Krasniqi: Albin, hajde në Xhami

Imami i Xhamisë kryesore të Prishtinës është shprehur i ngazëllyer nga përgjigjet e liderit të Vetëvendosjes gjatë intervistës në Rubikon në KTV, për lejimin e shamive te nxënëset 16 vjeçare nëpër shkollat publike.

Imami Krasniqi i cili kohë më parë është paditur nga një grup i qytetarëve për shkak të ofendimit të murgeshës shqiptare dhe humanistes me famë botërore, Nëna Terezë, i ka bërë ftesë Kurtit që të shkoi në xhami për tu falur.

“Ne lutemi qe Albini të vjen një ditë në Xhami”, thotë imam Krasniqi, teksa e fton atë të merr shembull liderët botëror, të cilët nuk kanë turp të manifestojnë besimin e tyre fetar.

Kurti, gjatë intervistës me gazetarin Adriatik Kelmendi tha se Vetëvendosje është për mësim besimin mbi fetë por jo fenë në shkolla, dhe se VV-ja është edhe për bartjen e shamisë në shkolla.

Hoxha i xhamisë pas kësaj deklarate ka vlerësuar se “është hera e parë kur një lider me ndikim politik del dhe shaminë e sheh si të drejtë, sigurisht, edhe për shkak të asaj që tashmë kanë parë në botën perëndimore se të qenit laik nuk do të thotë t’ia mohosh të drejtat një komuniteti”, thotë Krasniqi.

Megjithëkëtë Krasniqi ka një korrigjim për Kurtin.

“Shamia është obligim jo nga mosha 16 vjeçare por nga momenti kur një vajzë hyn në pubertet, pra nga momenti kur shfaqen shenjat e para të pjekurisë seksuale. Është çështje kjo që nuk do kompromis, për shkak të përcaktimit të saj drejtpërdrejtë nga Krijuesi Fuqiplotë. Le të shpresojmë se me Albinin po hapet një kapitull i ri në politikën kosovare”.

Krejt në fund. Krasniqi lutë që reagimi i tij të mos interpretohet si mbështetje për Vetëvendosjen, pasi siç thotë ai, nuk i përket asnjë partie ndërsa nuk mohon se do t’i përkrah ata që ia duan të mirën këtij vendi, pavarësisht partisë që kanë.

Lajme të ngjashme

Back to top button