Tensioni me Serbinë, pas sulmit të qendrave të regjistrimit, reaguan ashpër udhëheqësit e Kosovës
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, sot njoftoi se Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është djegur nga persona të dyshimtë. Ai gjithashtu njoftoi se është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan. Për këtë rast reaguan edhe krerët e shtetit, kryeministri Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani, si dhe liderët e partive politike nga PDK, LDK dhe AAK, shkruan Portalb.mk.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se hetimet preliminare tregojnë që djegia e ndërtesës së Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok nuk ishte aksidentale por e qëllimshme.
“Edhe në Zveçan kanë hedhur dy bomba dore, po ashtu në ndërtesën e qendrës së njëjtë për regjistrimin e automjeteve, por ato fatmirësisht nuk kanë eksploduar. Individë ose grupe të cilave sundimi i ligjit dhe rendi e siguria publike ua rrezikon aktivitetin kriminal po e sulmojnë shtetin tonë dhe po e cenojnë paqen. Qartazi ata po i nxit e mbështet Serbia, përkatësisht regjimi autokrat atje. Fatkeqësisht, para syve të bashkësisë ndërkombëtare, Serbia po përdorë qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar. Sulmet e këtilla zjarrvënëse dhe kriminelët që i bëjnë ato nuk do të tolerohen. Policia e Kosovës është institucion profesional që duhet respektuar nga të gjithë. U bëj thirrje qytetarëve, sidomos në veri të Ibrit, pavarësisht a janë serbë, shqiptarë, boshnjakë apo romë, që ta ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës.” tha Albin Kurti.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se sulmet e fundit ndaj institucioneve publike në veri të vendit nga strukturat kriminale dhe ilegale të mbështetura nga Serbia janë dëshmia kryesore për atë që po e thonë që moti se Serbia dhe regjimi hegjemonist i Vuqiqit janë burimi kryesor i destabilizimit në rajon, i cili po synon zhbërjen e arritjeve të aleatëve amerikanë dhe evropian në Kosovë e rajon.
“Bashkësia ndërkombëtare nuk duhet ta injorojë atë që shihet qartë – tendencën ruso-serbe që nëpërmjet destabilizimit të rajonit tonë, ta dëmtojë edhe vetë Bashkimin Evropian dhe NATO-në, si bashkim e sistem vlerash. Në Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnje dhe Hercegovinë po përdoret i njëjti model destabilizues, të cilin Rusia përdorë në shtetet baltike, Ukrainë, Moldavi dhe Gjeorgji. Ndaj, është koha që bashkësia ndërkombëtare, e para se gjithash shtetet anëtare të BE-së dhe NATO-s, ta shohin këtë rrezik e ta ndalojnë regjimin e Vuqiqit në realizimin e synimit të tij për krijimin e “botës serbe”, që i përket logjikës së viteve të 90-ta në Serbi.” tha Vjosa Osmani.
Osmani ka ndërprerë vizitën e saj në Nju Jork dhe është nisur për në Prishtinë për shkak të zhvillimeve në veri të vendit.
“Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës demanton raportimet se delegacioni përcjellës i Presidentes në Nju Jork ishte i madh. Presidentja ka udhëtuar për javën e nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme me vetëm 4 anëtarë të kabinetit të saj.” njoftuan nga Zyra e Presidentes.
Reaguan edhe krerët e partive më të mëdha të Kosovës
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi tha se sulmet ndaj institucioneve të tyre, siç ndodhën në 24 orët e fundit, shoqëruar me akrobacione ajrore të Serbisë përgjatë kufirit, nuk duhet lejuar që të jenë prelud i përkeqësimit të mëtejmë të situatës.
“Qeveria duhet të marrë masa për të siguruar jetën e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës si dhe të gjithë qytetarëve të asaj ane, pa dallim. Njëkohësisht, veprimet bllokuese dhe gjuha nxitëse e konfliktuoze e Serbisë ndaj shtetit dhe sovranitetit tonë, duhet të trajtohet seriozisht. I bëj thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe partnerëve tanë strategjik, që të reagojnë urgjentisht ndaj kësaj qasjeje, që përbën kërcenim të hapur ndaj sovranitetit tonë shtetëror dhe rendit tonë kushtetues. Shteti i Kosovës është produkt i vullnetit për liri. Rruga për jetësimin e shtetit ka qenë e gjatë dhe e mundimshme, rrjedhimisht e përhershme dhe e pakthyeshme. Përgjegjësia për të është përgjegjësi kombëtare e jo vetëm politike. Presim dhe jemi të gatshëm të mbështesim një qasje që reflekton përgjegjësi shtetërore për menaxhimin e situatës së krijuar.” tha Memli Krasniqi.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku tha se si LDK kanë shprehur gatishmërinë e plotë, për të ndihmuar në të gjitha kapacitetet që kanë Qeverinë e Kosovës.
“Gjendja e tensionuar në Veri kërkon unitet të plotë, prandaj propozoj që Kryeministri të mbledhë spektrin politik në vend, të ftojë partitë parlamentare në takim – pozitë e opozitë pa dallim, në mënyrë që të shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet tona, vendore e të jashtme, për të mbrojtur interesat tona shtetërore sot. Po ashtu, i bëj thirrje, komunitetit ndërkombëtar, aleatëve tanë, që të bëjnë gjithë ç’është e mundur, për të shmangur kërcënimet e Serbisë dhe tensionet në veri të vendit.” tha Lumir Abdixhiku.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj tha se pavarësisht se si janë zhvilluar gjërat, se si është marrë vendimi për targat, ajo që po ndodh në veri të vendit është e papranueshme.
“E mbështes fuqishëm Policinë e Kosovës dhe institucionet e vendit të cilat janë vënë në mbrojtje të rendit dhe të ligjit. Provokimet e serbëve në veri janë të projektuara në Beograd dhe në Moskë, e Prishtina, duke mos rënë pre e këtyre provokimeve, duhet të jetë e vendosur në mbrojtje të qenësisë së saj. Njëkohësisht kërkoj nga Brukseli që të ndërhyjë te Beogradi zyrtar dhe të kërkojë prej tij që të mos e provokojë situatën në veri por t’i zbatojë marrëveshjet e nënshkruara.” tha Ramush Haradinaj.
Kryeministri Kurti, ka ftuar mbledhjen e Këshillit të Sigurisë për shkak të kësaj situate në veri të Kosovës.
Reagoi edhe Misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë
“Misioni i OSBE-së në Kosovë dënon incidentet që ndodhën sot në Zubin Potok dhe Zveçan. Ne bëjmë thirrje për de-përshkallëzim dhe përmbajtje si dhe kërkojmë një kthim në dialog në interes të të gjitha komuniteteve.” thanë nga misioni i OSBE-së.
Djegia e Qendrës për Regjistrimin e Automjeteve ndodhi në kohën kur qytetarët serb në shenjë proteste kanë bllokuar rrugët e vendkalimeve kufitare në veri të Kosovës. Sepse nga e hëna, makinat me targa të Serbisë duhet të pajisen me targa të përkohshme me të hyrë në Kosovë, njëjtë si veprohet me veturat e Kosovës kur hyjnë në Serbi.
Ky vendim ka tensionuar edhe më shumë marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Autoritetet e Kosovës kanë shprehur gatishmëri që të heqim këtë masë, me kusht që edhe Serbia të veprojë njëjtë. Por diçka e tillë nuk është pranuar nga ana e Serbisë.
Ndryshe, serbët në veri të Kosovës që gjashtë ditë janë duke i mbajtur të bllokuara dy pikat kufitare Jarinjë e Bërnjak, në shenjë proteste për zbatimin e reciprocitetit me targa nga ana e Kosovës. Të njëjtit kanë vendosur në rrugët e këtyre dy pikave kufitare kamionë dhe vetura , kështu duke pamundësuar lëvizjen e veturave të tjera, ku udhëtarët detyrohen ta kalojnë kufirin në këmbë.
- LEXO: Është djegur Qendra e Regjistrimit në Zubin Potok, është sulmuar ajo në Zveçan
- LEXO: Dita e gjashtë e reciprocitetit, pikat kufitare me Serbinë vazhdojnë të mbesin të bllokuara
- LEXO: Situata në veri, Escobar: Nuk ka nevojë të dërgohen forca speciale aty ku kemi KFOR-in
- LEXO: Ministria e Mbrojtjes përgënjeshtroi informacionet se FSK-ja do të ndërhyjë në veri
- LEXO: Dita e pestë e bllokadës në Veri të Kosovës
- LEXO: Borrell: Të ulen menjëherë tensionet në veri të Kosovës
- LEXO: Reagoi Tirana për situatën mes Kosovës dhe Serbisë
- LEXO: Gërvalla: Tensioni i shkaktuar duhet të shihet si veprim i njëanshëm i Serbisë
- LEXO: Kosova vendosi reciprocitet për targat me Serbinë