RMV, rinia përdoret vetëm për muhabete fushatash, nuk janë prioritet i partive

Ndonëse partitë politike thonë se rinia është prioriteti i tyre dhe vazhdimisht bëjnë thirrje që të rinjtë të bashkohen në politikë dhe vendimmarrje si dhe promovojnë të njëjtën, praktika në shumicën e rasteve tregon të kundërtën. Rast konkret janë zgjedhjet lokale ku kandidatët për kryetarë komunash që janë nga grup mosha nga 18 deri 29 vjeç janë të përfaqësuar me 2.9 përqind, gjegjësisht nga gjithsej 301 kandidatë vetëm 9 janë të kësaj grup moshe.  Situata është e ngjajshme edhe në listat e kandidatëve për këshilltarë komunal, të rinjtë në të shumtën e rasteve janë të rradhitur në fund të listave, shkruan Portalb.mk.

Për këtë Portalb.mk bisedoi me tre të rinj, të cilët dhanë mendimin e tyre për këtë fenomen dhe pasojat të cilat ky përfaqësim i ulët në vendimmarrje dhe në jetën publike i bart te të rinjtë.

Vlora Reçica, hulumtuese në Institutin për Demokraci "Societas Civilis"
Vlora Reçica, hulumtuese në Institutin për Demokraci “Societas Civilis”

Vlora Reçica, hulumtuese në Institutin për Demokraci “Societas Civilis” tha se momentalisht në Maqedoninë e Veriut kemi problem serioz me përfaqësimin politik te grupeve te ndryshme, duke përfshirë këtu të rinjtë, duke pasur parasysh edhe diskriminim e dyfishtë të grave.

“Problemi kryesor fillon me atë se shumicën e rasteve të rinjte, si pjese e forumeve rinore te partive politike, shpesh japin mundin me të madh për partinë gjatë zgjedhjeve politike, në të njëjtën kohë kanë shumë pak fuqi ne proceset vendim-marrëse, të vet partisë, e që pastaj reflektohet edhe ne institucionet shtetërore.” tha Vlora Reçica.

Blendi Hodai, aktivist-student
Blendi Hodai, aktivist-student

Blendi Hodai, aktivist i shoqërisë civile dhe student tha se përfaqësimi i ulet i të rinjve në listat e kandidatëve për kryetarë komunash, jashtëzakonisht ndikon në formimin e bindjes te të rinjtë për shkak se krijon apati te to, për mundësinë potenciale që në të ardhmen të përfshihen në veprimtarinë politike. Sipas tij duke vepruar kështu të rinjve ua humbin vetëbesimin për të zhvilluar karrierë politike e publike, dhe të jenë pjesë ne institucionet e vendimmarrëse.

Luka Paviqeviq, kryetar i Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme
Luka Paviqeviq, kryetar i Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme

Luka Paviqeviq, kryetar i Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme tha se në këto zgjedhje lokale, partitë kanë treguar edhe një herë se sa i vlerësojnë të rinjtë. Sipas tij edhe pse shohim një rritje të përmendjes së çështjeve të të rinjve në programet dhe fjalimet politike, vetë statistikat e ekspozojnë këtë retorikë boshe. Ai shoi se jo vetëm që përfaqësimi skandaloz i ulët i të rinjve në listat për kryetarë komunash ndikon keq në bindjen politike dhe përfshirjen e të rinjve si një grup më i gjerë shoqëror, ky (mos) përfaqësim prek më së shumti të rinjtë që tashmë janë anëtarë të partive politike.

“Çdo parti ka të rinjtë e saj të partisë. Unë mendoj se anëtarët e atyre të rinjve duhet të pyesin veten – ku janë ata të rinj? Pse nuk promovohen në kandidatë? A është puna e tyre e vetme të vendosin postera apo ata janë politikanë të rinj që sapo fillojnë karrierën e tyre?” tha Luka Paviqeviq.

Pa rini nuk ka demokraci

“Demokracia pa të rinjtë nuk ekziston. Postulati themelor i demokracisë është që të gjithë qytetarët duhet të përfshihen në mënyrë të barabartë. Sa i përket të rinjve, kjo nuk është duke ndodhur për momentin. Vetëqeverisjet lokale kryesisht punojnë në çështjet që prekin drejtpërdrejt qytetarët dhe përfaqësojnë një popullsi më të vogël, supozohet se ato do të jenë më të hapura për bashkëpunim me qytetarët. A mund të përfshihen të rinjtë më shumë nëse jo të gjithë përfaqësuesit e bashkisë i përkasin grupit të tyre?” tha Luka Paviqeviq.

Vlora Reçica si shembull përmendi Ligjin për të rinjtë të miratuar në vitin 2020, ne bazë të të cilit çdo komune duhet te ketë këshill rinor. Sipas saj, kjo nuk është realizuar nga gjitha komunat, duke shtuar rëndësinë e përfshirjes së të rinjve ne proceset politike.

“Në vendet ku ka përfaqësim të ulët të rinisë në postet vendimmarrëse – ke rini të demotivuar që duan të largohen nga vendi, ke ligje që nuk i përmbushin nevojat e të rinjve ose ato që janë nuk implementohet nga organet kompetente dhe ke sistem hibrid politik ku çdo zë i arsyes i të rinjve shkelet që në fillim.” tha Blendi Hodai.

Të rinjtë “Prioritet” në fjalët e partive politike ndërsa të fundit në vepra

Vlora Reçica tha se fatkeqësisht, shpesh mosha e re barazohet me eksperiencë dhe njohuri te ulet, që në një mënyre mund te klasifikohet si diskriminim ndaj te rinjve, pasi pa marrë parasysh eksperiencën, nevojat e tyre duhet te adresohen.

“Është tejet e nevojshme që mendimet dhe propozimet e te rinjve te përfshihen ne programet e partive politike dhe ne listat e tyre te ketë një përqindje të të  rinjve. Ne ketë mënyrë politikat qe krijohen, në këtë rast, ne komunat lokale, do ta kenë edhe vizionin e te rinjve, pasi që nevojat e tyre shtrihen nga ambiente për rekreacion deri te qendra kulturore ku ata do mund te zhvillojnë potencialet dhe interesat e tyre.” tha Vlora Reçica.

“Fushatat zgjedhore janë pasqyrë të asaj se të rinjtë janë vetëm makineri propaganduese për grumbullim te votave dhe jo për pozita vendimmarrëse. Thirrja në emër të rinisë, nga individë gati në pension, është një hiç më shumë se populizëm i rrejshëm për grumbullimin e votave pasi që i shohim të rinjtë si potencial për të arritur qëllimet e tyre. Pse ndodh? Për dy arsye: mos interesimi i të rinjve dhe për shkak të “kompleksit së pushtetit” të pushtetarëve që frikohen të japin mundësinë të rinjve sepse me gjasë i humbin pozitat e tyre.” tha Blendi Hodai.

Luka Paviqeviq tha se retorikat e partive janë vetëm fraza të pakuptimta, pasi edhe pse ato flasin për të rinjtë, ata nuk u besojnë atyre.

“Jo vetëm të rinjve në përgjithësi, por ata nuk u besojnë anëtarëve të partisë së tyre. Nëse kanë, pse të mos emërojnë të rinjtë në radhët e tyre si kandidatë partie? Të rinjtë e partisë do të duhet të bëhen të pavarur dhe të forcojnë zërin e tyre si brenda partisë ashtu edhe jashtë në publik. Duhet të jetë e qartë për drejtuesit e partive se nëse partitë nuk janë të hapura për to, atëherë të rinjtë do të gjejnë mënyra të tjera për të qenë politikisht aktiv, përmes grupeve joformale, aktivizmit, nismave, lëvizjeve dhe të ngjashme.” tha Luka Paviqeviq.

Ndryshe, Kryetari i kuvendit, Talat Xhaferi shpalli zgjedhjet lokale më 7 gusht për t’u mbajtur me 17 tetor. Fushata parazgjedore vijon dhe duhet të përfundojë më 15 tetor, kur fillon edhe heshtja zgjedhore në mesnatë, ndërsa rrethi i dytë për kandidatët për kryetarë komunash do të zhvillohet më 31 tetor, konkretisht në komunat ku nuk do të ketë fitues pas raundit të parë të votimit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button