Eko-mision inovativ për të luftuar ndotjen: “Kreativiteti është arma jonë më e fuqishme kundër mbeturinave”

Përkundër faktit se ka disa iniciativa për të nxitur ndërgjegjësimin e publikut për riciklimin e mbeturinave, është zhgënjyes fakti që shumica e qytetarëve të Maqedonisë ende nuk i përzgjedhin sa duhet mbeturinat që çdo ditë i hedhin nga shtëpitë e tyre, kështu që sasia e plastikës që përzgjidhet është vetëm 1,8 për qind, kurse pjesa tjetër shpesh përfundon në lumenj dhe male. Për fat të mirë, ka edhe eko-heronj krijues, të cilët kujdesen për mjedisin dhe përpiqen të ndikojnë në uljen e përdorimit të plastikës, njofton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Foto: Elena Arsovska

Njëra prej tyre është 33-vjeçja Elena Arsovska nga fshati Shlegovë e Kratovës, e cila e ka kuptuar që jeta urbane nuk i përgjigjej dhe është kthyer në vendlindje për t’iu përkushtuar një eko-misioni inovativ. Sipas saj, kreativiteti është arma jonë më e fuqishme kundër mbetjeve.

Ajo bën bizhuteri qysh në moshë të vogël. Fillimisht i ka përdorë gjerdanet e vjetra të gjyshes dhe nënës saj, si dhe ka përdorë gurë, argjilë, fara të ndryshme, madje edhe brumbuj të mbushur. Tani ajo bën bizhuteri nga teli që e thur me dorë, bizhuteri nga argjila polimerike, përdor rrëshirë epokside, bën bizhuteri nga peni me teknikën makrame, por për shkak se, siç thotë ajo, gjithmonë ka dashur të jetë ndryshe nga të tjerët, vazhdimisht kërkon diçka të re, materiale të reja të ndryshme nga ato që shiten aktualisht.

“Kështu që një ditë rastësisht më lindi ideja për të bërë një gjerdan nga një shishe plastike dhe pasiqë për herë të parë pata material me bollëk fillova të bëja bizhuteri për të shitur. Paratë e para që i fitova ishin pikërisht pasi shita vathë nga shishet e ricikluara, kur isha rreth 16 vjeç”, tha Elena për Meta.mk.

Foto: Elena Arsovska

Elena thotë se punimi i rruazave nga shishet plastike kërkon shumë kohë, gjë që e bën punën jo fitimprurëse, ndaj për një kohë e ka ndërprerë përdorimin e këtij materiali, por pas katastrofës ekologjike në vendlindjen e saj, iu rikthye kësaj teknike.

“Kam jetuar disa vite në Shkup, në Ohër dhe sërish në Shkup. Por jeta në mjedis urban nuk është për mua, nuk ndihem aspak e lumtur dhe e plotësuar kur jam e rrethuar me beton dhe kur për shkak të mënyrës së shpejtë të jetesës nuk kam kohë të lirë. Jam rritur në fshat, e rrethuar me natyrë dhe kafshët shtëpiake, kështu që vitet e kaluara në qytet ishin vërtet vitet më të vështira të jetës sime. Më mungonte liria, natyra dhe krejt ajo thjeshtësi që e ofron fshati, ndaj kur mu dha rasti u ktheva në fshatin tim të lindjes dhe mendoj që është një nga vendimet më të mira që kam marrë në jetën time”, tha Elena.

Për të, jeta në fshat është e mrekullueshme, e qetë, e rehatshme dhe i mundëson të ketë kohë që t’iu përkushtohet plotësisht fëmijëve të saj, për shëtitje në natyrë, kopshtari dhe të mbledhur bimë mjekuese, fruta pylli dhe kërpudha që e frymëzojnë atë derisa bën bizhuteri.

“Por gjithsesi gjendja nuk është askund ideale, ashtu që këtu u përballëm me një anë negative që ishte nxitje për mua që t’i kthehesha plastikës dhe riciklimit të saj. Fshati Shlegovë është fshat i bukur, i pasur me bukuri natyrore, me tradita dhe zakone të bukura, ka një trashëgimi të pasur historike si materiale ashtu dhe shpirtërore, për të janë kënduar këngë popullore dhe ka potencial të madh turistik, por fatkeqësisht ka shumë mbeturina. Deri para një muaji në fshat nuk kishte kontejnerë, kështu që fshatarët detyroheshin t’i hedhin mbeturinat në lumin që kalon në mes të fshatit (lumi i  Shlegovës) dhe nëpër lugina, gjë që rezultoi me ndotje të ujit dhe tokës. Disa burime dhe puse nga të cilët deri para 10-15vitesh pinim ujë të pastër, tani janë të ndotur me baktere”, tha Elena.

Foto: Elena Arsovska

Ajo shtoi se lumi rrjedh pikërisht pranë shkollës ku mësojnë fëmijët deri në klasën e pestë, po ashtu është edhe oborri i shkollës dhe këndi i lojërave ku fëmijët luajnë gjithë ditën. Gjatë lojës, ata shpesh janë të ekspozuar ndaj ndotjes, veçanërisht verës kur lumi thahet dhe mbeturinat marrin erë shumë të keqe.

“Unë mund të mos jem mjaftueshëm e fuqishme për të ndryshuar shprehitë e bashkëfshatarëve të mi dhe njerëzve në përgjithësi sepse ky problem nuk është vetëm këtu, është një problem global, ka shumë mbeturina në planetin tonë, por kuptova se mund të jem përgjegjëse për veprimet e mia dhe të përpiqem të paktën të minimizoj mbeturinat e mia, të ripërdor dhe ricikloj atë që mundem, dhe kështu të frymëzoj të tjerët”, tha Elena.

Elena thotë se procesi i krijimit të një gjerdani të tillë është i mundimshëm dhe mund të zgjasë disa ditë, sepse çdo rruazë bëhet me dorë, pa makineri dhe kallëpe dhe është një skulpturë e vogël unike.

“Ajo punë nuk mund të paguhet, sidomos jo tek ne, por mendoj se misioni im është më i vlefshëm se fitimi dhe do të jem e kënaqur nëse njerëzit do të më bashkëngjiten në luftën për më pak mbeturina, e ata mund ta bëjnë këtë në shumë mënyra:

– të bëjnë përzgjedhjen e mbeturinave dhe plastikës që mund të riciklohen që mos ta hedhin së bashku me mbetjet e tjera, në mënyrë që të mos ndoten dhe të ripërdoren ose riciklohen.

– të përpiqen t’i ripërdorin dhe riciklojnë vetë, nuk është patjetër të jetë bizhuteri, nga shishet apo qeset plastike mund të bëhen saksi të ndryshme, dekorime, kuti për mbledhjen e bizhuterive apo sendeve të vogla, prej qeseve plastike mund të bëhen çanta të thurura etj.

– të blejnë produkte që riciklohen, kështu do të motivohen ata të cilët riciklojnë dhe me ato mjete do t’u jepet mundësi të investojnë në materiale që u nevojiten (ngjitës, vegla, aksesorë të ndryshëm)

– të përpiqen të përdorin sa më pak plastikë, kur kanë mundësi të blejnë ushqime pa ambalazh, të mbajnë çanta për blerje”, apelon Elena.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button