Në pranverë paralajmërohet se përfundimisht nis pastrimi i deponive në rajonin Lindor dhe Verilindor

Vitin e kaluar u caktuan disa afate për fillim të pastrimit të deponive komunale jo standarde në rajonin e planit Lindor dhe Verilindor, por asnjë prej tyre nuk u respektua. Tani nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, për Meta.mk, bëjnë të ditur se aktivitetet në terren më në fund duhet të fillojnë në pranverë, transmeton Portalb.mk.

Për momentin nuk ka aktivitet të dukshëm në lokacionet e mbushura me mbeturina, megjithatë gjatë kësaj periudhe po punohet në kompletimin e dokumentacionit të nevojshëm. Disa prej lokacioneve nuk janë fare të përfshira në planet urbanistike, gjë që e bën të pamundur marrjen e lejeve për ndërtim që duhet të lëshohen para se të fillojë procedura për rikultivim të deponive të krijuara.

Nga ministria sqarojnë se Sektori për Financim Qendror dhe Kontraktim në Ministrinë e Financave e ka miratuar dokumentacionin e projektit, që ishte një procedurë administrative, e cila duhej të përfundonte vjeshtën e kaluar. Ndryshe, me projektin  që ka vlerë prej rreth 10 milionë euro duhet të mbyllen deponitë jo standarde në 18 komuna në të dy rajonet, por edhe të pastrohen mbeturinat e shpërndara në 30 deponi tjera.

Në periudhën e kaluar u përzgjodhën një kompani gjermane dhe një turke, të cilat do të punojnë veçmas në aktivitetet për rikultivimin e lokacioneve të përcaktuara në të dy rajonet, si dhe u përzgjodh edhe mbikëqyrësi i punimeve ndërtimore.

E gjithë procedura përfshin ndalim të hedhjes së mëtejshme të mbeturinave nga komunat në deponitë ekzistuese, pastrimin e mbetjeve komunale ekzistuese të grumbulluara në këto lokacione, rrethimin e gjithë hapësirës, ​​por edhe detyrim për ndërmarrjet komunale publike (NKP) të kujdesen për lokacionet pas procedurës së rikultivimit. .

Ministria e Mjedisit Jetësor he Planifikimit Hapësinor sqaroi se ndërmarrjet komunale publike do të kenë detyrimin për mirëmbajtjen e këtyre lokacioneve dhe një herë në vit do të duhet të monitorojnë cilësinë e ujërave nëntokësore, si dhe të bëjnë inspektim vizual të terrenit. Në të njëjtën kohë, NKP-të do ta kenë për obligim të pastrojnë kanalet për ujërat atmosferike, dy herë në vit ta kositin barin dhe të realizojnë vëzhgime topografike në lidhje me fundosjen e trupit të deponisë dhe qëndrueshmërinë e mbulesës që do të vendoset.

Aktivitetet e ardhshme, që duhet të fillojnë në pranverë, janë faza e parë e procedurës së përgjithshme për mbylljen e deponive dhe grumbujve të plehrave në rajonin e planit Lindor dhe Verilindor. Në fazën e dytë, e cila do të vijojë në të ardhmen, duhet të mbyllen të gjitha lokacionet e mbetura, të cilat me mbetjet e grumbulluara, aktualisht paraqesin rrezik për tokën, ujin dhe ajrin në këto rajone.

Në rajonin Lindor janë regjistruar gjithsej 12 deponi komunale jo standarde dhe 72 deponi ilegale të mbeturinave, ndërsa në rajonin Verilindor janë gjithsej gjashtë deponi komunale për pastrim dhe 32 deponi ilegale të mbeturinave.

Ndryshe, në vitin 2021 disa herë është shtyrë procedura për pastrimin, mbylljen dhe rikuperimin e deponive në të dy rajonet e planit. Premtimi fillestar i një viti më parë ishte se aktivitetet e planifikuara do të fillonin gjatë marsit 2021.

Qysh në fillim të majit të vitit të kaluar, Meta.mk mori informacion nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor se pastrimi do të fillojë kah mesi i majit, por as ky afat nuk u respektua. Shpjegimi atëherë ishte se në procedurën e parë tenderuese nuk ishte përzgjedhur asnjë kompani si ofertuesi më i mirë, pastaj u përsërit tërë procedura për përzgjedhjen e mbikëqyrjes së punimeve.

Qeveria e Maqedonisë në seancën e mbajtur më 19 korrik 2021mori vendim për mbylljen e deponive ilegale dhe deponive të plehrave në 18 komuna në rajonin e planit Lindor dhe Verilindor, njoftoi asokohe shërbimi për shtyp i qeverisë.

Meta.mk edhe kah fundi i gushtit 2021bëri pyetje për këtë temë në Ministrinë kompetente të Mjedisit, ndërsa shpjegimi i atëhershëm ishte se pastrimi i deponive dhe mbeturinave dhe kultivimi i zonës do të fillojë në shtator të vitit të kaluar.

Edhe ky afat u tejkalua, ndërsa në kërkesën tonë të fundit për informacion, gjatë muajit nëntor të vitit të kaluar, nga Ministria e Mjedisit Jetësor morëm informacion se dokumentacioni i projektit për pastrimin dhe kultivimin e trojeve është dorëzuar në Sektorin për Financim Qendror dhe Kontraktim në Ministrinë e Financave (CFCD), prej ku pritet miratimi sepse pa këtë procedurë administrative është e pamundur të fillojë puna në terren.

Ndryshe, pastrimi, mbyllja dhe rikultivimi i deponive komunale dhe deponive në rajonin e planit  Lindor dhe Verilindor parasheh një sërë aktivitetesh, realizimi i të cilave kërkon një periudhë njëvjeçare nga fillimi zyrtar i projektit në terren.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button