As Listat e Kuqe nuk i shpëtojnë kafshët e egra nga helmet dhe gjuetia e paligjshme
Helmimi, gjuetia, kapja apo vrasja janë kanosje pothuajse të përditshme me të cilat ballafaqohen kafshët e egra në vendin tonë. Nën kanosje janë edhe kafshët që gjenden në Listat e Kuqe të specieve të rrezikuara, për shkak se edhe krahas dënimeve të larta për vepra të këtilla, të cilat lëvizin edhe deri në dhjetë vite burg, tani për tani askush nuk është dënuar. Deri më tani, në përputhje me metodologjinë e IUCN janë përgatitur Listat e Kuqe Kombëtare për kërpudhat prioritare, bishat e mëdha, si dhe listat e kuqe për të gjitha llojet e amfibeve dhe zvarranikëve, si dhe janë bërë vlerësime për 14 lloje të bimëve vaskulare, të cilat kanë rëndësi ndërkombëtare dhe kombëtare. Gjithashtu është planifikuar të rishikohen Listat e specieve të egra të mbrojtura rreptësisht dhe atyre të mbrojtura, por kur do të miratohet miratohet ligji i ri për natyrën, shkruan Meta, njofton Portalb.
Këto lista përfshijnë shumë kafshë të rrezikuara, si arinjtë e murrmë, rrëqebulli, ujqit, vidrat dhe çakejtë. Para shfarosjes është edhe shkaba kokëbardhë (grifon) dhe shkaba egjiptiane, megjithatë, kjo nuk do të thotë se në praktikë sigurohet ndonjë lloj mbrojtje për mbijetesën e tyre, Shumica e ligjeve, me të cilat mbrohet biodiversiteti dhe natyra parashikojnë vetëm sanksione kundërvajtëse, ndërsa dënimet për vepra penale kundër mjedisit parashikohen në Kodin Penal. Janë dënime të larta, por për fat të keq, pothuajse kurrë nuk shqiptohen.
Rasti i fundit me shpëtimin e 18 shkabave kokëbardha në zonën e Mariovës, që ishin në rrezik të helmohen me qenë të ngordhur, edhe një herë e tërhoqi vëmendjen rreth kujdesit joadekuat për kafshët e egra. Këtë rast e ka alarmuar Shoqata ekologjike e Maqedonisë, pastaj ndonëse në shpëtim mori pjesë edhe MPB-ja dhe komuna Prilep, ndërsa rasti u gjet edhe në media, në Inspektoratin Shtetëror për Mjedis Jetësor megjithatë ende nuk dinë për incidentin.
“ISHMJ nuk ka pranuar asnjë informacion për këtë rast”, thonë nga Inspektorati për “Meta”. Ata bëjnë të ditur se në evidencat e tyre ka raste që kanë të bëjnë me rreziqe të ndryshme me të cilat ballafaqohen kafshët e egra, të cilat janë drejtuar nga inspektorët shtetërorë. Për disa prej tyre janë ngritur kallëzime penale, por të gjitha janë kundër autorit të panjohur. Për ato vepra dënimet mund të shkojnë deri në dhjetë vjet burg nëse, për shembull, e rrezikojnë jetën ose shëndetin e njerëzve ose e shkaktojnë shkatërrimin e kafshëve të egra ose bimëve në një shkallë më të madhe. Konkretisht, për shpërndarje të helmeve që e rrezikojnë jetën ose shëndetin e njeriut dhe të kafshëve të egra ose të florës, dënimet në Kodin Penal janë nga një deri në pesë vjet. I lartë është edhe dënimi, deri në tre vjet burg, për gjueti të kafshëve të egra të rralla ose me numër të zvogëluar shumë.
Ministria e Mjedisit thotë se ekziston Plani Kombëtar Aksionar për luftë kundër helmeve, të cilin e ka përgatitur Grupi Punues Kombëtar për Luftë kundër Helmimeve në kuadër të Projektit Ballkanik të Kontrollit të Helmimeve, me qëllim të reduktimit të vdekjeve të shkabave dhe shpendëve grabitqarë, që shkaktohen nga karremat helmues dhe municioneve të plumbit.
“Qëllimi është që ky Plan Aksionar të shërbejë si strategji kombëtare, e cila do të ndihmojë në luftën për reduktimin dhe parandalimin e helmimit të kafshëve të egra në vend. Plani Kombëtar Aksionar për luftë kundër helmeve vazhdon të zhvillohet edhe në kuadër të projektit të ri BalkanDetox Life deri në vitin 2025 me angazhimin e Shoqatës Ekologjike të Maqedonisë”, thonë nga Ministria.
Para pak kohësh, “Platforma 27”, një rrjet joformal i organizatave të shoqërisë civile, të cilat punojnë në fushën e mjedisit jetësor dhe ndryshimeve klimatike, e publikoi raportin e saj të parë në hije për Kapitullin 27 mbi mjedisin jetësor dhe ndryshimet klimatike. Në këtë Kapitull, çështja e natyrës është një nga fushat më komplekse, ndërsa rekomandime për veprim ka pothuajse në të gjitha fushat. Hulumtimi në terren dhe mbledhja e të dhënave për speciet dhe habitatet me rëndësi evropiane duhet të intensifikohet. Duhet patjetër të përditësohen Listat e Kuqe të specieve të rrezikuara për grupet e tjera taksonomike, si dhe duhet të rishikohen Listat e specieve të egra rreptësisht të mbrojtura dhe të mbrojtura. Raporti bën thirrje të vazhdojë identifikimi i mëtejshëm i vendeve potenciale të Natura 2000 dhe zgjerimin e rrjetit të zonave të mbrojtura, planifikim dhe zbatim të një fushate afatgjatë dhe të vazhdueshme për rrjetin Natura 2000, si dhe miratim të planeve të menaxhimit për të gjitha zonat e mbrojtura, të cilat do të merrnin parasysh speciet dhe habitatet me rëndësi evropiane. Organizatat e shoqërisë civile vlerësojnë se është e nevojshme që shteti të sigurojë financime për funksionimin e zonave të mbrojtura dhe për mbrojtjen e biodiversitetit.