Gjorgievska: Ballafaqimi me dhunën ndaj grave dhe vajzave duhet të jetë obligim dhe përgjegjësi e përditshme (Infografik)

Thuaj se për çdo ditë dëgjohen raste të dhunës ndaj grave, dhunës në familje, përdhunime dhe të ngjashme. Ky fenomen është mjaft i përhapur edhe në vendin tonë. Zonja e parë e RMV, Elizabeta Gjorgievska, sot në një panel diskutimi u shpreh se Institucionet kanë obligim dhe përgjegjësi që të luftojnë për këto qëllime, ku viktimave të dhunës duhet t’u japim mbështetje faktike, e jo vetëm deklarative, shkruan Portalb.mk.

Në panelin e diskutimit “Konventa e Stambollit dhe Ligji i ri për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave – Çfarë do të ndryshojë në qasjen ndaj parandalimit dhe mbrojtjes nga dhuna ndaj grave?”, mori pjesë edhe zonja e parë e shtetit, Elizabeta Gjorgievska. Paneli i sotëm shënoi fillimin e projektit “Parandalimi dhe mbrojtja nga dhuna me bazë gjinore në Maqedoninë e Veriut”. Ky panel orgnaizohet nga Zyra e UNFPA-së në RMV në bashkëpunim me Ambasadën e Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut.

Gjorgievska u shpreh se miratimi i Konventës së Stambollit na ka dhënë një kuadër të gjerë si një vend, të ndërhyjë në disa fusha, të sjellë zgjidhje më të mira ligjore, të punojë për forcimin e kapaciteteve të institucioneve dhe të sektorit civil.

Në këtë drejtim, ajo theksoi se nevojiten intervenime në disa nivele dhe në disa fusha për të përballuar me sukses dhunën ndaj grave.

“Përballja me dhunën me bazë gjinore, veçanërisht dhunën ndaj grave dhe vajzave, duhet të jetë përgjegjësia jonë e përditshme, sepse ne nuk duhet vetëm të flasim , duhet të mbështesim, duhet të inkurajojmë viktimat të thyejnë heshtjen e tyre dhe ato kundërshtojnë, sepse gjithmonë ka rrugëdalje”, tha Gjorgievska, duke theksuar nevojën që institucionet kompetente të jenë jashtëzakonisht efikas në ofrimin e parandalimit dhe mbrojtjes.

Ajo shtoi se viktimat shpeshherë nuk inkurajohen të ndërmarrin hapa për mbrojtjen e tyre sepse nuk e dinë nëse do të mund të marrin ndihmë të menjëhershme apo do të mbijetojnë ekonomikisht.

“Institucionet kanë obligim dhe përgjegjësi që të luftojnë për këto qëllime. Viktimave të dhunës duhet t’u japim mbështetje faktike, e jo vetëm deklarative.” theksoi Gjorgievska.

Dhuna ndaj grave paraqitet në forma të ndryshme, si ajo fizike, psikike, seksuale dhe të tjera ku arrijnë deri në vrasje, që njëherit janë edhe nga shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut.

Shifra të larta vërehen në raportime në vendin tonë, por ky numër mund të jetë më i lartë në realitet marrë parasyshë edhe numrin e grave të cilat nuk e raportojnë dhunën, ndër shkaqet është edhe mosbesimi në institucionet kompetente dhe pavarësia ekonomike.

Në Maqedoninë e Veriut, sipas të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme nga viti 2019 e deri në shtator të këtij viti janë regjistruaj gjithsej 2,779 vepra penale të dhunës në familje dhe numri i të dhunuarve nga këto raste është 2,996, ku pjesa më e madhe e të dhunuarve janë gra. Dhunuesit në këto vepra janë kryesisht bashkëshortët. Portalb.mk përgatiti infografik për këtë.

Infografik nga Portalb.mk për dhunën në familje
Infografik nga Portalb.mk për dhunën në familje

Rita Behadini, kryetare e Qendrës për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja” alarmon se duhet të ketë trajnim të policëve për viktimat e dhunës, sipas saj ata që i pranojnë raportimet e dhunës ndaj grave duhet të jenë të vetëdijshëm dhe të trajnuar se si t’i pranojnë këto raste pasi nuk mundet viktima e dhunës të kthehet në shtëpi.

Për atë se duhet të ketë edukim të policëve për personat e dhunuar pajtohet edhe inspektorja Nermine Izairi, e cila pohoi se diçka e tillë nuk ndodh.

Sipas profesoreshës të së Drejtës Penale në UEJL- Vedije Ratkocerit, Maqedonia e Veriut ka bërë mjaft nga aspekti normativ në drejtim të parandalimit të dhunës ndaj grave, por ajo çfarë mungon në vendin tonë është mungesa e përkrahjes institucionale.

Ndryshe, në shkurt të këtij viti në Maqedoninë e Veriut hyri në fuqi dhe Ligji për parandalimin dhe mbrojtjen e grave nga dhuna në familje. Përmes këtij ligji, shteti detyrohet të sigurojë risocializim të viktimave të dhunës, sigurim shëndetësor dhe mundësi ekonomike. Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka caktuar 25 nëntorin si Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave. Në këtë datë zhvillohet fushata 16-ditore e njohur si “16 Ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, e cila përfundon në 10 dhjetor, Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button