Fule: Maqedonia të ruajë dialogun politik, të mos lihen anash gazetarët

Komisioni Evropian e publikoi raportin për përparimin e Maqedonisë në plotësimin e reformave të nevojshme dhe progresin për çështjen e emrit, për aderimin e saj në Bashkimin Evropian.  

Komisioni Evropian e përshëndet vazhdimin e përpjekjeve për zbatimin e reformave edhe përkundër tensioneve politike që ndodhën kohë më parë dhe e thekson sfidën e vendit për udhëheqjen e impulsit për dialog politik, kështu që efektet e krizës politike të eliminohen plotësisht. 

Në përgjithësi, vazhdon zbatimi i reformave për aderim në BE dhe Maqedonia shënon përparim thuajse në të gjitha sferat. 

Marrëdhëniet me fqinjët mbeten të mira, ndërsa janë ndërmarrë hapa të mëtejshme në marrëdhëniet bilaterale me Bulgarinë dhe Greqinë. Negociatat formale për “çështjen  e emrit” njashtu kanë fituar një impuls të ri në periudhën e përgatitjes së raportit.

Raporti e thekson rëndësinë e zbatimit të marrëveshjes politike të 1 marsit kur dhe u tejkalua kriza politike dhe opozita nuk bojkotoi zgjedhjet lokale.

“Është arritur përparim gjatë këtyre gjashtë muajve. Sfida tani mbetet që të mirëmbahet ky impuls” shkruhet në raport.

“Për këtë qëllim, marrëveshja e 1 marsit duhet të implementohet plotësisht duke e përfshirë këtu dhe Komisionin anketues, Memorandumin mes-partiak për mirëkuptim dhe plotësim të qëllimit strategjik të vendit për anëtarësim në BE dhe duhet që negociatat me gazetarët të vazhdojnë për ligjin për media” tha sot Komisari për zgjerim Stefan Fule, gjatë prezantimit të raportit.

Në raport nuk shënohet asgjë konkrete në lidhje me Samitin e Qershorit dhe marrjen e datës së bisedimeve me Brukselin.

*****************************************************************************

Komisioni Evropian (KE) sot do të publikojë raportin e progresit për Maqedoninë, nga i cili do të varet data për nisjen e negociatave.

Nga raporti do ta kemi të qartë se a do të merr datë negociatash Maqedonia me Brukselin në Samitin e BE-së në qershor.

Raporti po publikohet në ditën kur në Shkup do të qëndrojë edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton. Analistët thonë se vizita e saj është një presion i pa rezultat për zgjidhjen e çështjes së emrit.

Raporti special që pritet të publikohet do të përmbajë vlerësimet për procesin e zgjidhjes së kontestit të emrit, vlerësimi për zgjedhjet lokale, reformat, marrëdhëniet dypalëshe fqinjësore me Bullgarinë, dialogun paraqasës të nivelit të lartë me BE si dhe çështje të tjera.

Evrokomisioneri për zgjerim, Stefan Fule sot do ta prezantojë raportin në Strasburg, ndërsa nga burime diplomatike mësohet se KE do të përsëris rekomandimin për anëtarësim të Maqedonisë në BE, por duke mos dhënë detaje të tjera.

Në raport do të nënvizohet progresi dhe regresi në planin e reformave, dialogut politik, zgjedhjeve, marrëdhënieve ndëretnike dhe fqinjësore si dhe integrimet evropiane. Parlamenti Evropian edhe përkundër paralajmërimeve akoma nuk ka votuar Rezolutën për Maqedoninë, lidhur me vlerësimin e procesit të evrointegrimeve dhe reformave.

KE sot njëkohësisht do të publikojë raportin e progresit edhe për Serbinë, ku do të vlerësohet progresi i saj në planin e reformave dhe integrimeve evropiane, ndërsa një ndër çështjet kyçe janë relacionet me Kosovën dhe dështimi i bisedimeve, për shkak të mosarritjes së marrëveshjes.  

Lajme të ngjashme

Back to top button