“Besa Trans Preshevë” pas lajmeve në media u zhduk nga “Facebook” (Video)

“Besa Trans Preshevë”, e cila organizonte udhëtime për Krishtlindjet në Stamboll, për qytetarët e RMV-së, është zhdukur nga rrjeti social “Facebook”. Kjo ka ndodhur pasi TV Telma e përditësoi temën dhe lidhjen e mundshme me “Besa Trans” nga Shkupi, në autobusin e së cilës 45 udhëtarë vdiqën gjatë aksidentit në Bullgari, transmeton Portalb.mk.

Nëse kërkoni “Besa Trans Preshevë” në “Facebook”, rezultati do të tregojë se një faqe e tillë nuk ekziston, por linku direkt me “Besa Trans” të Shkupit ende qëndron në rrjetin social.

“Besa Trans e Preshevës”, e cila nuk ishte në regjistrin qendror të Serbisë, ofronte udhëtime për vetëm 79 euro nga 6 janar deri më 13 janar në Stamboll.

I dyshimtë ishte fakti se nisja është bërë edhe nga Shkupi, Tetova dhe Gostivari ndërsa qytetarët kanë paguar pak para nisjes.

Kur “Telma” tentoi të rezervonte udhëtim në këto data, personi kontaki i faqes (Besa Trans Preshevë) ndryshoi mendje dhe tha se udhëtimi ishte anuluar.

Telma ka kontaktuar me pronarin e “Besa Trans Shkup”, Bekim Haxhiu, i cili ka mohuar kategorikisht lidhjet me kompaninë e Preshevës dhe se emri i kompanisë është shumë i përhapur në viset shqiptare.

Ai nuk ka shpjeguar pse lidhja në rrjetin social ka çuar në kompaninë e tij, si dhe nuk ka treguar se kur do të kthehet në vend.

Të kundërtën pohojnë burimet

“Besa Trans Preshevë” është në pronësi të Haxhiut, si dhe dy kompani të tjera të sapoformuara, “Royal Travel” dhe “Aldi Trans Shkup“. Sipas informacioneve që disponojmë, pronari i “Royal Travel” është banues në Rashçe, bashkëfshatar i Haxhiut dhe kompania është regjistruar me 28 dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa për “Aldi Trans” nuk ka asnjë informacion tek autoritetet dhe sipas të dhënave në rrjetin social, faqja është krijuar me 10 dhjetor.

Autobusët dhe furgonat e “Besa Trans” qëndrojnë të parkuar në Rashçe të Shkupit. Ajo që vihet re është se nuk figuron mbishkrimi i agjencisë dhe u janë hequr targat.

Qytetarët për Telma pohojnë se disa furgona, të cilët nuk kanë markë, por janë në pronësi të Haxhiut, ende transportojnë pasagjerë, nga Rashçe në Bit Pazar dhe anasjelltas.

Ky furgon pa markë ishte parkuar pikërisht mbi xhaminë në Rashçe, dhe më pas transportonte pasagjerët në rrugën e rregullt për në Bit Pazar dhe anasjelltas.

Ajo që ishte e qartë ishte se përveç këtij furgoni që nuk kishte asnjë shënim mbi të, të gjithë transportuesit tjerë kishin marka dhe emrin e kompanisë.

Videon mund ta ndiqni më poshtë.

Në aksidentin tragjik të autostradës “Struma” në Bullgari që ka ndodhur më 23 nëntor ndërruan jetë 45 persona, prej të cilëve 12 fëmijë, ndërsa shtatë u lënduan. Ata po ktheheshin nga udhëtimi turistik në Turqi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button