Kushtuar romanit “Dashuri diktatori” nga autori Xhevat Mustafa

Daim Ilazi
Daim Ilazi

Romani “Dashuri diktatori”, është një roman që të trondit dhe revolton i cili është i ideuar dhe ndërtuar në dy linja kryesore. Personazhet kryesorë i lidh edhe njohja e afërt, shoqëria dhe armiqsia me Enver Hoxhën dhe viktimizimi i tyre prej tij, pas 29 nëntorit 1944, kur ai përqëndroi në duart e tij tërë pushtetin dhe aparatin shtetëror. Ky roman i autorit Xhevat Mustafa, gazetar,shkrimtar, ish diplomat, intelektual i njohur , lexohet me një frymë dhe të rrëqeth trupin.

Linja e parë përmbledh historinë e shoqërisë dhe të dashurisë së njëanshme (nga ana e tij) të Enver Hoxhës me Aurelia Pozeli Terrusi, komshijen italiane gjatë viteve të rinisë në Gjirokastër, si dhe të martesës së saj jetëshkurtër e fatkeqe, për shkak të ndëshkimit të bashkëshortit të saj, Xhuzepe Terrusi nga ana e Enver Hoxhës. Urrejtja dhe hakmarrja e Enver Hoxhës ndaj ish shoqes së tij të rinisë, Aurelias, nisin të shprehen pas fitores së komunizmit në Shqipëri, më 29 nëntor 1944, kur ai arriti të jetë njëkohësisht njëshi i Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe kryeministër i Shqipërisë.

Ashtu siç e kishte parandjerë Aurelia, në fund të marsit 1945, Xhuzepe, që ishte drejtor në Bankën Italiane në Vlorë, arrestohet me akuzën e sajuar se “ishte implikuar në transfertat e paligjshme të arit shqiptar për në Itali, gjatë viteve të pushtimit të Shqipërisë nga ushtria italiane”. Në një proçes gjyqësor formal apo farsë Xhuzepe u dënua me 8 vite burg. Ky u rezistoi kushteve të tmerrshme në burgun e qytetit të Vlorës dhe në burgun famëkeq të Burrelit deri më 15 mars 1952, kur vdiq si pasojë e një krize të rëndë dhe të mungesës së kujdesit shëndetësor në burg. Telegrami për vdekjen e tij arrin në Itali vetëm pas 3 muajsh. Xhuzepen e varrosin në një gropë, poshtë degëve të një qershie të vjetër, në mes të oborrit të burgut. Këtu ishin varrosur edhe shumë të tjerë më përpara.

Linja e dytë është një përmbledhje me ngjarje të ndodhura dhe të krijuara, që kanë të bëjnë me historinë e njohjes qysh në vitet e shkollës, në Liceun Francez të Korçës mes Sabiha Kasimatit, (shkencëtare biologe, diplomuar dhe doktoruar në Torino më 1941) dhe Enver Hoxhës. Për shkak se e njihte shumë mirë të shkuarën problematike të Enver Hoxhës në Korçë dhe Francë si dhe të kundërshtimit prej saj të dashurisë së tij, Sabiha Kasimati u survejua vazhdimisht dhe hapur gjatë periudhës janar 1945- 1951. Në këtë linjë përfshihen edhe episode nga shoqëria, takimet dhe bisedat e Sabihasë me publicisten dhe poeten Mysine Kokalari, diplomuar në Universitetin e Romës për gjuhë-letërsi italiane si dhe me publicistin dhe poetin Manush Peshkëpia, në periudhën e viteve 1941-1951.

Urrejtja dhe hakmarrja e Enver Hoxhës ndaj Sabihasë, që ashtu si Aurelia i thanë JO “dashurisë” së tij, arrijnë deri në ndëshkimin e saj me pushkatim më 26 shkurt 1951, me akuzat e fabrikuara si “terroriste” dhe “armike e popullit”. Sabiha Kasimati është e vetmja femër, që u arrestua dhe dënua me pushkatim si e implikuar në të ashtuquajturën “Bomba në Ambasadën sovjetike në Tiranë”. Mes të arrestuarve, sipas listës së përgatitur edhe me dijeninë dhe shtesat e Enver Hoxhës, është edhe tregtari Jonuz Kaceli, i cili kishte pas njohje dhe lidhje të hershme me diktatorin shqiptar. Një natë para ekzekutimit Jonuzin e torturon vetë Mehmet Shehu, ministër i Brendshëm i kohës dhe një nga njerëzit më të afërt të Enver Hoxhës si dhe një oficer i policisë, i njohur për dhunim kafshëror ndaj të burgosurve gjatë hetuesisë. Ata e hedhin Jonuzin gati pa ndjenja dhe të mbytur në gjak nga dritarja e katit të tretë, me dëshirën që të vdesë në vend. Dhe ashtu ndodh.

Por, publikisht vrasja e tij urdhërohet të paraqitet si vetëvrasje. Nëpërmjet fundit tragjik të këtij tregtari synohet të transmetohet mesazhi se Enver Hoxha dhe regjimi i tij e urrenin dhe e ndëshkuan Jonuz Kacelin edhe si përfaqësues të klasës së kapitalizmit, i cili në Shqipërinë e asaj kohe ishte në fazën embrionale. Mbështetur në lidhjet që ka me Sabihanë dhe për fatin e përbashkët, të pushkatimit më 26 shkurt 1951, në roman dhe skenar janë integruar edhe disa episode që kanë të bëjnë me Manush Peshkëpinë. Në këto episode ai paraqitet si bashkëshort, si prind, si mik i sinqertë, si poet, si antikomunist… Transmetojnë emocione të forta episodi i arrestimit të tij në natën e 19 shkurtit, para syvë të gruas dhe të dy fëmijve, djalit 13 vjeç dhe të vajzës 3 vjeçe si dhe biseda e tij para pushkatimit me Sabihanë. Shkurt, por me nivel të kënaqshëm artistik përshkruhet edhe masakra e 26 shkurtit 1951 nga diktatura enveriane, me detaje shumë shprehëse dhe emocionuese për secilin nga 22 viktimat, për Qemal Kasaruhon, Gafur dhe Myftar Jegenin, Haki Kodrën, për gjakovarin Tefik Shehu dhe prizrenasin Anton Delhysa, për Reis Selfon, Pjerin Guraziun, Fadil Dizdarin, Hekuran Trokën, Petro Konomin, Haki Kodrën, Mehmet Shkupin, Zyhdi Herrin, Gjon Temalin, Niko Lezon, Ali Qorraliun, Thoma Katundin, Pandeli Novan, Lluka Rashkoviçin.

Qëllimi është të gjendet një përgjigje për tri pyetje. Përse nuk e dashuruan Enver Hoxhen vajzat e bukura, italianja e bukur Aurelia Pozelli-Terrusi, Sabiha Kasimati, Musine Kokalari? Çfarë panë ato tek ai, përtej bukurisë së jashtme, sidomos të fytyrës, që i trembi dhe ndaloi të lidhen? Përse Enver Hoxha i ndëshkoi shumë egërsisht shumicën e intelektualëve të diplomuar në Francë, Itali, Austri, Gjermani, e tj, që i kishte pasur komshinj në fëmijëri, rini dhe shokë universiteti, që dinin shumë të vërteta banale për shkollimin dhe sjelljet në Monpelje e Paris dhe të punës në Konsullatën e Shqipërisë në Bruksel? Në mbyllje: padyshim me këtë roman Xhevat Mustafa na ka dhënë një vepër që i referohet të shkuarës, por i flet bukur artistikisht të sotmes dhe të ardhshmes sonë si vend e si popull! Autori e paraqet diktatorin ashtu siç ishte në të vërtetë: I ashpër dhe i pashpirt, edhe ndaj njerëzve të familjes, shokëve, shoqeve, mosmirënjohës dhe hakmarrës …!

Nga Daim Iljazi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button