Institucionet “i lajnë” duart nga përgjegjësia për helmimin me arsen në rajonin e Kumanovës

Mijëra qytetarë të Likovës dhe Kumanovës po helmohen me arsen dhe substanca të tjera të rrezikshme të shpërndara në dy lokacione në Tabanoc dhe Llojan. Institucionet kompetente ia hedhin njëri-tjetrit përgjegjësinë për ndërmarrjen e aktiviteteve, me të cilat të paktën do të mbrojnë më të rinjtë dhe të painformuarit për rrezikun që i kanoset secilit person që bie në kontakt me arsenin e shpërndarë.

Duke u nisur nga ajo që vërejtëm në terren, si zgjidhje më urgjente për zvogëlimin e rrezikut për jetën e qytetarëve, Meta.mk dhe Portalb.mk u dërguan pyetje komunave Likovë dhe Kumanovë, si dhe në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe në Ministrinë e Arsimit e Shkencës në lidhje me arsenin e shpërndarë.

I pyetëm institucionet nëse mund të paktën të vendosen tabela për informimin e qytetarëve për rrezikun ndaj shëndetit të njerëzve nga arseni, si dhe për rrethimin e deponisë së arsenit në Tabanoc dhe zgjyrës në zonën e minierës “Llojan”. Rreth 100 metra larg, vijë ajrore nga miniera, mësimin me prezencë fizike e ndjekin nxënësit e shkollës fillore “Rilindja”, të cilët çdo ditë janë të ekspozuar ndaj rrezikut të thithjes së arsenit.

Në pyetjen e fundit, në lidhje me mundësinë e zhvendosjes së nxënësve në objektet tjera në fshatrat Vaksincë, Llojan apo Tabanoc, të cilat ndodhen më larg nga lokacioni i rrezikshëm në afërsi të minierës, përgjigje nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk morëm.

Përgjigje morëm vetëm nga komuna Likovë, prej ku thonë se objekti pranë minierës është objekti qendror, ku mësimin e ndjekin nxënësit e fshatrave Llojan dhe Vaksincë, nga klasa e gjashtë deri në të nëntën.

Nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë mësojnë në objekte shkollore që ndodhen në fshatrat Llojan dhe Vaksincë dhe për momentin nuk ka pas mundësi që të gjithë nxënësit të transferohen në këto dy lokacione, sepse numri i nxënësve të shkollave fillore që e vijojnë mësimin është i madh.

Në pyetjen nëse disa prej nxënësve mund të transferohen të ndjekin mësimin në shkollën fillore “Faik Konica” në fshatin Sllupçan apo në shkollën fillore “Braqa Ribar” në fshatin fqinj Tabanoc, nga komuna e Likovës thonë se këto propozime nuk mund të realizohen. Shkolla në Tabanoc është nën juridiksionin e komunës Kumanovë, ndërsa në objektin në Sllupçan aktualisht ka shumë nxënës, të cilët evijojnë mësimin në këtë fshat dhe në fshatin fqinj Orizarë.

Arseni në Llojan, foto: Portalb.mk

Nga Komuna Likovë thonë se mënyra më e mirë për të zgjidhur rrezikun për helmim të nxënësve është heqja e plotë e arsenit dhe metaleve të tjera nga mbeturinat ekzistuese në zonën e minierës “Llojan”. Autoritetet vendore shtojnë se në shkollën qendrore disa vite më parë janë bërë investime në objekt për përmirësimin e kushteve të mësimit.

Pyetje identike i bëmë edhe komunës Kumanovë, e cila nën territorin e saj e ka fshatin fqinj të Llojanit – Tabanocin. Pas dy javësh kontakt me e-mail dhe telefon, autoritetet komunale në Kumanovë na thanë se nuk kanë juridiksion mbi arsenin e deponuar në deponinë në fshatin Tabanocë dhe nuk morëm përgjigje për mundësinë që disa nxënës të cilët mësojnë në afërsi të minierës në Llojan të transferohen në shkollën fillore “Braqa Ribar” në fshatin fqinj Tabanoc.

Autoritetet lokale të Kumanovës në bisedë telefonike thonë se nuk kanë kompetenca për ta rrethuar vendin ku është grumbulluar arseni deri në stacionin e trenit në Tabanoc dhe as nuk mund të vendosin tabela për të informuar qytetarët për rrezikun që fshihet nga metalet e rënda të depozituara në atë vend.

Përkujtojmë se, deponia me qindra tonë arsen dhe metale të tjera të rënda ndodhet pranë stacionit hekurudhor Tabanoc, kampit të refugjatëve, si dhe shtëpive të para në fshat. Ndryshe nga banorët të cilët dinë për rrezikun, pranë këtij vendi kalojnë edhe njerëz që as nuk e dinë për mundësinë e helmimit nga arseni i grumbulluar aty.

Në të ardhmen, në afërsi të zonës kufitare hekurudhore midis Maqedonisë dhe Serbisë do të ndërtohet një pikë e përbashkët, ku duhet të vendosen policia kufitare, doganat, shërbimet fitosanitare dhe punëtorët hekurudhor të të dy vendeve, si dhe pasagjerët të cilët udhëtojnë me trena ndërkombëtarë. Për të gjithë “mirëseardhja” e parë në Maqedoni do të jetë arseni i shpërndarë.

Arseni në Llojan, foto: Portalb.mk

Për dallim nga Komuna e Kumanovës, komuna e Likovës, megjithatë ka vullnet për të vendosur tabelat informative dhe rrethojë rreth zgjyrës në zonën e minierës “Llojan”.

“Më parë kemi pas vendosur edhe tabela për informimin e qytetarëve, por fatkeqësisht janë hequr dhe nuk janë më. “Megjithatë, duhet të rishqyrtojmë vendosjen e tabelave dhe gardhit”, thonë nga Komuna e Likovës.

Autoritetet lokale nga Likova përsëritën se tashmë kanë realizuar një projekt për mbulimin e shtresave me arsen dhe metale të tjera në afërsi të shkollës, pas së cilës janë mbjellë pemë. Ata janë të hapur për bashkëpunim me institucionet shtetërore, shoqatat mjedisore, koncesionarin apo këdo tjetër që mund të ndihmojë në kapërcimin e rrezikut.

Lidhur me vendosjen e rrethojës rreth dy lokacioneve dhe tabelave informative për rreziqet, nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor na thanë se nuk kanë kompetenca për këtë.

“Të gjitha kushtet janë të përcaktuara në Marrëveshjen e Koncesionit (përfshirë vendosjen e tabelave informative dhe gardheve rreth lokacionit ku është lëshuar koncesioni), në përputhje me Rregulloren për përmbajtjen e marrëveshjes së partneritetit publiko-privat dhe marrëveshjen e koncesionit të interesit të përgjithshëm”, thonë nga kjo ministri, duke na drejtuar për më shumë të dhëna në Ministrinë e Ekonomisë.

Kujtojmë se, përkundër faktit që arseni është i rrezikshëm për t’u thithur gjatë qëndrimit në vendet ku është i deponuar, ai tashmë katër dekada shpërndahet lirshëm nëpërmjet erës në tokë dhe në tërë bimësinë përreth Llojanit, Tabanocit dhe Vaksincës. Vendasit mbjellin kultura, rrisin kafshë shtëpiake dhe prodhojnë ushqim, i cili pastaj përfundon në tregje. Në të njëjtën kohë, arseni dhe metalet e tjera të rënda depërtojnë në ujin e pijshëm me të cilin furnizohet popullsia, ndërsa  në raportin e Meta.mk dhe Portalb.mk nga terreni vetë banorët e Llojanit na thanë se ka pasur helmime për shkak të pirjes së ujit të tillë dhe na u ankuan për sëmundjet e rrezikshme që e mundojnë popullsinë vendase.

Nëse deputetët në Kuvendin e RMV-së janë të interesuar për miratimin e ndryshimeve në Ligjin për mjedisin jetësor, atëherë do të mundësohet identifikimi formal i zonave të kontaminuara në vend, përfshirë lokacionet në Llojan dhe Tabanoc. Ndryshimet ligjore do të rregullonin menaxhimin e zonës së kontaminuar, pas së cilës Qeveria do të mund ta shpallte të kontaminuar një zonë të caktuar dhe të miratojë Plan Menaxhimi për zonën e kontaminuar, në mënyrë që të fillojë rehabilitimi i terrenit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button