Koncesionari që duhet të pastrojë arsenin në Llojan hesht, qeveria paralajmëroi inspektim

Pas artikullit, që e publikoi Portalb.mk bashkë me Meta.mk, për gjendjen me arsenin dhe lëndët tjera minerale toksike në deponinë me zgjyrë në zonën e minierës “Llojan” dhe deponisë afër fshatit Tabanoc, Ministria e Ekonomisë ka iniciuar kërkesë deri te inspektoratet kompetente që të inspektojnë dhe të marrin masat përkatëse nëse konstatohen mangësi në terren.

Inspektimin duhet ta realizojë Inspektorati Shtetëror për Inspektim Teknik dhe Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor, të cilët kanë kompetencë edhe të shqiptojnë gjoba. Kjo vjen pasi Meta.mk dërgoi pyetje në Ministrisë së Ekonomisë duke e vënë në pah se në të dy lokacionet në Llojan dhe Tabanoc nuk janë vendosur as gardh as tabela informative, të cilat duhet të ndalojnë hyrjen në vendin ku ruhet arseni dhe të paralajmërojnë për rrezikun nga thithja e arsenit.

Foto: Portalb.mk

Përkujtojmë se, rreth 100 metra, vijë ajrore, nga deponia e zgjyrës në minierën “Llojan” ndodhet shkolla fillore “Rilindja”, ku mësimin e ndjekin nxënësit nga klasa e gjashtë deri në të nëntën, të fshatrave Llojan dhe Vaksincë. Pranë deponisë së arsenit, në afërsi të fshatit Tabanoc, ndodhet stacioni hekurudhor dhe kampi i refugjatëve, kështu që ekziston rreziku që fëmijët apo qytetarët e painformuar të vijnë në kontakt me arsenin.

Meta.mk tash e 10 ditë po përpiqet të kontaktojë me përfaqësinë e kompanisë turke “Kaltun Maddenxhilik” në vend, e cila është koncesionare për shfrytëzimin e mbetjeve të lëndëve të para minerale që ndodhen në deponinë e zgjyrës në minierën “Llojan”.

Javën e kaluar u përpoqëm të bimë në kontakt me përfaqësuesin e koncesionarit, Mert Ajdin, por në numrat e telefonit që kërkuam, nga stafi u informuam se ai ndodhej në Turqi dhe se për të marrë përgjigje pyetjet duhet t’ia dërgonim me e- mail..

Pastaj para 10 ditësh Ajdinit ia dërguam pyetjet me e-mail në gjuhën maqedonase, ndërsa një javë më parë edhe në anglisht, por deri më sot nuk kemi pranuar përgjigje për pyetjet përse zona rreth zgjyrës te miniera nuk është e rrethuar dhe përse nuk është vendosur tabela informative.

Foto: Portalb.mk

Nga koncesionari nuk morëm përgjigje as për sasinë e mbetjeve të lëndëve të para minerale që janë nxjerrë nga mbetjet në “Llojan” dhe sa prej tyre janë transportuar jashtë vendit. Gjithashtu pyetëm se kur planifikojnë të intensifikojnë eksportin e sasive të depozituara që janë në minierë.

Në pritje të rezultateve të inspektimit në Llojan dhe Tabanoc, kujtojmë se Portalb.mk ka shkruar për helmimin e mijëra banorëve nga këto fshatra në komunat e Likovës dhe Kumanovës nga arseni dhe mineralet tjera helmuese të shpërndara në të dyja lokacionet. Miniera e kromit, antimonit dhe arsenit “Llojan” ndërpreu punën në vitin e largët 1979 dhe që nga ajo kohë vazhdimisht i helmon njerëzit dhe kafshët, si dhe e ndot ujin, ajrin dhe tokën në Llojan, Tabanoc dhe Vaksincë.

Krahas rrezikut nga thithja e arsenit për shkak të mundësisë që secili të hyjë në të dy lokacionet, banorët e fshatrave të afërta në fushat përreth arsenit të deponuar mbjellin kultura bujqëre, ndërsa Meta.mk ishte dëshmitare edhe të kullotjes së kafshëve shtëpiake në afërsi të minierës “Llojan”. . Bujqësia është burimi kryesor ekzistencial për shumicën e popullsisë në këto zona rurale. Me arsen janë të ndotur edhe burimet lokale dhe ujërat e lumenjve.

Arseni në Llojan, foto: Portalb.mk

Kjo temë ka vite që trajtohet nga mediat maqedonase, por kjo pikë e “nxehtë” ekologjike mbetet problem madhor në jetesën e popullatës vendase që nuk është i zgjidhur nga autoritetet. Meta.mk kërkoi mendim edhe nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, për komunat e Likovës dhe e Kumanovës për zhvendosjen e nxënësve nga objekti ekzistues edukativo-arsimor që gjendet afër minierës “Llojan” në objektet tjera në fshatrat Vaksincë, Llojan apo Tabanoc, por përgjigje kemi marrë vetëm nga komuna e Likovës, prej ku na kanë thënë se aktualisht transferimi i nxënësve në një vend tjetër nuk është i mundur, sepse numri i nxënësve që e vijojnë mësimin në shkollat fillore është i madh.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button