Jahjaga rrezikon përballjen me Gjykatën Kushtetuese

PRISHTINË- Presidentja Atifete Jahjaga pritet të përballet me Gjykatën Kushtetuese. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca Kosova e Re (AKR) kanë paralajmëruar të enjten se në forumet partiake do të marrin vendimin se a duhet kërkuar Kushtetueses që t’i japë përgjigje dilemës nëse e ka shkelur apo jo presidentja aktin më të lartë juridik të vendit, me dekretin për ta emëruar Blerim Shalën si koordinator politik të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Gazeta Koha ditore  ka raportuar një ditë më parë se shefja e shtetit është duke e shkelur Kushtetutën aktivisht, ngjashëm sikurse ish-presidenti Fatmir Sejdiu. Një numër i madh juristësh kanë thënë se e bëjnë shkelëse të Kushtetutës veprimet e Shalës, ngaqë Jahjaga mbahet përgjegjëse për këto veprime. Prej 22 nëntorit të vjetëm, kur është dekretuar, Shala ka vazhduar të jetë deputet dhe të marrë pagë nga Kuvendi, ka vazhduar të mbajë postin e nënkryetarit të AAK-së dhe të marrë pagë nga kjo parti, si dhe pas dekretimit ka nisur të realizojë të ardhura nga Qeveria, por edhe është vendosur me zyrë në ekzekutiv./BalkanWeb/

Lajme të ngjashme

Back to top button