Marrëveshja lihet në vullnet të palëve

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, ka njoftuar qeveritë në Beograd dhe Prishtinë se nuk do t`i vizitojë të dy kryeqytetet këtë të mërkurë.

Vizita që ka qenë e planifikuar muaj më parë, e në të cilën baronesha do të prezantonte raportin e saj për shtetet anëtare të BE-së për progresin në dialog, është anuluar pikërisht për shkak të dështimit të dialogut.

Burime brenda Qeverisë së Kosovës i kanë thënë gazetës “Tribuna” se baronesha në kontaktet që ka pasur me Beogradin, ua ka lënë atyre të hapur mundësinë që deri në fund të kësaj jave, nëse kanë vullnet për pranimin e marrëveshjes, të paraqiten në Bruksel dhe palët të zhvillojnë një takim solemn.

Në të gjitha rrethanat tjera, sipas të njëjtave burime, baronesha nuk është e gatshme që të bëjë edhe një përpjekje.

Ajo të martën do të shkruajë dhe do t`ua dorëzojë vendeve anëtare raportin për dialogun, por burime të afërta me draftin tashmë të përgatitur të këtij raporti kanë thënë se aty nuk definohet Serbia si shkaktar i drejtpërdrejtë i mungesës së një marrëveshjeje për veriun. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button