SOCIOLOGJI FEJE: “VITI I RI” (1)

“Shok i dashtun, unë përgjithësisht nuk shkruej urime, as për Krishtlindje as për Bajram, as për ditëlindje as për ndoj festë tjetër. Nuk shkruej, pse urimet që n’ato ditë tan bota ban, nuk dij a plotësohen një per qind se pothuej të gjitha dalin nga hipokrizia.”
Migjeni, 1937

 Ditët e fundit të vitit. Më tepër kohë për të qëndruar pranë familjes dhe para TV-së. Një dokumentar mbresëlënës lidhur me një hotel suedez të akullt, i bërë nga një grup specialistësh vetëm për gjashtë javë në kushte të vrazhdëta të dimrit arktik. Mrekulli, me dhoma, mure, shtretër, abazhur, ornamente të brendshme akulli. Kalojmë në një kanal tjetër: lajm rrëqethës. Vendi: Afganistan. Siç dihet, vitin 2021 e shënoi edhe kalimi i pushtetit nga amerikanët në duart e regjimit të talibanëve. Kriza vazhdoi edhe në fazën e re të historisë afgane, në veçanti ajo ekonomike, financiare. Në qytetin Bagdis, Pervaneja 9-vjeçare, që katër vite kishte jetuar në kampe refugjatësh, për shkak të varfërisë, nga babai i saj, Abdulmaliku, iu shit një 55 vjeçari për 2,200 dollarë dhe një dele. Kryepari i familjes, që shprehet se ndjehet ‘i thyer,  fajtor, i turpëruar’, para disa muajsh për shkaqe të njëjta e kishte shitur edhe vajzën më të madhe 12-vjeçare. (NTV, 2021).

Dhe, deshëm s’deshëm, të lumtur të palumtur, hapëruam në vitin 2022. Kaloi edhe një periudhë 365 ditëshe e jetës sonë. Një sekuencë kohore u mbyll, një kapitull i ri u hap. Si gjithmonë koha i ka tre dimensione, të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Të parit i themi histori. E historia është mësim. Për ata që mendojnë, që qëmtojnë, që sodisin rreth (vet)vetes, gjësisë, pamësisë, botës abstrakte, metafizikës. Nga e kaluara mësojmë se gjithçka vjetërohet dhe se është me afat skadimi, zhbëhet, se duhet ta shfytëzojmë aktualen, çastin, për t’u bërë më të mirë, më të dobishëm, për të lënë gjurmë, kujtime, për të hyrë në analet (vjetarët) joformale dhe publike, për t’u bërë nga “të pavdekshmit”.

Si në  shumë kultura lokale, edhe në këtë globale dominante, fundi i çdo viti, nga një pjesë e madhe e njerëzimit kremtohet, shpesh edhe çmendërisht, duke konsumuar edhe qindarkën e fundit. Shpresë! Viti i Ri  i kalendarit gregorian është shndërruar në një simbolikë planetare: fishekzjarre hidhen në katër anët e botës, në Moskë, Auckland, Dubai, Ulan Bator, Kinshasa, Buenos Aires. Megjithatë, duhet pasur parasysh dallimin mes Krishtlindjeve (Kërshëndellave), që kanë të bëjnë me celebrimin e lindjes së Jezusit dhe Vitit të Ri, si momentum që simbolizon kalimin nga një vit te tjetri, fillimin e ri. Festa e parë është fetare, kurse e dyta shekullare (Carr, 2020). Viti i ri nënkupton mundësinë për rikuperim, për riformësim të vetes, të mjedisit dhe planetit, agjendë e re para vetes. Të tjerë, më pesimistë, nuk festojnë. E shohin pjesën tjetër të gotës së gjysmëmbushur. Ç’të festojmë, që për një vit bëhemi më të vjetër? Sikur duan ta ndalin kohën. Ka edhe të atillë që e perceptojnë si “kotësi”: “…kjo festë është veçse një pus i thatë. Gjithkush e kujton ndjesinë e të qenit bosh, i zbrazët të nesërmen e festës teksa jeta i kthehet rutinës së përditshme. Drita, pemë, toptha zbukurimi, lodra e gjithçka tjetër mblidhen, futen në qeska apo thasë dhe presin vitin tjetër.” (Zekthi, 2021) Një mori tjetër njerëzish, nuk festojnë për shkaqe fetare, në mesin e tyre edhe pjesa dërrmuese e myslimanëve. S’është viti i ri ynë, s’është festë e jona, është krishtere, në fakt pagane – thonë. Sipas nesh, secili e ka të drejtën e vet ta perceptojë këtë ndërrim motmoti si do vetë. Ata që e festojnë s’kanë të drejtë t’i etiketojnë ata që natën e 31 dhjetorit e shohin si netët e tjera të kalendarit, ngase kanë kalendarin e vet të cili i referohen  (p.sh. hixhri, rosh hashanah, Xīnnián, seollal), që ngjashëm si Migjeni dikur, s’urojnë. Por edhe këta që s’festojnë s’duhet të krijojnë skema në kokat e tyre për “ofendimin ndaj Zotit”. Mund t’i thërrasin sivëllezërit drejt të vërtetës, por pa narrativë prekëse dhe përjashtuese. Në botë ka edhe idhujtarë, adhurues të zjarrit, hinduistë, agnostikë, ateistë, panteistë e shumë soje “besimtarësh”, të cilët ruajnë me pasion bindjet e tyre dhe s’i ndryshojnë dot ato. Edhe myslimanët shqiptarë nuk duhet të hyjnë në polemika boshe, siç shënohen në rrjetet sociale, që nuk sjellin kurrfarë produktiviteti, përpos elektrizimeve dhe përleshjeve verbale e përtej. Gjithçka varet nga qëllimi, dhe ai që ia kthen dikujt urimin “Gëzuar Vitin e Ri” me “Gëzuar” s’humbet gjë nga besimi i tij, s’verifikon dogmë të huaj, kryen vetëm një akt moral, vë në veprim mirësjelljen ndaj atij që (të) uron, ngjashëm me “Добро утро!”. Islamikisht sikur që urdhërohet mospërngjasimi të huajve, urdhërohet edhe respekti ndaj ithtarëve të librit. (vazhdon)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button