Kompani nga Ukraina do të pastrojë zgjyrën nga shkritorja në Maqedoninë e Veriut

Kompania nga Ukraina do të blejë të gjithë zgjyrën nga shkritorja e Velesit. Blerësi i ri dhe koncesionari “Keps Mont Grup” tashmë kanë nënshkruar kontratë, kurse në këtë moment po rregullohet dokumentacioni shtesë. Puna në terren pritet të fillojë pas dy muajsh, kur do të duhet të instalohet një separacion i ri më i madh. Eksporti i lëndëve të para, të cilat mund të nxirren nga ish-deponia e shkritores, ka filluar më shumë se dy vite, por me intensitet më të ulët. Tani, thotë koncesionari, punët rreth pastrimit mund të përshpejtohen, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

“Partneri nga Ukraina vjen me pajisjet e veta dhe teknologjinë më të fundit ekologjike për separacion (ndarje). Instalimi i separacionit do të nisë në pranverë, gjegjësisht kur të na lejojnë kushtet atmosferike. Sapo të fillojmë punën në terren, do të intensifikohet eksporti i lëndëve të para teknogjene”, thonë nga Keps Mont Grup.

Koncesionari ka marrë B-lejen e integruar ekologjike nga Komuna e Velesit në tetor të vitit 2019 dhe do të mund të eksportojë për shtatë vjet. Zgjyra, e cila vlerësohet se përmban 6 deri në 10 përqind zink, midis 2,2 dhe 3,4 përqind plumb dhe 25 përqind oksid hekuri, duhej të eksportohej në Malajzi. Ky shtet, në fillim të vitit 2020, vendosi të ndalojë importin, prandaj ndonëse koncesionari kishte një kontratë të vlefshme me një kompani malajziane, ajo nuk u realizua. Ndërkaq, sasi më të vogla të zgjyrës u eksportuan në Serbi, Kosovë dhe Turqi.

Vlerësohet se në deponinë e shkritores ka rreth 1,8 milionë tonelata zgjyrë. Kodra e Zezë, e cila ndodhet në afërsi të qytetit, në lokacionin “Bash Kolibi”, është e lartë 200 deri në 250 metra dhe e thellë 22 metra. Ndonëse kapaciteti industrial nuk funksionon prej kohësh, deponia që ndodhet ende këtu, e bën Shkritoren një nga vatrat më të mëdha historike ekologjike në vend. Veçanërisht të rrezikshme janë mbetjet e metaleve të rënda, si kadmiumi, bakri, arseni, indiumi, talium… të cilat gjenden ende në tokë dhe në kulturat që kultivohen në këtë zonë.

Organizatat e shoqërisë civile nga Velesi prej shumë vitesh paralajmërojnë se zgjyra e rrezikon shëndetin e banorëve të qytetit. Në vitin 2018 dhe 2019 në kuadër të një projekti e kanë matur praninë e metaleve të rënda në tokën e Velesit dhe matjet kanë treguar se prani deri në 30 herë mbi limitet maksimale të lejuara. Ata kanë konstatuar se toka është e ndotur në një rreze prej njëzet kilometrash, në të cilën përveç objekteve të banimit ka edhe zona bujqësore ku kultivohen perime dhe vreshta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button