Shtyhet shkarkimi në KQZ, zbardhet debati me dyer të mbyllura në Grupin e PS-së

Grupi Parlamentar socialist u përgatit dje për një reagim deri të dhunshëm në seancën plenare të Kuvendit.  Propozimet për skenarë të ndryshëm të reagimit nuk munguan në mbledhjen e Grupit Parlamentar të zhvilluar para seancës në orën 9:00 të mëngjesit në selinë rozë. 

Kryesocialisti Rama, edhe pse nuk ka pranuar propozimet ekstreme të deputetëve të PS, ka pranuar se ata mund të veprojnë në mënyrë të pavarur pa pasur vendim grupi. “Ngjarja është shumë e rëndë dhe unë kërkoj të bëhet debat i gjatë dhe qëndrim i fortë. Nuk besoj se duhen bojkotuar institucionet. Por çdo deputet është i lirë të veprojë sipas ndërgjegjes së tij”, mësohet të ketë thënë Rama para deputetëve.

Por mësohet se Rama u ka kërkuar deputetëve të mos e komentojnë më negativisht në media dhe rrjete sociale koalicionin me LSI-në. “Shtrëngoni gjuhën mirë dhe boll komentuat me çdo epitet negativ koalicionin me LSI-në. Mos ndikoni në opinion”, mësohet të ketë thënë Rama. Në lidhje me seancën nuk kanë munguar propozimet për qëndrime radikale.

Socialistët kanë propozuar veprim sa më të fortë në Kuvend, ku LSI do të ishte në krah të tyre. “Ne duhet të bëjmë një betejë shumë të fortë. Nuk duhet të lejojmë që seanca të zhvillohet. Këtu merr fund gjithçka. Unë propozoj që të bllokojmë Parlamentin dhe të mos lejojmë që të zhvillohet seanca”, është shprehur deputeti i Elbasanit, Agim Leka.

Po kaq radikal edhe deputeti tjetër Ilir Bejtja, i cili nuk ka përjashtuar dhe një përplasje fizike në Parlament. “Unë propozoj që nëse kjo kalon në Kuvend, ne duhet të jemi shumë radikalë, deri në bojkot të zgjedhjeve. Nuk mund të pranojmë çdo veprim të Berishës që dhunon çdo institucion.

Nuk na ngelet asgjë tjetër, të bllokojmë fizikisht seancën”, mësohet të ketë thënë Bejtja. Por, në Grupin Parlamentar socialist nuk kanë munguar dhe zgjidhjet më të arsyeshme, si ajo e Arben Malajt, i cili propozoi një shtyrje të votimit që kërkonte PD në Kuvend për anëtarin e KQZ-së dhe ndërhyrjen e OSBE/ODIHR-it.

Por deputetët socialistë kanë hedhur dhe propozime të tilla që kërkonin bllokimin e tre deputetëve socialistë tashmë të larguar, Islami, Kadeli dhe Dogjani, që të mos merrnin pjesë në votim, gjë që mund të çonte në konfrontim fizik mes tyre. “Të bllokojmë së sallë votimin e tre deputetëve socialistë që do bashkojnë votat me Berishën sepse në këtë mënyrë ata nuk bëjnë numrat”, mësohet të jetë hedhur si ide në Grupin Parlamentar./Panorama/

Lajme të ngjashme

Back to top button