RMV, 77% e rasteve dhe 79% e të hospitalizuarve nga kovid-19 janë të pavaksinuar

Ministria e Shëndetësisë publikoi analizën e të vaksinuarve, nga rastet pozitive me kovid -19, në periudhën nga 6 gushti deri më 30 shtator. Në këtë analizë rezulton se 77% e rasteve dhe 79% e të hospitalizuarve me kovid-19 janë të pavaksinuar. Të vaksinuar konsiderohen personat që janë vaksinuar me dy doza dhe kanë kaluar të paktën 14 ditë nga marrja e dozës së dytë, përcjellë Portalb.mk.

“Në periudhën nga 06.08 deri më 30.09.2021 në territorin e vendit,  35.531 qytetarë të testuar kanë rezultuar pozitiv me kovid 19, prej tyre 23% ishin plotësisht të vaksinuar, gjegjësisht 8.233 persona. Është i lartë numri i qytetarëve të pavaksinuar, të cilët u infektuan me kovid 19. Sipas statistikave të javëve të kaluara, 27.298 qytetarë, përkatësisht 77%  nga rastet pozitive me kovid 19 nuk ishin të vaksinuar. Përqindja e personave të hospitalizuar që janë të pavaksinuar është 79%, kurse vetëm 21% e të gjithë pacientëve të hospitalizuar aktualisht janë plotësisht të vaksinuar”, thuhet në njoftimin e MInistrisë së Shëndetësisë.

Vdekshmëria tek të pavaksinuarit, tregon më tej analiza, është drastikisht më e lartë.

“Në periudhën nga 6.08 deri më 30.09.2021 në territorin e vendit ndërruan jetë 1162 persona me kovid, 987 pacientë të vdekur nuk ishin të vaksinuar, kurse vetëm 15% kishin marrë vaksinë. Sipas analizës, të vdekurit kishin disa sëmundje kronike shoqëruese. Pacientët ishin vaksinuar me të gjitha llojet e vaksinave të cilat janë në dispozicion në vendin tonë, si dhe pacientët që janë vaksinuar jashtë vendit me vaksinat Moderna dhe Johnson”, thuhet në analizë.

Ministria e Shëndetësisë thekson rëndësinë e vaksinimit, dhe se çdo vaksinë që ka vendi ynë në dispozicion është e sigurt. Nga ky institucion u bëjnë thirrje qytetarëve që të vaksinohen, pasi vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë imunitet kolektiv dhe do të parandalojnë përhapjen e mutacioneve të SarsKov2.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button