MPJ: Qytetarët e RMV-së në Kazakistan janë të sigurt, nuk ka persona të lënduar deri tani

Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) informon se sipas komunikimeve me disa nga qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut të cilët aktualisht ndodhen në Kazakistan, ata janë të sigurt dhe deri më tani nuk është regjistruar asnjë nga shtetasit tanë se janë të lënduar apo të rrezikuar, transmeton Portalb.mk.

Nga kjo ministri njoftojnë se vazhdojnë të monitoronjë në vazhdimësi situatën në Kazakistan dhe se janë në kontakt të vazhdueshëm me Ambasadën e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Nur Sultan, si dhe me institucionet përkatëse nga vendet e rajonit, për të ofruar informacione të duhura për qytetarët tanë.

“Në të njëjtën kohë, apelojmë tek të gjithë qytetarët tanë që aktualisht ndodhen në Kazakistan që të qëndrojnë në vende të sigurta, të mos dalin nga hotelet dhe objektet ku janë akomoduar dhe të shmangin grumbullimet në vende publike.  Për të gjitha pyetjet që kanë të bëjnë me sigurinë e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut të cilët aktualisht ndodhen në Kazakistan, ju lutemi kontaktoni linjat telefonike në përfaqësitë tona diplomatike dhe konsullore në Nur Sultan ose në Ministrinë e Punëve të Jashtme.  Për të gjithë qytetarët tanë që planifikojnë një udhëtim në Kazakistan, ju bëjmë thirrje që ta shtyni atë nëse është e mundur”, thuhet në njoftimin e MPJ..

Ambasada e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Nur Sultan

Telefoni: +7771 103 7070 / +7775 257 3322. (Vini re se ka ndërprerje të herëpashershme të internetit në Kazakistan, si dhe vështirësi të herëpashershme në vendosjen e një lidhjeje celulare)

Email: [email protected]

Adresa: Rr.  Tashenov No3, Nur-Sulltan 010000, Republika e Kazakistanit

Çfarë po ndodh në Kazakistan?

Kazakistani po përjeton protestat më të këqija në rrugë që vendi ka parë që nga fitimi i pavarësisë tri dekada më parë, transmeton REL.

Shpërthimi i destabilitetit po shkakton shqetësim të madh në dy fqinjët e fuqishëm të Kazakistanit: Rusinë dhe Kinën. Vendi shet shumicën e eksporteve të naftës në Kinë dhe është një aleat kryesor strategjik i Moskës.

Një rritje e papritur e çmimit të karburantit të makinave në fillim të vitit shkaktoi protestat e para në një qytet të largët nafte në perëndim. Por, dhjetëra mijëra protestues që kanë dalë që atëherë në rrugë në shumë qytete, tani kanë në sy të gjithë qeverinë autoritare.

Presidenti Kassym-Jomart Tokayev fillimisht kërkoi të qetësonte turmat duke shkarkuar të gjithë qeverinë herët të mërkurën (5 janar).

Por, në fund të ditës ai kishte ndryshuar qëndrim. Së pari, ai i përshkroi demonstruesit si terroristë. Pastaj ai i bëri thirrje një aleance ushtarake të udhëhequr nga Rusia, Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive, për ndihmë në shtypjen e kryengritjes dhe CSTO ra dakord të dërgonte një numër të pacaktuar paqeruajtësish.

Policia e Kazakistanit ka thënë se disa protestues janë “eliminuar” gjatë natës në qytetin më të madh të shtetit, Almati, kur ata kanë tentuar të hyjnë nëpër ndërtesa administrative, ndërkohë janë përshkallëzuar trazirat kombëtare.

Nga pesë republikat e Azisë Qendrore që fituan pavarësinë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Kazakistani është deri tani më i madhi dhe më i pasuri. Ai shtrihet në një territor me madhësinë e Evropës Perëndimore dhe ndodhet në majë të rezervave kolosale të naftës, gazit natyror, uraniumit dhe metaleve të çmuara.

Por, ndërsa pasuritë natyrore të Kazakistanit e kanë ndihmuar atë të kultivojë një klasë të mesme solide, si dhe një grup të konsiderueshëm manjatësh tepër të pasur, vështirësitë financiare janë të përhapura. Paga mesatare mujore kombëtare është pak më pak se 600 dollarë.

Tubimi që shkaktoi krizën e fundit u zhvillua në qytetin perëndimor të naftës, Zhanaozen. Ka kohë që pakënaqësitë janë acaruar në zonë për shkak të ndjenjës se pasuritë energjetike të rajonit nuk janë shpërndarë në mënyrë të drejtë në mesin e popullsisë vendase. Në vitin 2011, policia qëlloi për vdekje të paktën 15 persona në qytet, të cilët po protestonin në mbështetje të punonjësve të naftës të pushuar nga puna pas një greve.

Kur çmimet për gazin e lëngshëm të naftës që shumica e njerëzve në zonë përdorin për të furnizuar makinat e tyre u dyfishuan gjatë natës të shtunën, durimi u këput. Banorët në qytetet e afërta u bashkuan shpejt dhe brenda disa ditësh protesta të mëdha u përhapën në pjesën tjetër të vendit.

LEXO: Të mbyllur dhe pa internet – shqiptari nga Kosova tregoi situatën në Kazakistan

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button