UEFA nuk i hap rrugë projektit të FIFA-s
FIFA dhe UEFA janë në luftë të hapur sa i përket propozimit për të organizuar Kampionatin Botëror çdo dy vite, me qeverinë europiane të futbollit që ka dalë tërësisht kundër dhe po nxit federatat pjesëmarrëse në të që të bëjnë të njëjtën gjë, raporton SS.
Së fundi UEFA ka reaguar edhe me një deklaratë zyrtare, ku shprehet se nuk do të ndalet së kundërshtuari idenë e FIFA-s, deri në momentin që kjo e fundit të heqë dorë nga reklamimi i Botërorit çdo dy vite dhe të mbizotërojë sërish mirëkuptimi mes palëve.
“Propozimet dëmtojnë çdo futbollin dhe zhvlerësojnë kompeticionin. FIFA duket se kërkon ta arrijë këtë gjë me nxitim, që më pas të mos ketë vlerë as pendimi. Ne nuk do të ndalemi së kundërshtuari këtë ide deri në momentin që të mbizotërojë mirëkuptimi dhe FIFA të heqë dorë nga projekti i saj, që nuk i shërben aspak futbollit”, tha ndër të tjera UEFA në deklaratë.
Ideja e një Botërori çdo dy vite është hedhur nga Arsene Wenger, i punësuar nga FIFA për të sjellë risi në botën e futbollit dhe po mbështetet shumë edhe nga kreu i qeverisë botërore të futbollit, Gianni Infantino.