Të etur si kurrë më parë për kthimin e markës

Ai është një spektakël i cili u ka ardhur në majë të hundës gjermanëve: protestuesit europiano-jugorë duke djegur flamujt e tyre dhe duke ngritur banderola që krahasojnë kancelaren Angela Merkel me kryenazistin Adolf Hitler, e gjitha në reagim ndaj këmbënguljes së Berlinit për reforma dhe për masa të rrepta për kursime, në shkëmbim të ndihmave për shpëtim nga kriza.

Dhe, kjo ka mjaftuar që t’i bëjë njerëzit si biznesmeni berlinez Horst Freiberg, që kurrë nuk ka ndier shumë dashuri për valutën euro, të etur më shumë se kurrë për kthimin e markës gjermane.

“Unë do të votoja fill për një parti e cila dëshiron ta heqë euron”, ka thënë Freiberg, i cili drejton një kompani të vogël për shitjen e vulave, në pjesën qendrore të Berlinit, qe më shumë se 40 vjet. “Si mund të kesh të njëjtën valutë me republikat e bananeve, si Qiproja dhe Greqia? Dhe, ato gjithmonë na akuzojnë neve se gjoja jemi nazistë. Kjo është thjesht çmenduri”, është shprehur ai.

Ndjenjat e tilla përbëjnë ende përjashtim në Gjermani, ku një ndjesi e obligimit për të ndihmuar evropianët e tjerë në halle është e rrënjosur thellë në turpin për krimet e Rajhut të Tretë. Por, një parti e re politike shpreson të shfrytëzojë frikën e madhe se kriza e euros mund të thellohet dhe të dëmtojë ekonominë më të madhe të Evropës. Ajo synon të mbledhë mjaftueshëm vota nga njerëz si Freiberg në zgjedhjet e shtatorit, për të kaluar pragun prej 5 për qind për të hyrë në parlament.

E quajtur Alternativa për Gjermaninë, qëllimi kryesor i partisë së themeluar nga akademikë dhe ekonomistë është “zhbërja e kujdesshme” e euros, ka thënë Frauke Petry, pronare e një biznesi dhe zëdhënëse e partisë. Qëndrimi i partisë e vë atë në mospërputhje të madhe me pikëpamjen e Merkelit se nuk mund të ketë Evropë pa ruajtjen e valutës së përbashkët, me këmbënguljen e saj të përsëritur se “nëse euro dështon, do të dështojë edhe Evropa”.

Përderisa ende është një lëvizje axhami, partia e re anti-euro mund ta lëndojë Merkelin duke ia dobësuar mbështetjen partneres së saj kryesore të koalicionit, në të cilën ajo është mbështetur për një qeverisje të qëndrueshme.

“Për ne, euroja është burim i shumë problemeve”, është shprehur Petry. “Mënyra se si merren vendimet në Evropë sot na tregon se shumë mekanizma demokratikë nuk funksionojnë më”, ka thënë ajo. Alternativa për Gjermaninë dëshiron të organizojë referendume të stilit zviceran në mënyrë që votuesit të thonë fjalën e tyre për çështjet e rëndësishme, përfshirë pakot e ndihmave.

Mbi 7.000 njerëz kanë aplikuar për t’iu bashkuar partisë para se të niste kongresi i parë i saj në Berlin, të dielën. “Ka hapësirë për një parti anti-euro në Gjermani”, ka thënë Oskar Niedermayer, profesor i Shkencave politike në Universitetin e Lirë të Berlinit.

“Deri tani, kjo pozitë nuk është përfaqësuar në sistemin partiak gjerman”, ka shtuar ai. Një anketë e re ka treguar se ndonëse 69 për qind e gjermanëve tani mbështetin euron, 19 për qind më shumë se vitin e kaluar, një pakicë e rëndësishme prej 27 për qind kanë thënë se duan ta shohin kthimin e markës gjermane.

Lajme të ngjashme

Back to top button