U la e vdekur në derën e spitalit nga dy të rinj – vdekja e 18-vjeçares, sot protesta në Kosovë

Një ngjarje e rëndë tronditi mbarë opinionin publik ditën e djeshme. Një 18-vjeçare në Kosovë u dërgua në spital pa shenja jete nga dy persona, të cilët u larguan menjëherë nga aty.

Viktima, e identifikuar si Marigona Osmani, ndërroi jetë për shkak të lëndimeve trupore, ndërsa mjekët nuk mundën të bënin asgjë për t’i shpëtuar jetën, transmeton TCH.

Dy personat që kanë lidhje me këtë ngjarje të rëndë janë identifikuar, ndërsa njëri prej tyre është arrestuar tjetri është në kërkim nga policia.

Nuk dihen ende detaje në lidhje me ngjarjen, ndërsa në njoftimin e policisë theksohet se keqtrajtimi fizik i adoleshentes ka ndodhur për motive të dobëta, por pasojat ishin fatale.

Sipas prokurorisë, i ndaluari i identifikuar nga mediat vendase si Arbër Sejdiu dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, bashkë me të dyshuarin, Dardan Krivaqa.

Ndërkaq, Qendra Kosovare për Studime Gjinore ka bërë me dije se një protestë do të mbahet sot në orën 12:00, pranë Stacionit Policor, Gjykatës dhe Prokurorisë në Ferizaj, në shenjë revolte ndaj dhunës.

Në njoftim thuhet se kërkesat e protestës janë adresimi i fenomenit të femicidit ashtu siç e parasheh Konventa e Stambollit, dënim maksimal për vrasësit, siguri për vajzat dhe gratë në të gjitha hapësirat, dhe trajtim të drejtë të dhunës me bazë gjinore ndaj grave nga Qeveria e Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button