Qyteti nuk është vetëm strukturë arkitektonike

Qytetet ndërtohen me shekuj dhe mund të rrënohen befas. Rrënohen nga lufta, fatkeqësitë, keqqeverisja.

Roma e lashtë nuk u ndërtua brenda një viti. Bashkë me të ishte krijuar edhe miti për qytetin e përjetshëm.

Roma nuk ishte vetëm strukturë arkitektonike, por edhe qytetëruese, kulturore, shpirtërore, politike.

Romakët ndjeheshin krenarë pse kishin lindur ose jetonin në “qytetin më të mirë të botës”, në “qendrën e botës”, “qytetin e përjetshëm” dhe  ishin të gatshëm të bënin gjithçka për mbrojtjen e qytetit që për ta ishte i shenjtë dhe kryevepër e gjenive të artit dhe qeverisjes.

Një qyteti i duhet edhe slogani që përmbledh idealin e qytetarëve të saj.

“E dua Nju Jorkun”  ishte slogani i fushatës reklamuese që e promovonte turizmin. Ky slogan theksohet sa herë vendi përballet me fatkeqësi dhe nëpërmjet tij dëshmohet se dashuria e njerëzve për vendin e tyre është më e madhe se sa çdo forcë shkatërrimtare.

Qytetet i kanë pasur ose i kanë kryefjalët e tyre, sikurse  janë: Dubrovniku (“Libertas”), Vjena (“Jeto dhe lëri tjerët të jetojnë”), Montreali (“Shpëtimi vjen nëpërmjet harmonisë”), Amsterdami (“I guximshëm, i palëkundur, i mëshirshëm”), Frankfurti (“I fortë në drejtësi”), Varshava (“Gjithmonë e pathyeshme”) etj. Nëpërmjet tyre banorët e një vendi bashkohen rreth një qëllimi.

Një vend bëhet i denjë për të jetuar kur njerëzit e duan atë; kur ndjehen krenarë që kanë lindur apo jetojnë aty; kur mburren me historinë, kulturën, artin e tij; kur punojnë për të mirën e tij; kur e mbrojnë nga keqbërësit dhe keqpërdoruesit; kur e çmojnë si bukuri dhe pasuri shumëllojshmërinë etnike, kulturore, gjuhësore, religjioze.

Se qyteti nuk është grumbull godinash.

Qyteti është si pikturë gjigante që mund të krijohet nga mendjet mediokre ose nga mendjet gjeniale.

Qyteti nuk është vetëm vendlindje, por edhe gjendje shpirtërore, mënyrë jetese, shumësi sistemesh e identitetesh.

Qyteti është organizim i hapësirës, organizim i kaosit.

Qyteti është identifikim me gjenitë dhe veprat eprore.

Firenca na kujton Danten, Parisi na kujton Bodlerin, Dublini Xhojsin, Buenos Airesi Borhesin, Gjirokastra Kadarenë, Marduku i lashtë na kujton “Epin e Gilgameshit”, Troja e shkatërruar na kujton veprat e Homerit.

Qyteti nuk është vetëm e sotmja, por edhe e djeshmja dhe e nesërmja.

Qyteti pa identitet, pa leje njoftimi, është si stacion ku njerëzit presin mundësinë për të ikur sa më larg tij. Ai braktiset jo vetëm nga ata që ikin, por edhe nga ata që jetojnë aty.

Në qytetet ku shenjat e moshës përrallore kanë mbetur nën rrënojat e shëmtive arkitektonike, duhet më parë të rikthehet shpresa te njerëzit.

Shpresa kthehet kur krijohet një ideal që i bashkon të gjithë. Duke filluar nga pushtetarët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button