Nuk jeni kuaj që të shëroheni me “ivermektin” kundër kovid-19, thotë Agjencia Amerikane e Barnave

“Ju nuk jeni kuaj. As lopë. “Seriozisht, të gjithë, ndaloni marrjen e “iverkemtinit” paralajmëroi Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) në Twitter. Ilaçi kundër parazitave “Ivermektin”, që zakonisht përdoret tek kafshët, nuk duhet të përdoret për shërim ose parandalim të kovid-19, thuhet në komunikatën e Agjencisë, transmeton Portalb.mk.

Gjatë pandemisë, ky ilaç u prezantua në mënyrë kontroverse si ilaç i mundshëm për të trajtuar njerëzit e sëmurë me covid, por studimet e fundit kanë treguar se efektiviteti i tij kundër koronavirusit është i dobët.

Agjencia u referua në më tepër raporte, nga disa shtete amerikane, për njerëz “të cilët kishin pas nevojë për kujdes mjekësor dhe janë shtrirë në spital pasi vetë ishin trajtuar me “Ivermektin” që përdoret për kuaj”.

“Përdorimi i dozave të mëdha të këtij ilaçi është i rrezikshëm dhe mund të shkaktojë dëme serioz,” deklaroi FDA.

Paralajmërimi vjen pasi Departamenti i Shëndetit në Misisipi lëshoi ​​një raport të ngjashëm për rritjen e numrit të njerëzve që përdorin “Ivermektin” që mos të sëmuren nga kovid-19. Nga numri i përgjithshëm i njerëzve që e kanë marrë këtë ilaç, 85% janë paraqitur në spital për shkak të simptomave të lehta të tilla si skuqje, ndjenjë e vjelljes, dhimbje barku. Ministria thotë se ndër simptoma tjera ka edhe probleme neurologjike dhe hepatit.

Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), pasi i kishte analizuar të dhënat e fundit, më 22 mars publikoi se “Ivermektin” nuk ndihmon në parandalim dhe trajtim të kovid-19. Në Bashkimin Evropian, “Ivermekin” përdoret për të trajtuar disa sëmundje parazitare dhe të lëkurës dhe përdoret në veterinari, por nuk është miratuar për trajtimin e kovid-19. EMA ka njoftuar se nuk kishte pranuar aplikim për përdorim të tillë.

Më 5 shkurt, Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë tha se ilaçi “Ivermektin” do të vazhdojë t’u jepet pacientëve me kovid në Maqedoni, pavarësisht faktit se prodhuesi i ilaçeve “Merk” njoftoi një ditë më parë se ky ilaç nuk shëron kovid-19.

“Ilaçi ‘Ivermektin’ përdoret si terapi për pacientët me pasqyrë të lehtë, mesatare të rëndë dhe pasqyrë të rëndë klinike. I njëjti mund të përdoret në shtëpi dhe për trajtim spitalor dhe mund të merret për preventim, vetëm me rekomandimin e mjekut nëse një person ka qenë në kontakt me covid pozitiv dhe përdoret vetëm nën mbikëqyrjen e profesionistëve. Ilaçi ka kaluar nëpër disa studime klinike dhe në vlerësimin e tyre ka efekt të favorshëm në trajtimin kundër kovid-19. Megjithëse rezultatet përfundimtare të studimeve nuk janë publikuar akoma, i njëjti përdoret si opsion në trajtimin e pacientëve dhe në shumë prej tyre ka treguar rezultat pozitiv në kombinimin e saktë me barnat e tjerë, të përcaktuar nga ekspertët”, u përgjigjën më 5 shkurt nga Ministria e Shëndetësisë.

Aktualisht nuk ka të dhëna zyrtare nga autoritetet shëndetësore të Maqedonisë nëse “Ivermektin” përdoret në trajtimin e pacientëve me kovid-19 në spitalet publike dhe private.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button