RMV, në vend se 44, qytetarët kanë paguar nga 81 euro për çdo megavat energji elektrike të prodhuar nga një hidrocentral i vogël.

Hidrocentralet e vogla vitin e kaluar kanë prodhuar vetëm 195,7 gigavat orë energji elektrike, që kanë përbërë vetëm katër për qind të prodhimit të përgjithshëm vendor. Por kjo nuk do të thotë se ata kanë punuar pa fitim, sepse koncesionarët nga viti 2012 e deri më tani kanë pranuar 41 milionë euro më shumë se sa vlerën e tregut të energjisë së prodhuar. Kjo ka ndodhur për shkak të përdorimit të tarifave preferenciale të parashikuara me ligj. Do të thotë se qytetarët në vend të 44 euro, sa ka kushtuar një megavat energji elektrike në bursë, gjatë kësaj periudhë, kanë paguar 81 euro, vetëm për shkak se është prodhuar në hidrocentral të vogël, njofton Meta.mk.

Ky është konstatimi i auditimit për “Shfrytëzimin e burimeve ujore gjatë prodhimit të energjisë elektrike, për periudhën nga viti 2012 deri në vitin 2021”, të cilin e publikoi Enti Shtetëror i Revizionit. Raporti përmban rekomandime të shumta për atë si të tejkalohet situata dhe të ndalohet shkelja e ligjeve, por siç vërejnë edhe vetë auditorët, ka ende një përqindje të madhe të masave që janë rekomanduar në raportin paraprak e që institucionet shtetërore nuk i kanë zbatuar.

Auditorët në raport kanë shkruar se hidrocentraleve të vogla u garantohet blerja e prodhimit të plotë të energjisë elektrike me tarifa preferenciale, të cilat janë dukshëm më të larta se çmimet mesatare të tregut. Përkatësisht, tarifa mesatare preferenciale është rreth 5.000 denarë ose 81 euro për MWh energji elektrike, që është pothuajse dyfishi i çmimit referent të tregut në bursën e energjisë elektrike, e cila në periudhën 2012-2020 sillet nga 2.100 deri në 3.100 denarë ose 44 euro. Prandaj, prodhuesve preferencialë për nëntë vite u janë paguar mbi 90 milionë euro, që është rreth 41 milionë euro më shumë se vlera e tregut të energjisë elektrike të prodhuar për shkak të përdorimit të tarifës preferenciale.

Ndërtimi i hidrocentraleve të vogla është problematik edhe për shkak të shkeljes apo anashkalimit të vazhdueshëm të ligjeve të shumta me rastin e dhënies së koncesioneve, ndërtimit dhe funksionimit. Edhe pse kanë arkëtuar një shumë dukshëm më të lartë se sa ajo e tregut, kjo nuk u ka penguar prodhuesve preferencialë që të mos paguajnë gati 23 milionë denarë kompensim për shfrytëzimin e ujit për prodhimin e energjisë elektrike. Raporti thekson se pjesa më e madhe e HEC-eve, për shkak se çmimi i prodhimit nuk është i specifikuar, tarifa për përdorimin e ujit prej një për qind llogaritet në të njëjtën bazë si për tarifën e koncesionit. Auditimi ka konstatuar se janë arkëtuar 375 mijë euro më pak ose 41 për qind e tarifës totale të llogaritur. Edhe pse më këtë drejtpërdrejt shkelen ligjet për ujin dhe buxhetin, megjithatë, nuk ka qenë arsye që institucionet t’ua marrin licencën dhe t’ua ndërpresin trajtimin preferencial.

Auditorët kanë zbuluar se shteti është  përqendruar në dhënien e koncesioneve për hidrocentralet e vogla, duke ofruar koncesione të mëdha për koncesionarit, në vend se të ndërtojnë centrale të mëdha, duke mos i përmbushur kështu detyrimet të cilat i ka përcaktuar vetë për prodhimin e energjisë së rinovueshme.

Deri vitin e kaluar në vend janë ndërtuar gjithsej 117 hidrocentrale, nga të cilët tetë janë të mëdha, 13 të vogla që nuk janë prodhues preferencial dhe 96 të vogla me statusin e prodhuesve preferencialë. Sipas të dhënave zyrtare, pjesëmarrja e burimeve të rinovueshme në konsumin final bruto të energjisë në vitin 2019 është 14,78 për qind, krahasuar me 23 për qind që kanë qenë planifikuar deri në vitin 2020, është dështim në përmbushjen e objektivave të detyrueshme kombëtarë të parapara me Ligjin për energjetikë.

Edhe procedurat për dhënien e koncesioneve për shfrytëzim të ujit për prodhim të energjisë elektrike janë gjithashtu problematike, sepse ato janë bërë pa vlerësim të ndikimit në mjedisin jetësor dhe pjesërisht pa studim të projektit koncesionar, në bazë të të dhënave të vjetruara hidrologjike. Mangësitë në dhënien e lejeve dhe kontrolli joefikas nga institucionet kompetente kanë mundësuar shfrytëzimin e ujit pa leje të siguruara për shkak të mungesës së librit të ujit, Ministria e Mjedisit Jetësor nuk ka të dhëna të plota për aplikimet e pranuara dhe lejet e lëshuara sipas ligjit për ujërat.

Auditorët, nga mënyra e ndërtimit të objekteve energjetike, kanë konstatuar edhe kërcënime për biodiversitetin dhe natyrën. Miratimi i elaborateve për mbrojtjen e mjedisit jetësor është bërë pa përcaktimin e duhur të ndikimit të mundshëm në mjedis dhe kjo sjell rrezik që ndërtimi të ketë ndikime të caktuara negative në ekosistemet e lumenjve dhe në diversitetin biologjik natyror. Auditorët konfirmojnë gjithashtu se investitori e ka për obligim të sigurojë të ashtuquajturin minimum biologjik në lumë, gjë që nuk i pasqyron nevojat reale të kafshëve të egra të lumit sepse nuk merr parasysh ndryshimet sezonale të rrjedhës.

Konstatimet nga raporti i auditimit, thonë nga organizata e shoqërisë civile “Eko Vetëdija” (Eko Svest) dhe Shoqata e Juristëve të Rinj të Maqedonisë, plotësisht përkojnë me vërejtjet e tyre për këto objekte energjetike, për të cilat kanë reaguar disa vite më parë.

“Raporti i ESHR-së konfirmon edhe një herë atë që e kemi përsëritur prej vitesh: se procedura e plotë për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla shpërfill tërësisht të gjitha detyrimet ligjore për mbrojtjen e mjedisit jetësor, duke e arritur kulmin me lëshimin e elaborateve për hidrocentralet e vogla pa përcaktimin e duhur të gjendjes faktike dhe ndikimin mbi mjedisin jetësor. Kjo çon në pasoja katastrofike për mjedisin jetësor dhe popullatën lokale”, tha Gjorgji Mitrevski, koordinator për mbështetje të komunitetit në Eko vetëdija.

Për Bojan Trpevski nga Shoqata e Juristëve të Rinj të Maqedonisë, moszbatimi i vlerësimit të ndikimit në mjedisin jetësor me rastin e dhënies së koncesioneve të HEC-eve e dëmton edhe më shumë zbatimin efektiv të parimit të pjesëmarrjes së publikut. Në këtë mënyrë, thekson ai, qytetarëve nuk u është dhënë mundësia të shprehin qëndrimet e tyre në dhënien e koncesioneve për HEC-et, ndërsa as institucionet nuk kanë mundur të vlerësojnë në mënyrë efikase ndikimin e tyre të dëmshëm në mjedis dhe masat mbrojtëse që investitori është dashur t’i ndërmerr.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button