Maqedonia e Veriut dhe Kosova nënshkruan sot 11 marrëveshje bashkëpunimi

Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe ajo e Kosovës sot, në kuadër të seancës së përbashkët qeveritare,  nënshkruan 11 marrëveshje bashkëpunimi në fusha të ndryshme, sikurse diaspora, turizmi, energjia, ekonomia, bujqësia, ndërmarrësia dhe inovacioni, SOFA për forcat e armatosura, kontrolli i transportit hekurudhor, lidhja e Brezovicës me Kodrën e Diellit, rehabilitimi i kampon zonës kufitare në Han të Elezit, bashkëpunimi ndërkufitar etj, shkruan Portalb.mk.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se, vullneti i përbashkët që treguan në këtë mbledhje për ta është garancion që ajo që nënshkruhet në letër edhe zbatohet në realitet.

Seanca e përbashkët Maqedoni – Kosovë

“Ndër to është edhe memorandumi i bashkëpunimit sipas të cilit do të formohet një komision i përbashkët, për rrugën Prizren – Tetovë, një aks tejet e rëndësishëm për Republikën e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Ky ishte zotim zgjedhor e synim programor i qeverisë sonë, që lidh edhe më ngushtë vendet tona, ekonomitë tona dhe qytetarët tanë”, deklaroi Kurti.

Kurti tha se përveç bashkëpunimit ekonomik, të dy vendet duhet të jenë bashkë edhe në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ndërkohë, kryeministri Zaev tha se, për Maqedoninë e Veriut, Kosova është një ndër partnerët më të rëndësishëm tregtar, ku shkëmbimi tregtar zhvillohet në mënyrë të lira, pa dogana, në pajtueshmëri me marrëveshjen e CEFTA-s dhe Marrëveshjen për bashkëpunim ekonomik.

“Në këtë këmbim realizojmë suficit të konsiderueshme në favor tonin, me atë që Kosova është një ndër partnerët kryesorë eksportues për ekonominë tonë. Këmbimi i përgjithshëm tregtar në vitin 2020 përbën 305,7 milionë dollarë, ndërsa vetëm në kuartalin e parë këtë vit, këmbimi tregtar është 130,2 milionë dollarë dhe presim që këtë vit të tejkalojmë 400 milionë dollarë këmbim të përgjithshëm tregtar mes dy vendeve”, deklaroi Zaev.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe ajo e Kosovës sot për herë të parë, kanë zhvilluar seancë të përbashkët qeveritare. Para seancës, dy kryeministrat kanë pasur takim tet – a –tet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button