RMV, më shumë se gjysma e familjeve të cilat ngrohen me dru nuk janë të gatshme t’i zëvendësojnë stufat e vjetra

Më shumë se gjysma e familjeve, të cilat ngrohen me stufa me dru, në vend nuk janë të gatshme ta ndërrojnë mënyrën e ngrohjes së shtëpive, tregon hulumtimi i prezantuar në seminarin e dytë kombëtar të projektit “Partneritet për ngrohje më të mençur” që u organizua nga Qendra për Hulumtime dhe Informim mbi Mjedisin Jetësor “Eko Vetëdija” (Eko Svest). Gjatë projektit, janë realizuar hulumtime rajonale në lidhje me ngrohjen e shtëpive, duke përfshirë teknologjitë që janë në dispozicion, mundësitë për financimin e ndryshimeve dhe perceptimin e qytetarëve për ngrohjen në kontekst kombëtar, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Hulumtimi në Maqedoninë e Veriut tregon se 53% e amvisërive të anketuara nuk dëshirojnë ta ndërrojnë sistemin e ngrohjes dhe se vetëm 10 % janë të gatshme për një hap të tillë. Familjet e tjera do të riorientohen në mënyrë më moderne dhe më ekologjike të ngrohjes vetëm nëse marrin ndihmë financiare të pakthyeshme. Arsyet për të ndërmarrë hap të tillë, shumë shpesh janë për shkak se kanë stufa shumë të vjetra dhe joefikase ose për shkak se ngrohja me dru kërkon shumë punë fizike dhe përgatitje.

“Nga amvisëritë, të cilat janë përfshirë në anketë, 38 për qind ngrohen me stufa me dru apo thëngjill, 18 për qind me kondicionerë, ndërsa pajisje tjerat për ngrohje të shtëpive janë në përqindje shumë më të vogla. Gjysma e familjeve i ngrohin vetëm dhomat ku rrinë, jo tërë shtëpinë, por një përqindje e madhe, 79 për qind, janë të kënaqur me atë sa janë të ngrohura shtëpitë tyre. Pothuajse gjysma e të anketuarve, ose 45 për qind kanë thënë se nuk kanë kondicioner, ndërsa 33 për qind e atyre që e kanë, e përdorin atë si për ngrohje ashtu edhe për ftohje. Rreth 60 për qind kanë vetëm një trup për ngrohje në shtëpi, kurse pjesa tjetër kanë dy ose më shumë,” tha Mevlija Grboviq nga INDAGO, që e realizoi sondazhin.

Shumica e familjeve do të zëvendësonin stufat e vjetra me kondicionerë inverter, më pas me pompa për ngrohje dhe ngrohje qendrore. Megjithatë, një pjesë e madhe, 70 për qind kanë thënë se nuk duan të marrin kredi për një investim të tillë, ndërsa vetëm 19 për qind kanë thënë se investimi i pranueshëm është deri në 300 euro. Ajo që mund t’i bëjë ata të ndërrojnë mënyrën e ngrohjes është shembulli pozitiv i familjarëve apo miqve, si dhe oferta nga prodhuesit apo tregtarët. Megjithatë, një e treta e amvisërive deklaruan se nuk mund të përballonin fare ta ndërronin stufën e vjetër.

“Kjo do të thotë se Komunat duhet të kenë qasje të ndryshme për nga mënyra si t’u dalin në ndihmë llojeve të ndryshme të konsumatorëve dhe nevojave të tyre. Edhe atyre që nuk do t’i ndërrojnë stufat me dru duhet t’u bëhet me dije se duhet të përdorin dru të thatë ose t’i pastrojnë oxhaqet që të reduktojnë ndotjen”, tha Stevan Vujasinoviq nga Fondacioni RES.

Komunat, mendon ai, duhet të ndërlidhen dhe të ndajnë përvojat. Një prej mënyrave që transformimi i pajisjeve për ngrohje, me versione më moderne dhe më ekologjike, të jetë më efikas dhe më i suksesshëm është të shfrytëzohet dëshira dhe t’u ndihmohet atyre që kanë thënë se janë të gatshëm, e të cilët më pas do të ndikonin në familjet ose miqtë e tyre. Veprimi i përbashkët me komunat duhet të jetë shembull edhe për qytetin e Shkupit, konsideron Nikolla Jovanovski, përfaqësues i administratës së qytetit. Ai thotë se subvencionimi i përbashkët dhe i koordinuar i qytetit dhe dhjetë komunave është politikë që do të kishte ndikim të madh në ndryshimin e situatës dhe do të siguronte që ndihmat të shpërndahen në mënyrë të drejtë dhe të barabartë në të gjitha komunat.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button