Edhe 20 viktima nga COVID-19 në Kosovë

Të hënën (30 gusht) në Kosovë janë regjistruar edhe 20 viktima si pasojë e sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri. Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë në 24 orët paraprake janë regjistruar 932 raste të reja të të infektuarve me koronavirus, transmeton REL. 

Rastet e reja dalin pas testimit të 7.384 mostrave në laboratorët shtetërorë dhe privatë.

Nga numri i përgjithshëm i të testuarve, mbi 12 për qind kanë dalë pozitivë.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar edhe 962 qytetarë, ndërsa raste aktive aktualisht janë 26,525.

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) tha më 30 gusht se në spitalet dhe klinikat ku trajtohen pacientët me koronavirus janë të shtrirë 1.250 pacientë. Prej tyre 1.142 janë të konfirmuar me koronavirus.

Sipas raportit ditor, 60 pacientë janë në kujdes intensiv, ndërkaq 1.062 janë duke u trajtuar me oksigjeno-terapi.

Në klinikat e Qendrës Klinike Universitare janë të shtrirë 438 pacientë me COVID-19. Numri më i madh i tyre, përkatësisht 120 pacientë, po marrin trajtim në Klinikën Infektive.

Më herët Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar ka njoftuar se nga data 31 gusht pezullohet përkohësisht puna në ambulancat specialistike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Masa merret për shkak të rritjes së numrit të të hospitalizuarve me sëmundjen COVID-19.

“Hapësirat e ambulancave specialistike do të shërbejnë për spitalizim të pacientëve me COVID-19. Apelojmë tek qytetarët e Kosovës që në QKUK dhe në spitalet rajonale, të drejtohen vetëm për rastet urgjente”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.

Më 29 gusht kanë hyrë në fuqi masat e reja kundër pandemisë, të cilat sipas Qeverisë së Kosovës, kanë për qëllim frenimin e përhapjes së mëtejme të koronavirusit.

Të shtunën, më 28 gusht, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se kanë rritur kapacitetet spitalore deri në 1.600 shtretër pas rritjes së rasteve të reja me koronavirus.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button