Në Gostivar, Dibër dhe Vrapçisht do të ketë rreth të dytë
Në Gostivar dhe Dibër, për ku mbrëmë kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, shpalli fitore, megjithatë do të ketë edhe një rreth për zgjedhjen e kryetarëve të dy komunave, kështu tregojnë të dhënat e KSHZ-së të cilat janë publikuar në ueb-faqen e tyre për rezultate, njofton Portalb.mk.
Kandidatët e ASH-AA nuk kanë fituar shumicë të votave dhe nëse nuk ndryshohet në procesin ankimues do të ketë rivotim.
Në Gostivar, sipas rezultateve të KSHZ-së, kanë votuar 31.524 qytetarë dhe prej këtyre votave Taravari ka marrë 15.724 vota, gjegjësisht 49.88%.
2.534 më pak ka kandidati i BDI-së, Nevzat Bejta. Për të anë votuar 13.190 votues ose 41.84%.
Kandidati i Besës, Fadil Zendeli është votuar me 909 vota, ndërkaq Renata Elezi nga PDSH me 333 vota. Në këtë komunë ka pasur 1.368 fletëvotime të pavlefshme.
Nga ana tjetër, edhe në Dibër janë numëruar të gjitha votat dhe kandidati për kryetar i ASH-AA, Bekim Pocesta, ka fituar 3.998 vota ose 49.69%. Kryetari aktual i Komunës, Hekuran Duka, ka 285 vota më pak ose 3.713 që është 46.15%. Kandidat i tretë është Petrit Klenja i PDSH-së me vetëm 37 vota. Numri i votave të pavlefshme në këtë komunë është 298.
Gjithashtu, edhe në Vrapçisht do të ketë rreth të dytë. Kryetari aktual i komunës, i cili vjen nga radhët e ASH-AA, Isen Shabani, është në epërsi ndaj kandidatit të BDI-së Nebi Rexhepi.
Gjegjësisht, Shabani ka fituar 41.38% apo 3.946 vota, ndërkaq Rexhepi ka fituar 34.58% apo 3.298 vota. Opozita ka fituar në rrethin e parë me epërsi prej 648 vota.