Është dezinformatë se vaksinat përmbajnë inde të foshnjave të vrara
Vaksinat kundër Kovid-19 nuk përmbajnë qeliza nga fetusë të abortuar. Megjithatë, për të prodhuar disa nga vaksinat kundër Kovid-19, gjatë testimeve dhe hulumtimeve janë përdorur linja qelizore fetale. Linjat e qelizave fetale nuk janë të njëjta me indet e fetusit. Ato ndonjëherë përdoren gjatë zhvillimit, testimit ose prodhimit të vaksinave përfshirë këtu edhe vaksinat kundër Kovid-19. Edhe pse për prodhimin e vaksinës janë përdorur linja qelizore fetale, të replikuara në laborator gjatë procesit të prodhimit, vetë vaksina nuk përmban inde të fetusëve, raporton Vërtetmatësi.
Në rrjetet sociale po shpërndahet një postim në të cilin në mënyrë senzacionale pretendohet se për prodhimin e vaksinave kundër Kovid-19 është dashur që të vriten foshnja. Kjo nuk është aspak e vërtetë, por krejtësisht manipulative dhe senzacionaliste.
Vaksina e cila ka për qëllim ta shpëtojë njerëzimin është e ndërtuar nga vdekja. Foshnja, të vogla, të pafajshme janë vrarë në një mënyrë cinike për t’i shpëtuar Të mëdhenjtë.
Njeriu bashkëkohor është i gatshëm të shkelë mbi kufoma që ta shpëtojë trupin e tij nga krimbat. Madje të shkelë edhe mbi kufoma foshnjash.
Jo, vaksinat kundër Kovid-19 nuk përmbajnë qeliza të fetusëve të abortuar. Megjithatë, për të prodhuar disa nga vaksinat kundër Kovid-19, gjatë testimeve dhe hulumtimeve janë përdorur linja qelizore fetale.
Linjat e qelizave fetale nuk janë të njëjta me indet e fetusit. Ato ndonjëherë përdoren gjatë zhvillimit, testimit ose prodhimit të vaksinave përfshirë këtu edhe vaksinat kundër Kovid-19.
Edhe pse për prodhimin e vaksinës janë përdorur linja qelizore fetale, të replikuara në laborator gjatë procesit të prodhimit, vetë vaksina nuk përmban inde të fetusëve.
Këto qeliza nuk janë nga aborte të kohëve të fundit por rrjedhin nga qelizat fetale nga fetuset e abortuar disa dekada më parë. Linjat qelizore të fetusit janë qeliza të rritura në një laborator. Qelizat individuale nga vitet 1970 ose 1980, që nga ajo kohë janë shumëzuar në shumë qeliza të reja, duke krijuar linja qelizore të fetusit. Këto linja qelizore fetale janë mijëra breza larg qelizave origjinale të fetusit dhe ato nuk përmbajnë ndonjë ind fetal.
Përdorimi i qelizave fetale për testimin e efikasitetit dhe sigurisë së barnave është një praktikë e zakonshme, sepse sigurojnë një standard konzistent dhe të dokumentuar.
Këto qeliza përdoren për të zhvilluar vaksina për sëmundje si lija, hepatiti A, herpesi dhe rubeola, si dhe për barna për sëmundje si fibroza cistike, hemofilia dhe artriti reumatoid.
Prodhuesit e vaksinave këto linja qelizore mund t’i përdorin gjatë fazës së hulumtimit, zhvillimit dhe prodhimit të vaksinave.
Linjat e tilla qelizore janë përdorur gjatë hulumtimeve për zhvillimin e vaksinave kundër Kovid-19 të Pfizer dhe Moderna dhe Johnson&Johnson.
Kur bëhet fjalë për vaksinat Pfizer dhe Moderna linjat fetale të qelizës HEK293 janë përdorur në fazën e hulumtimit dhe zhvillimit. Të gjitha HEK293 qelizat rrjedhin nga indi i vitit 1973 i marrë nga një abortim i zgjedhur në Hollandë.
Për ta krijuar vaksinën, Johnson & Johnson qelizat fetale janë përdorur në fazat e zhvillimit të vaksinës. Për ta prodhuar vaksinën Johnson & Johnson shkencëtarët i kanë infektuar PER.C6 linjat fetale të qelizës pët ta zmadhuar vektorin e adenovirusit. Të gjitha PER C6 qelizat që janë shfrytëzuar për të krijuar Johnson & Johnson vaksinën rrjedhin nga një ind i marrë në vitin 1985 nga një abort i zgjedhur në Hollandë. Ata shfrytëzojnë këtë linjë qelizore për shkak se është një standard i mirë studiuar për krijimin e vaksinave virale vektoriale.
Për çfarë përdoren këto vaksina?
Linjat qelizore fetale përdoren sepse viruset rriten më mirë në qeliza humane se sa në ato të kafshëve. Ato nuk ndahen njësoj si qelizat e tjera, prandaj mund të përdoren më gjatë.
Аndrea Gamboto, shkencëtar për vaksinat nga Fakulteti i mjekësisë pranë Univerzitetit në Pitsburg dhe kryesues në zhvillimin e vaksinave thotë se prejardhja humane e qelizave nuk ka asapak rëndësi sepse „qelizat e kafshëve mund të prodhojnë proteina të njëjta, por ato do të përmbanin molekula ndryshe të sheqerave që, kur bëhet fjalë për vaksinat, paraqesin rrezik nga paraqitja e një reaksioni imunologjik“.
Përdorimi i këtyre linjave qelizore është diçka kontaverse për udhëheqësit fetarë dhe grupet të cilat janë kundër abortit. Por, në fund të muajit dhjetor të vitit 2020, nga Vatikani kumtuan se në mungesë të vaksinave të prodhuara nga burime të tjera, moralisht është e pranueshme që të pranohen vaksinat kundër Kovid-19 që janë zhvilluar me përdorimin e linjave qelizore të fetusëve të abortuar.
Postimet e këtilla janë pjesë e fushatës antivaksere që ka për qëllim t’i bindë njerëzit të mos vaksinohen. Për këtë qëllim përdoren pretendime gjysmake e të pa shpjeguara deri në fund, siç është edhe ky postim që përmban fraza emotive si „foshnja të pafajshme“ dhe „kufoma të fëmijëve“ që dezinformatat të prekin tek një numër më i madh i publikut sa më shpejt dhe sa më lehtë.