Interesi për vaksinim po bie, në tre ditë doza e parë u morën nga mbi 3 mijë njerëz

Mbi 3,000 qytetarë kanë marrë dozën e parë të vaksinës Covid-19 në tre ditët e fundit, sipas raporteve ditore nga Ministria e Shëndetësisë, transmeton SDK.

Të mërkurën, më 22 shtator, 1,624 qytetarë morën dozën e parë të vaksinës, dhe gjithsej 7,518 qytetarë u vaksinuan. Nuk ka të dhëna për të enjten-23 shtator, ndërsa të premten me 24 shtator, 1,717 qytetarë morën dozën e parë të vaksinës, dhe gjithsej 6,897 qytetarë u vaksinuan.

Për krahasim më 23 gushtin, 13,108 qytetarë morën dozën e parë të vaksinës. Që nga 16 gushti, zbatohet kufizimi për të pasur certifikatë vaksinimi për të hyrë në qendrat tregtare, bare, kafene, ngjarje kulturore dhe sportive.

“Megjithëse interesi është zvogëluar, ekziston një numër ditor prej 1,500-2,000 qytetarësh në ditë që paraqiten për dozën e parë të vaksinës. Sinqerisht besoj se interesi nuk do të ulet, por me të gjitha thirrjet tona ai do të vazhdojë të rritet, në mënyrë që të arrihet një imunitet kolektiv në një kohë më të shkurtër.” tha ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe në një konferencë për shtyp më 23 shtator. Në një intervistë televizive ditët e fundit, ai njoftoi se nga mesi i tetorit do të ketë masë që do të lejojë funksionimin e qytetarëve plotësisht të vaksinuar.

Në pikat e vaksinimit në vend dhe në terren, që nga 24 shtatori, u vaksinuan gjithsej 781,623 qytetarë. Një total prej 1,495,762 doza vaksinash u aplikuan në vend, dhe 714,135 qytetarë u rivaksinuan.

Sipas shifrave të fundit, 55% e popullsisë mbi 40 vjeç kanë marrë të paktën një dozë vaksine dhe 31% e popullsisë mbi 18-39 vjeç janë vaksinuar me të paktën një dozë vaksine.

Vaksinimi në vend bëhet me vaksinat e “Pfizer”, “Sinovak” dhe “AstraZeneka”. Ende nuk dihet se kur do të mbërrijnë vaksinat e porositura “Sputnik” ruse. Në shkurt, ministria nënshkroi një kontratë me prodhuesin rus për furnizimin e 200,000 dozave, por deri më tani vetëm 6,000 vaksina janë dorëzuar. Prej muajsh nuk ka dërgesë, asnjë njoftim se kur do të arrijnë sasi të reja dhe me çfarë dinamike do të bëhet dorëzimi.

Më 22 shtator, 110.612 vaksina kundër Covid-19 nga “Pfizer-Biontek” mbërritën në vend, të cilat u blenë përmes mekanizmit Kovaks, dhe deri në fund të vitit, është njoftuar shpërndarja e 100 mijë vaksinave të tjera nga ky prodhues.

Filipçe tha se për momentin ka rreth 250 mijë vaksina të “Pfizer”, 50 mijë të “Sinovak” dhe 100 mijë të “AstraZeneka”. Ministri njoftoi se këto ditë Danimarka pritet të shpallë dhurimin e 250 mijë vaksinave “Johnson”, e cila është e vetmja vaksinë që jeper vetëm një dozë.

Sipas të dhënave të fundit nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) në periudhën nga 6 deri më 23 shtator, në territorin e vendit 32,818 qytetarë rezulztuan pozitiv  me Covid-19, nga të cilët 22% ishin plotësisht të vaksinuar, pra 7,248 persona. Ekziston një numër i madh i qytetarëve të pavaksinuar që u infektuan me Covid-19.

Sipas statistikave për javët e kaluara, 25,570, 78% e qytetarëve, që ishin pozitiv me Covid-19 nuk ishin të vaksinuar.

Përqindja e personave të shtruar në spital që nuk janë të vaksinuar është 80%, ndërsa 20% e të gjithë pacientëve të shtruar aktualisht janë plotësisht të vaksinuar.

Analiza tregon se vdekshmëria tek të pavaksinuarit është në mënyrë drastike më e lartë. Në periudhën nga 6 deri më 23 shtator, 1,033 njerëz vdiqën me Covid-19, 888 nga pacientët e vdekur nuk ishin të vaksinuar, vetëm 14% kishin marrë vaksinën.

Komiteti Kombëtar i Imunizimit rekomandon një dozë të tretë të vaksinës Covid-19, për të gjithë qytetarët mbi 60 vjeç, për të gjithë punonjësit e kujdesit shëndetësor pavarësisht moshës, dhe për të gjithë qytetarët me probleme të imunokompromisit pavarësisht moshës. Doza e tretë do të jepet nga prodhuesi “Pfizer”, pavarësisht se me cilën vaksinë qytetarët ishin vaksinuar më parë. Rekomandimi vlen edhe për qytetarët që kanë pësuar Covid-19, që janë vaksinuar por bien në kategoritë e deklaruara.

Doza e tretë duhet të merret të paktën 6 muaj pas dozës së dytë. Qytetarët do të marrin mesazh përmes “Takimi im” se ata mund të paraqiten për vaksinë, dhe kjo do të fillonte të hënën.

Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut dje informoi se në 24 orët e fundit në vend janë regjistruar 392 raste të reja, 339 pacientë janë shëruar, ndërkaq 20 të tjerë kanë ndërruar jetë. Numri i përgjithshëm i të infektuarve që nga fillimi i pandemisë ka arritur në 189.551, të shëruarve 170.734, të vdekurve 6.577, ndërkaq momentalisht në vend ka 12.240 raste aktive.

Për informata më të detajuara për situatën me virusin korona, klikoni në këtë link: http://gdi.mk/corona/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button