RMV, Oda ekonomike prezantoi e-certifikatën – eksportuesve deri më tani u janë ndarë 646 

Oda ekonomike, e cila po punon për procesin e digjitalizimit me qëllim që t’i përmbushë kërkesat e anëtarëve të saj, deri në tetor të këtij viti ka lëshuar 646 e-certifikata për prejardhjen që kompanive u nevojiten për të eksportuar produktet e tyre, transmeton Portalb.mk.

Me këto certifikata digjitale, ulet koha e lëshimit për 82 për qind dhe eliminohen harxhimet për letër dhe printim të dokumenteve.

Ndryshe nga më parë, kompanitë tani i marrin këto e-certifikata shumë më shpejt, duke kursyer kohë dhe para. Certifikatat pranohen nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, Ballkani Perëndimor, anëtarët e Magrebit, shtetet anëtare të Bashkimit ekonomik euroaziatik, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, Ukraina dhe Vietnami.

Sipas nënkryetares së Odës, Aneta Trajkovska, qasja në procesin e digjitalizimit është përfitim i madh, veçanërisht në kushtet kur për shkak të krizës shëndetësore dhe ekonomike të shkaktuar nga koronavirusi është e nevojshme që proceset të digjitalizohen kudo që është e mundur.

“Platforma për transformimin digjital të proceseve të biznesit dhe lëshimin e e-dokumenteve” është zhvilluar nga “Nextsense”. Bëhet fjalë për platformë të bazuar në ueb që i bën të disponueshme shërbimet e Odës 24/7 nga kudo me akses në internet dhe certifikim digjital. Shërbimet janë tërësisht elektronike, përfshirë pagesën elektronike, pa pasur nevojë për prezencë fizike, automatizimin e procesit të aplikimit dhe lëshimin e dokumenteve dhe standardeve të larta të sigurisë.

Oda ekonomike në fillim të këtij muaji u shpall kampione digjitale për vitin 2021. Çmimi u prezantua në një konferencë ministrore në Gjenevë nga Organizata Botërore e Tregtisë (OBT), Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë (ICC) dhe Qendra Ndërkombëtare e Tregtisë (ITC).

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, nënkryetarja e Odës Elena Milevska-Strbevska tha se digjitalizimi i ndihmon bizneset të punojnë në mënyrë digjitale dhe të përballen me vështirësitë e shkaktuara nga kovid-19.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button