Kovaçevski – Lirman: Integrimi i Maqedonisë së Veriut është interes politik, i sigurisë dhe ekonomik i BE-së
Kryeministri iri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot në ditën e tij të parë të punës si kryeministër, priti në takim ministren për Evropë dhe Klimë të Republikës Federale të Gjermanisë, Ana Lirman. Kryeministri Kovaçevski shprehu falënderim që qeveria e sapozgjedhur e RF të Gjermanisë, udhëhequr nga Kancelari Ollaf Shollc, zgjerimin e BE-së me Ballkanin Perëndimor e vendosi lartë në programin e koalicionit dhe veçanërisht që në mënyrë eksplicite e theksoi nevojën pa shtyrje të mëtejshme për të hapur kapitujt e para negociuese me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë si hap i ardhshëm i zgjerimit të BE-së ndaj rajonit, transmeton Portalb.mk.
Kryetari i Qeverisë Kovaçevski në takim theksoi se Republikën e Maqedonisë së Veriut, si vend kandidat i BE-së është i integruar në aspekt serioz me politikat kryesore të Brukselit, veçanërisht në Agjendën e gjelbër e cila ishte nga prioritetet kryesore të Procesit të Berlinit edhe atë pikërisht gjatë bashkë-udhëheqjes me procesin nga ana e Republikës së Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut kur bashkëpunimi rajonal e arriti nivelin më të lartë si një nga prioritetet më të rëndësishme të këtij procesi të sponsorizuar nga Berlini.
Në takim u theksua bashkëpunimi ekonomik me RF të Gjermanisë, me të cilin, si shtet nga i cili vijnë investimet më të mëdha, në të ardhmen vëmendje e veçantë do t’i kushtohet projekteve nga burimet e ripërtërishme të energjisë.
Në bisedën me ministren për Evropë Lirman, Kryeministri Kovaçevski theksoi se Qeveria e sapozgjedhur e Maqedonisë së Veriut është e përkushtuar që të vazhdojë në rrugën e reformave për anëtarësim në BE dhe të ndërmarrë veprime me vendosmëri në fusha kyçe si sundimi i ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Kovaçevski theksoi se vizitën e nesërme të Kryeministrit të Republikës së Bullgarisë Kirill Petkov e sheh si një hap drejt gjetjes së një zgjidhjeje të pranueshme reciproke me Sofjen në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore për të zhbllokuar procedurën për vendosjen e një konference ndërqeveritare me BE-në si fillim i bisedimeve në Maqedoninë e Veriut për anëtarësim në BE.
Kryeministri Kovaçevski dhe ministrja Lirman u pajtuan se integrimi i plotë i Ballkanit Perëndimor është në interes politik, siguri dhe ekonomi të BE-së si investim gjeostrategjik për një Evropë stabile dhe me prosperitet.
Në këtë takim mori pjesë edhe ministri Bojan Mariçiq.
Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.
Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria këtë vit i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.
Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.
- LEXO: Petkov për MIA-n: Punën duhet ta kryejmë vetë, e jo të presim që dikush të na shpëtojë apo të na ndihmojë
- LEXO: Kiril Petkov: Radev nuk mi lidh duart për qasje të re me Maqedoninë e Veriut
- LEXO: Bomgartner: Vizita e Petkovit në Shkup është sinjal i mirë për BE-në
- LEXO: Zgjerimi i Bashkimit Evropian nuk ka afate, vlerësoi Ambasadori francez në Maqedoninë e Veriut