IKJA E IDEALISTIT 

Rafi Halili asnjëherë nuk foli për trimërinë që e kishte treguar në kohën kur mbizotëronte frika e përgjithshme. Nuk foli për vuajtjet që i kishte përjetuar. Nuk i ekspozoi plagët që të përfitonte prej tyre edhe pse i kishte të dukshme. Nuk kërkoi favore për shkak lavdisë që kishte. Atij nuk iu bënë nderet që i meritonte. Nuk u rehabilitua si i dënuar politik dhe as e kërkoi rehabilitimin. Kush ta rehabilitonte?

Ne që nuk e kemi përjetuar fshikullimin e kamxhikut të pushtetit, nuk mund ta njohim dhembjen që e shkakton ky kamxhik. Ne që nuk jemi sprovuar para vuajtjes, mashtrojmë kur mburremi për trimëri e vendosmëri. Ata që e kanë provuar kamxhikun, sikurse Rafi Halili, që i kanë bërë ballë një shteti pa u mposhtur prej tij, nuk flasin për vuajtjet personale. Ata flasin vetëm për vuajtjet e kombit me të cilin e kanë lidhur jetën pa kërkuar asgjë si shpërblim. Idealistët e këtillë mund t’i kuptojnë vetëm ata që kanë kaluar nëpër të njëjtën mynxyrë të jetës. Ne të tjerët vetëm mund ta paramendojmë se çfarë tmerresh kanë përjetuar, por të paramendosh nuk është njësoj si të përjetosh…

Heronjtë veprojnë pa u ankuar. Ata e dinë se gjatë rrugëtimit të vështirë nuk do të ndiqen nga shumica. Por, ata nuk ndalen. I udhëheq drita e idealit të tyre. I tillë ishte Rafi Halili, ky shpirtçiltër dhe zemërgjerë, në qenien e të cilit rrinte ndezur në çdo sekondë zjarri i dashurisë së pafundme për lirinë dhe popullin shqiptar.

Rafi Halili është hero. Ta quash hero nuk është kurrfarë ekzagjerimi apo epiteti. Ai i plotëson të gjitha kriteret për t’u quajtur hero.

Heronjtë nuk i bën rastësia, por kauza. Rafi Halili punoi dhe sakrifikoi për kauzën kombëtare, të cilës iu përkushtua deri në frymën e fundit.

Fjala hero do të thotë “të mbrosh, të shërbesh”. Rafi Halili i mbrojti kodet identitare shqiptare kur pakkush e kishte këtë guxim. Ai i shërbeu kombit me gjithë qenien e Tij.

Heroi është i gatshëm ta sakrifikojë veten për të tjerët. Rafi Halili sakrifikoi për kombin. Shumë herë u shpëtoi kthetrave të vdekjes. Shumë herë e përjetoi torturën më çnjerëzore. Bashkë me të ka vuajtur edhe familja e Tij, e cila është modeli i familjes krenare dhe të fisme.

Për heroin thuhet se e ka vendosmërinë e fuqishme, pa të cilën nuk mund ta bëjë hapin drejt heroizmit. I tillë ishte Rafi Halili, ky Njeri i paepur, i vendosur, idealist.

Sipas Christopher Vogler-it, heronjtë i kanë mentorët e tyre, që i motivojnë, i frymëzojnë, i udhëzojnë përgjatë udhëtimit të tyre jetësor. Mentorët e Rafi Halilit ishin figurat më të rëndësishme të historisë dhe kulturës shqiptare. Ishin mendimtarët e kohës së zymtë kur vepronte. Ai ishte frymëzuar edhe nga shkrimtarët e letërsisë botërore. Në rini, siç më thoshte, e kishte impresionuar personazhi i Gavroshit të Viktor Hygosë, ky personazh që i ka mahnitur shumë shkrimtarë dhe kritikë letrarë, i cili, siç shkruan Mario Vargas Losa, sjell dashuri për jetën, për zgjuarsinë, mirësinë dhe guximin në kohë fatkeqësie, pastërtia e shpirtit të të cilit forcohet në vend se të dobësohet nga padrejtësia. Ashtu si ky personazh, edhe Njeriu me shpirt kryengritës, Rafi Halili, ishte i gatshëm të thyente barrikada, qoftë duke e paguar me çmimin e jetës…

Rafi Halili tani ka kaluar në një përmasë tjetër ekzistence. Në përmasën eprore, eterike, prej fryme. Pikërisht tani fillon jeta e vërtetë e Tij, për të cilën do të flitet dhe shkruhet përgjithmonë.

Ne të tjerët, që e admirojmë idealistin, nuk duhet ta marrim si dobësi personale pse asnjëherë nuk mund t’i ngjajmë. Konstruksioni ynë mendor nuk na mundëson të jemi sikurse Ai. Në qenien tonë nuk e kemi forcën që e vë në lëvizje qenien e një idealisti, i cili rrugëton krenar dhe sypatrembur drejt martirizimit. Prandaj heronjtë e vërtetë janë të paktë dhe ne të tjerët jemi të shumtë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button