Çfarë dihet dhe çfarë nuk dihet për zjarrin në Tetovë
Maqedonia e Veriut vazhdon të jetë në zi nga ngjarja tragjike e zjarrit në Spitalin Modular për Kovid në Tetovë, ku humbën jetën 14 persona dhe 12 të tjerë u lënduan. Autoritetet shtetërore po i vazhdojnë hetimet për rastin në fjalë edhe pse për shumë pyetje kanë mbetur pa përgjigje. Trupat e viktimave janë identifikuar dhe në mesin e tyre ka edhe familjarë të pacientëve që kanë qenë brenda dhomave të spitalit modular, pavarësisht se familjarët nuk lejohen askund që të futen në dhomat e pacientëve të infektuar, njofton Portalb.mk.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe gjatë konferencës së djeshme për shtyp, pas leximit të fjalimit, u përball me një sërë pyetjesh nga gazetarët. Ai në shumë pyetje u përgjigj me arsyetimin se e “pret hetimin”, ashtu sikur edhe për pyetjen se a do të japë dorëheqje për arsye morale nga pozita e ministrit.
5 prokurorët e angazhuar sot dhanë raportin e punës së tyre, por edhe pa ende s’ka përgjigje për atë që të gjithë po pyesim “si ndodhi?”. I gjithë kreu shtetëror, ashtu sikur edhe qytetarët ju kanë bërë thirrje organeve hetuese që sa më shpejtë të zbardhen arsyet e kësaj ngjarje të trishtueshme.
Çfarë dihet:
- Në ora 09:02 minuta ka shpërthyer zjarri në objektin e spitalit dhe sipas dëshmitarëve të rastit, për më pak se 5 minuta është djegur më shumë se gjysma e objektit, ndërkaq tërë objekti për rreth 20 minuta.
- 14 persona kanë humbur jetën, 12 të tjerë janë lënduar.
- Viktimat janë 8 gra dhe 6 burra në moshë prej 29 deri 78-vjeç.
- Nga viktimat dy kanë qenë familjarë: bashkëshortja e një pacienti dhe vajza e një pacientes.
- Brenda spitalit modular për kovid ka pasur familjarë të pacientëve, pavarësisht se kjo është e ndaluar.
Nuk dihet:
- A ka pasur zjarrvënie të qëllimshme?
- Si mund një objekt të digjet me shpejtësi aq të madhe?
- A ka ndikuar faktori njeri për të shpërthyer zjarri?
- A është shkaktuar zjarri nga defibrilatori me të cilin mjekët kanë tentuar që ta reanimojnë një paciente?
- A është shkaktuar nga priza?
- A ka pasur aparate kundër zjarrit, nëse po, pse nuk kanë mundur pacientët t’i gjejnë?
- A ka funksionuar sistemi për fikje të zjarrit? Kur është kontrolluar së fundmi se a funksionon?
- A është ndërtuar objekti modular sipas standardeve, me material mbrojtës nga zjarri?
- Kush e ka bërë raportin për specifikat teknike dhe pranimin teknik për këtë objekt?
- Pse këto dokumente duhet të mbahen të fshehura dhe t’i ketë vetëm Prokuroria?
- A kanë lidhje me zjarrin problemet teknike që drejtori ekonomik i përmendi para hapjes së spitalit?
- A ka lidhje zjarri në spitalin modular me incidentin paraprak të prerjes së gypit të oksigjenit?
- Pse janë lejuar familjarët të kujdesen për pacientët?
Nëpër rrjete sociale, por edhe media, natën e shpërthimit të zjarrit u përhapën spekulime të shumta për numrin e viktimave.