Aleanca për Shqiptarët dhe AlternAtivA do të bashkëpunojnë me VMRO – DPMNE-në për zgjedhjet lokale

Kryetarët e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela dhe kryetari i Alternativës, Afrim Gashi u takuan sot me kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristjan Mickoski. Ata vendosën për bashkëpunim dhe mbështetje reciproke të kandidatëve për kryetarë komunash në zgjedhjet lokale të 17 tetorit 2021, njofton Portalb.mk.

“Tre kryetarët vunë në dukje se duke u nisur nga raporti i Transparency International, sipas të cilit Maqedonia renditet në vendin e 111-të, vend ky më i keqi deri tani, bashkëpunimi i opozitës është i pashmangshëm, në mënyrë që njësitë e vetëqeverisjes lokale të çlirohen nga qeverisja korruptive, nga harxhimi jotransparent i të hollave të qytetarëve dhe keqpërdorimi i pushtetit nga qeverisja LSDM-BDI në të gjitha nivelet e qeverisjes.” kumtojnë nga Aleanca-AAA.

Prandaj, siç thonë nga kjo parti, ata konstatuan se “është e nevojshme të bashkëpunohet në mënyrë që komunat të jenë institucione në shërbim të qytetarëve, me zhvillim lokal të fortë dhe të barabartë ekonomik, me mbështetje buxhetore për decentralizimin në fushat e arsimit, kulturës dhe sportit, si dhe me përpjekje më të mëdha për të qenë komuna të gjelbra të cilat do të sigurojnë ajër të pastër dhe do të mbrojnë mjedisin jetësor.”

Bashkëpunimi do të thotë që partitë e përmendura nuk do të kandidojnë për kryetar komune në komuna të caktuara dhe do të mbështesin njëra-tjetrën, ndërsa në komunat e tjera do të konkurrojnë me të gjitha partitë e tjera, kumtojnë nga Aleanca-AAA.

Mënyra dhe detajet e bashkëpunimit do të bien dakord nga degët komunale të tre palëve.

Ndryshe, zgjedhjet lokale në RMV do të mbahen më 17 tetor të këtij viti, kurse fushata parazgjedhore do të fillojnë 20 ditë para datës së zgjedhjeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button