Afganët e evakuuar në Ballkan vlerësohen si shqetësim i sigurisë për BE-në

Kreu i sapozgjedhur i luftimit të terrorizmit në Bashkimin Evropian (BE), Ilkka Salmi, në paraqitjen e tij të parë para Nënkomisionit të Parlamentit Evropian për Siguri dhe Mbrojtje shpalosi analizë për sfidat më urgjente për sigurinë evropiane, transmeton Anadolu Agency (AA).

Salmi tha se sapo është kthyer nga Ballkani ku ka studiuar situatën e afganëve të evakuuar.

Duke folur rreth pasojave të marrjes së pushtetit nga ana e talebanëve në Afganistan, ai rikujtoi se BE duhej të parandalonte infiltrimin e terroristëve “përmes zhvillimit të procedurës së përbashkët për kontrolle sigurie sistematike dhe në kohë të të dhënave biografike, për shembull, kundrejt të gjitha bazave të të dhënave të BE-së dhe bazave të brendshme”.

Ai gjithashtu paralajmëroi se “mund të ketë një numër jo të vogël të afganëve” të evakuuar nga SHBA që janë në pritje tani në Kosovë, që mund të përbëjnë shqetësime të sigurisë për BE-në.

Ai sqaroi se në Kosovë ka gjithsej 430 afganë të trajtuar nga NATO dhe rreth 2.500 të tjerë në Shqipëri që janë ndihmuar nga organizata joqeveritare të SHBA-së.

Sipas Salmit, është e paqartë nëse SHBA do të sigurojë mbrojtje ndërkombëtare për të gjithë ata njerëz, ose ata do të braktisin Ballkanin dhe do të lëvizin drejt BE-së.

Ai gjithashtu foli edhe për ish-anëtarët e grupit terrorist DEASH dhe familjet e tyre në kampet dhe burgjet në veriperëndim të Sirisë, për të cilët tha se përbëjnë një “bombë të kurdisur” për sigurinë evropiane.

Salmi paralajmëroi se BE duhet të ofrojë ndihmë humanitare dhe mbështetje për të zvogëluar radikalizimin e ish-luftëtarëve të DEASH-it dhe familjeve të tyre që mbahen në kampe dhe burgje në Sirinë verilindore.

“Nëse më pyesni mua, ata janë një bombë e kurdisur për sigurinë evropiane”, tha ai.

Ai gjithashtu tha se për të përmirësuar situatën humanitare, BE duhet të mbështesë riintegrimin e banorëve të kampeve në Siri dhe Irak në komunitetet lokale.

Pasi vizitoi Ballkanin dhe studioi situatën e afganëve të evakuuar, Salmi u zotua se do të vizitojë këto kampet siriane pranverën e ardhshme.

Përpos kërcënimit terrorist nga kampet në Sirinë verilindore dhe marrjes së pushtetit nga talebanët në Afganistan, Salmi foli edhe mbi përhapjen e ideologjive të ekstremizmit të dhunshëm dhe teknologjive shkatërruese si sfida kryesore të sigurisë për BE-në.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button