Teuta Arifi: Hulumtimet në vendngjarje kanë përfunduar, është duke u bërë përmbledhje e dokumentacionit e të dhënave (VIDEO)

Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi sot pas takimit me stafin mjekësor të Spitalit të Tetovës, njoftoi se hulumtimet në vend-ngjarje kanë përfunduar, është duke u bërë përmbledhje e dokumentacionit e të dhënave që kërkohet zyrtarisht nga institucionet si dhe është duke u bërë mbledhja e dëshmive, e dëshmitarëve dhe sistemimi i tyre,  shkruan Portalb.mk.

“Hulumtimet në vendngjarje kanë përfunduar, është duke u bërë përmbledhje e dokumentacionit e të dhënave që kërkohet zyrtarisht nga institucionet si dhe është duke u bërë mbledhja e dëshmive, e dëshmitarëve dhe sistemimi i tyre. Në të njëjtën kohë në punë është edhe ekipi gjerman i ekspertëve të cilët janë të specializuar për rikonstruim të ngjarjes, në këtë moment në këtë nivel është faza e hulumtimi. Ata kanë arritur në vendin tonë, duke pasur parasysh mënyrën e punës, janë angazhuar që të ndihmojnë në këtë proces.” tha Teuta Arifi.

Arifi tha se nuk ka paralajmërim për prokuror ndërkombëtar tani për tani.

“Ishte oferta të cilën shteti i Maqedonisë së Veriut e morri nga NATO dhe nga disa shtete mike përfshirë edhe Gjermaninë, me qëllim që të ndihmohet procesi i investigimit.” tha Arifi.

“Në bashkëpunim me Brigadën tonë kundër zjarrit dhe në bazë të ligjeve dhe obligimeve ligjore që kemi, të gjitha institucionet jo vetëm që janë të pajisura po më mënyrë të rregullt kontrollohen nga ana brigadës kundër zjarrit, e gjithë aparatura që duhet përdorur në raste kundër zjarrit. Kemi edhe një program tjetër për edukim për evakuim të institucioneve me shumë prani gjatë orëve të punës, për mbrojtje jo vetëm nga zjarri por edhe nga çdo katastrofë eventuale tjetër natyrore që mund të ketë pasoja të ngjashme sikur kjo.” tha Arifi.

Në pyetjen e Portalb.mk se nëse qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Arifit vetëm për arsye morale dhe pse komuna nuk ka pasur përgjegjësi institucionale mbi spitalin modular, Arifi u përgjigj kështu:

“Përgjegjësia është një çështje e cila lidhet me institucionin, kryetari i komunës ka obligim që të jetë afër qytetarit dhe unë atë afërsi me qytetarin e kam mbajtur gjithmonë. Në qoftë se ju institucionalisht nuk keni pasur të bëni me një çështje e cila ka çuar deri te një tragjedi, atëherë besoj se të gjithë pajtohemi edhe në aspektin njerëzor dhe shpirtëror jeni në rregull. Po të ishte ndryshe, nuk do të prisja që të ma bënit këtë pyetje.”

Kujtojmë se të mërkurën rreth orës 21 qendra-kovid në Tetovë u kaplua nga zjarri, ku jetën e humbën 14 persona.  Si pasojë e kësaj ngjarje, ministri Filipçe dhe zëvendësi Hasani dhanë dorëheqje nga funksionet e tyre, së bashku me dy drejtorët e Spitalit të Tetovës, Artan Etemin dhe Florin Besimi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button