3 muaj e gjysmë nga zjarri në Spitalin Modular në Tetovë, Prokuroria ende në fazë parahetimore

Kanë kaluar tre muaj e gjysmë nga rasti tragjik i djegies së Spitalit Modular të Tetovës, në të cilin humbën jetën 14 persona dhe rasti në Prokurori ende është në fazën e procedurës parahetimore. Deri tash është publikuar vetëm një raport i ekspertizës së krim teknikës, i cili u mor nga përfaqësuesit qeveritar si “e vërteta për ngjarjen”. Në fakt, hetimi ende nuk ka mbaruar, madje ende në Prokurori nuk ka arritur raporti i ekspertizës nga ekspertët gjerman, njofton Portalb.mk.   

Prokuroria Themelore e Shkupit ende nuk e ka mbaruar hetimin për zjarrin në Spitalin Modular që ndodhi më mbrëmjen e 8 shtatorit.

“Rasti është në fazën e procedurës parahetimore në të cilën po ndërmerren veprime intensive për vërtetimin e fakteve. Raportet e pranuara po analizohen në prokurori në korrelacion me provat tjera, por Prokuroria Publike nuk ka mundësi të ndajë detaje. Pritet ekspertiza e ekspertëve gjermanë, e cila është kërkuar përmes asistencës juridike ndërkombëtare, e cila ende nuk ka arritur. Ndërkohë po merren në pyetje dëshmitarë dhe persona të tjerë që kanë informacione për ngjarjen. Pas vërtetimit të plotë të fakteve do të merret vendimi i prokurorit publik”, thonë nga Prokuroria Publike.

Për dallim prej efikasitetit të Prokurorisë së RMV-së që edhe pas kaq periudhe nuk ka arritur ta kalojë fazën parahetimore, një muaj pas aksidentit të autobusit të RMV-së në Bullgari, autoritetet e bullgari thanë se së shpejti do ta mbarojnë hetimin për rastin tragjik ku humbën jetën 45 persona në mesin e të cilëve 12 fëmijë dhe 7 të tjerë u lënduan. Nga ana tjetër Prokuroria e RMV-së, heton punën kompanisë së transportit të autobusit të aksidentuar “Besa Trans”, por ky hetim në RMV është në fazë parahetimore.

Informatat e fundit për rastin e Spitalit Modular janë se deri te Prokuroria kanë arritur edhe dy raporte tjera të ekspertizave përpos asaj të Krim-Teknikës.

“Ka arritur ekspertiza e Sektorit për Kontrolle Ekspertiza Kriminalistikë (SKEK), të cilin Prokuroria menjëherë e ka publikuar dhe i cili ka të bëjë me arsyet direkte të zjarrit. Janë urdhëruar edhe kryer edhe dy ekspertiza nga Fakulteti Teknologjik dhe nga Fakulteti i Elektroinxhinerisë. Raportet kanë ardhur në Prokurori dhe po analizohen në korrelacion me provat tjera të arritura”, thanë nga Prokuroria për Portalb.mk më 25 nëntor, duke mos treguar detaje për raportet.

Sipas raportit të krim-teknikës së MPB-së, që e zbardhi Prokuroria, zjarri është shkaktuar nga kablloja-vazhduese në të cilin ka qenë i kyçur defibrilatori, por kjo nuk nënkupton se është zbardhur rasti dhe ky rast të përcillet me vetëm “ngushëllime për ata që humbën jetën”.

Deri sot nuk kemi një përgjigje konkrete se a ka pasur ose jo spitali sistem kundër zjarrit. Dëshmitarët që i kanë shpëtuar tmerrit kanë deklaruar se nuk ka pasur, por autoritetet përkatëse ende nuk konfirmojnë diçka të tillë. Nëse ka pasur, ku kanë qenë që pacientët nuk kanë mundur t’i gjejnë, kur janë kontrolluar së fundmi herë që funksionojnë ose jo?

Nuk e dimë ende se materiali me të cilin është ndërtuar a ka qenë rezistent ndaj zjarrit, edhe pse autoritetet thonë se spitali i ka përmbushur të gjitha standardet. Spitali është djegur vetëm për disa minuta dhe me plotë të drejtë qytetarët kërkojnë përgjigje ndaj pyetjes, nëse i ka përmbushur të gjitha standardet pse është djegur kaq shpejtë?

Nuk dihet se kush e ka bërë raportin për specifikat teknike të objektit. Prokuroria vetëm mbledh dokumentacione, por nuk i ndan me opinionin që qytetarët ta shohin dokumentacionin e ndërtimit të objektit.

Çështja tjetër, e cila gjithashtu është skandaloze, e për të cilën deri më tani askush nuk ka dhënë përgjegjësi është se në mesin e viktimave ka pasur edhe dy familjarë të pacientëve që janë kujdesur për familjarët e tyre.

Ndryshe, më 8 shtator në orën 21:02 qendra-kovid në Tetovë u kaplua nga zjarri, ku jetën e humbën 14 persona (8 gra dhe 6 burra në moshë prej 29 deri 78-vjeç, 12 prej tyre ishin pacientë dhe 2 familjarë të viktimave që janë kujdesur për ata). Më 10 shtator, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe zëvendësi i tij, Ilir Hasani së bashku me dy drejtorët e spitalit të Tetovës, Artan Etemi dhe Florin Besimi, kanë njoftuar për dorëheqje për arsye morale. Kryeministri Zoran Zaev pas disa ditëve sqaroi se nuk i ka pranuar dorëheqjet dhe se Filipçe, Hasani, Etemi dhe Besimi do të vazhdojnë të jenë në funksion, derisa të mbarojë hetimi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button