Mitsotakis: Nuk e mbështesim Bullgarinë në bllokadën ndaj Maqedonisë së Veriut

Mesazh i qartë se Greqia nuk e mbështet Bullgarinë në bllokimin e perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut u dërgua nga kryeministri grek Kriakos Mitsotakis gjatë pjesëmarrjes së tij në “Forumin demokratik të Athinës”, duke theksuar se është “ndërlikim i panevojshëm”, raporton MIA nga Athina, transmeton Portalb.mk.

Gjatë diskutimit me Steven Erlanger, kryeredaktor i New York Times, Kryeministri grek foli për një numër temash aktuale në Greqi, përfshirë integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE.

“Jo. Nuk e mbështesim Bullgarinë. Konsiderojmë se është ndërlikim i panevojshëm”, tha kryeministri grek Kriakos Mitsotakis në pyetjen nëse Greqia është në anën e Bullgarisë në bllokimin e perspektivës së Maqedonisë së Veriut në BE.

Kryeministri grek iu referua Samitit të ardhshëm BE-Ballkan Perëndimor në Slloveni, duke theksuar se prej atje duhet të dërgohet mesazh i qartë se Ballkani Perëndimor i përket Evropës.

“Për disa ditë do të takohemi në Slloveni. Duhet t’i ofrojmë Ballkanit Perëndimor perspektivë të qartë evropiane. Duhet të flasim hapur për zgjerimin. Duhet të dërgojmë sinjal se për 10-15 vjet, aq sa është e nevojshme, por që Ballkani Perëndimor i përket Evropës”, tha Mitsotakis, duke shtuar se çdo vakum që do të krijohej do të pushtohej nga lojtarë të tjerë.

Paralelisht, edhe njëherë ai përsëriti qëndrimin e tij për Marrëveshjen e Prespës, se nuk votoi “për”, pasi, siç shpjegoi ai, ka aspekte që nuk i pëlqen. Por, kujtoi edhe se nëse marrëveshja ratifikohet në Parlament, atëherë ai do ta respektojë atë, pasi është detyrim ndërkombëtar për vendin.

Përndryshe, Bullgaria nga fundi i vitit 2019, bllokoi fillimin e negociatave midis Maqedonisë së Veriut dhe BE -së dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Të dy vendet nënshkruan Marrëveshje për Fqinjësi të Mirë në vitin 2017, por përfaqësuesit e të dy vendeve kanë fajësuar njëri -tjetrin për shkeljen e marrëveshjes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button