Jahjaga: Marrëveshja Kosovë-Serbi e pashmangshme

PRISHTINË- Marrëveshja Kosovë-Serbi është çështje e pashmangshme, deklaroi sot presidentja kosovare, Atifete Jahjaga, para raundit të nesërm të dialogut në Bruksel të kryeministrave të dy vendeve, nën kryesimin e BE-së. 

Jahjaga, bashkë me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, ka vizituar sot kuzhinës popullore në fshatin Prekoc të komunës së Novobërdës. 

Presidentja Jahjaga gjatë kësaj vizite, iu përgjigj interesimit të mediave rreth dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. 

“Dialogu nuk ka alternativë tjetër për procesin e mëtejshëm të normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, si dy shtete fqinje, të cilat nuk e kanë pasur një të kaluar të lehtë”, tha ajo. 

Jahjaga shtoi se, duhet ta ndërtojmë një të ardhme, e cila është në funksion të qytetarëve dhe të funksionimit të jetës së qytetarëve nga të dyja anët e kufirit, por gjithësesi se do të ndikojë në normalizimin e plotë apo qetësimin e plotë të gjithë rajonit dhe i kontribuon edhe axhendës evropiane të dyja shteteve. 

“Marrëveshja është çështje e pashmangshme dhe është e nevojshme që të arrihet, sepse është e vetmja mënyrë e cila do të çojë drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes dy shteteve’, tha presidentja Jahjaga e pyetur se a pret që të arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë./BalkanWeb/

Lajme të ngjashme

Back to top button