, e shkollës, e shoqërisë. Në këtë rast, të gjithë ramë në provim. Sado që shifra e nënshkruesve është e ngushtë, ajo reflektonë mendësinë apo ndërgjegjen kolektive – siç do të shprehej Durkheim-i. Për ç’ndërgjegje mund të flitet në këtë rast? Për çfarë sedre? Po empatia, ku iku? Rregulli i argjendët kantian: “Mos ua bër të tjerëve atë që nuk dëshiron që të tjerët të ta bëjnë ty”? Po libri i shenjtë islamik, po fjalët profetike për këtë kategori qeniesh të pafajshme, të dëlira? Ky rast flet për falimentimin tonë si bashkësi, si homo religiosus. Përjashtuesit e Ëmblës janë ithtarë të konceptit të vjetër të invaliditetit; ata nuk shprehën sensin e të kuptuarit të një personi me aftësi të veçanta ose të kufizuara. Është rast për t’u shkundur, për t’i rënë kokës me dorë. Të gjithë ne. Për ta vënë gishtin në mendje, për të soditur, për të logjikuar, për t’i hapur sytë e zemrës, afrimit e jo të të largimit. Për të menduar për hisen që kemi nga njerëzillëku, për t’u vetëkonsideruar, për t’u vënë në vetëllogari. Zot na hap mendjen e kraharorin! Sidoqoftë, pati edhe reagime kundër këtij mëkati social. Kjo është shpresëdhënëse, mëson se në mesin tonë megjithatë ka ishuj të vlerave.

Një ndodhi tjetër intriguese disa ditë pas një date të kuptimtë për besimtaret myslimane anekënd botës: “Dita e Hixhabit”. Elsa Llusha një shkodrane e re me shaminë apo mbulesën në kokë, e diskriminuar nga një kompani tregtare shqiptare, “Big Market”. Pasi kishte marrë dritë jeshile për intervistë në filialin e këtij qyteti, Elsa ishte informuar se në ambientet e punës nuk lejohej të punojë asnjë vajzë me simbole fetare, me mbulesë. Menaxhmenti kulmor i kësaj firme në këtë rast ka shprehur padurim dhe intolerancë me bazë fetare, në fakt ka shprehur një urrejtje të karakterit islamofobik, diskriminim religjioz par exellence. Sipas konventave ndërkombëtare, ndalohet diskriminimi i aparencës, dukjes apo me motive  fetare. Në rastin e përmendur kemi të bëjmë me një të drejtë elementare të nëpërkëmbur, me një qasje apo ndërmarrje destruktive që prish imazhin e mirënjohur shqiptar për tolerancë fetare (dhe ndërfetare). Më e keqja është se në këtë rast diskriminimi vjen nga një njeri me emër myslimani dhe që para 100 viteve a më afër me siguri stërgjyshen e farefisin e gjinisë femërore i ka pasur me hixhab.

Imagjinoni: një vajze që njeh tre gjuhë të huaja dhe që ka përfunduar studimet me 10, i vihet një pengesë absurde. Në shekullin XXI. Një mentalitet i gjahut të shtrigave. Ky është edhe një akt kundërkushtetues. Neni 18/2 i Kushtetutës së Shqipërisë thotë se “askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla si gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare a filozofike, gjendja ekonomike, arsimore, sociale ose përkatësia prindërore.” E një niveli më të lartë me porosi të njëjtë është edhe Konventa për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj gruas” (Convention on the Elimination of All Forms
of Discrimination Against Women)
e miratuar në Këshillin e Përgjithshëm të OKB-së në vitin 1979, që ka hyrë në fuqi më 1981. Kjo e fundit, përbëhet nga gjashtë pjesë, 30 nene, dhe nga dhjetëra pika dhe përkufizon llojet e diskriminimit të ushtruar ndaj grave, si dhe hapat që duhet t’i ndërmarrin shtetet e botës për të luftuar këtë dukuri.

Lidhur me “Rasti Elsa” reagimet u shtuan në rrjetet sociale si topi i dëborës. “Këto skena në vendin tonë përngjajnë me format e diskriminimit institucional që ndiqnin për shtresa të papreferuara në Gjermani dhe gjetkë nazistët. Ky rast duhet dërguar si rast shqyrtimi për Gjykatën Europiane Për të Drejtat e Njeriut. Nazizmi ndodhet ende mes nesh.” – ishin fjalët e një qytetari (M.L.)

Shumë domethënëse ishin fjalët e Elsës në rrjetet sociale: “Askush nuk mund të na privojë nga kjo e drejtë hyjnore dhe universale, sepse shamia nuk ka çmim.” “I bëj thirrje çdokujt që përjeton një ngjarje të tillë të guxojë të reagojë bazuar në të drejtën njerëzore.”

Është për t’u habitur se si në hapësirën shqiptare papushim mbillet mllef dhe sulmohet vetëm feja e shumicës së popullit (Murati, 2022).

Këto dy raste qartë tregojnë se jemi shoqëri në rië të thellë morale, sedërthyer, se kemi humbur torruan, se kemi nevojë për ta rimarrë veten, për t’u kultivuar, kulturizuar, për të parë se sa poshtë kemi rënë në shkallaren e vlerave. Dy lloje të diskriminimit, dy vese fatale.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button