PBB: 3.630 euro për krye banori – Maqedonia zvaritet prapa vendeve të Evropës!

Pa rritje ekonomike prej 6% – nuk do të ndjehet as standard më i lartë e as përmirësim më i theksuar në sektorin privat. 

Ministri për financa, Zoran Stavreski është i befasuar nga përqindja e lartë e rritjes ekonomike në tremujorin e parë, por biznesmenët nga industritë kryesore, ajo metalike dhe tekstile, dërguan sinjal serioz se ditët e vështira për ekonominë do të vijnë së shpejti dhe se do të mbyllen reparte, ndërsa mijëra njerëz mund të mbeten pa punë. 

Matja e punëtorëve statistikorë se Prodhimi i brendshëm bruto në kuartalin e parë është rritur për 2,9 përqind është lajm i mirë për dalje nga zona negative dhe e stagnimit. Megjithatë, sa do të mjaftojë kjo që të realizohet projektimi për rritjen e ekonomisë për 2 përqind këtë vit? 

Këto përqindje janë pozitive, por nuk janë të mjaftueshme për ekonomitë që janë në zhvillim – Këto përqindje të rritjes – nuk paralajmërojnë as përmirësim të standardit të qytetarëve e as lëvizje më të rëndësishme përpara në sektorin privat – vlerësojnë ekonomistët. 

Pa përqindje të rritjes ekonomike prej së paku 6 përqind, nuk mund të priten efekte reale, konsideron analisti, Venko Gligorov. 

“Shkaqet për përqindjet “zvarritëse” të rritjes ekonomike, Gligovor i sheh në disa pika: mungesa e konsensusit politik, favorizimi i biznesit të huaj kundrejt atij vendor dhe niveli i ulët i investimeve kapitale. 

“Shumë kohë humbet në debate publike, diskutime dhe konflikte ndërmjet pushtetit dhe opozitës, për çështje jothelbësore. Nëse kësaj i shtohet edhe procesi i vazhdueshëm i harmonizimeve ndëretnike dhe ndërfetare, pa mos u fokusuar gjatë kësaj në çështjet që kanë të bëjnë me krijimin e kushteve për jetë dhe biznes më të mirë për të gjithë qytetarët, kemi një mjedis krejtësisht joproduktive që realisht nuk mund të japër rezultate ekonomike. Konsideroj se mospasja e konsenzusit politik për zhvillimin e ekonomisë është njëra nga pengesat kryesore”, sqaron Gliogorovi.

Pengesën e ardhshme e sheh në nivelin e ulët të investimeve kapitale, të cilat sipas tij duhet të orientohen nga infrastruktura rrugore dhe hekurudhore, por me angazhimin e bizneseve vendore që do të kishin përfitime ekonomike nga kjo.

Përderisa Gligorovi i përcakton shkaqet për përqindjet e vogla të rritjes ekonomike, profesori universitar Besnik Fetai, nuk pret rezultate ekonomike për këtë vit që do të jenë jashtëzakonisht pozitive. Sipas Fetait, kriza akoma zgjat, ndërsa shteti është para rrezikut që të ballafaqohet me probleme të likuiditetit. 

“Rrezik kryesor për këtë vit do të jetë marrja e huave të mëtutjeshme nga qeveria për pagesën e detyrimeve të saj në vend dhe jashtë. Marrjet e huave do të jenë pasojë e stagnimit të ekonomisë, që nga ana tjetër do të thotë zvogëlim i të hyrave publike. Rritja e borxhit poashtu do të shkaktojë rritje të përqindjeve afatshkurta të kamatave që do të rezultojë me zvogëlimin e investimeve dhe ngadalësimin e mëtutjeshëm të ekonomisë, rritjen e papunësisë dhe të varfërisë”, sqaron profesori Fetai. 

Qeveria sipas projektimeve të saj, për këtë vit parashikoi rritje të PBB-së prej 2%. Si gjenerator i kësaj rritjeje, qeveria i përmendi investimet bruto, të cilat sipas pritjeve duhet të rriten për 6 përqind, me ç’rast pritet rritje e investimeve të huaja, vendore dhe atyre kapitale. 

Mu te investimet e huaja, Banka Popullore ka shënuar rënie të vazhdueshme, me saldo më të ulët në krahasim me vitet e mëparshme. 

Ku është Maqedonia në krahasim me Evropën?

Prodhimi i brendshëm bruto i Maqedonisë për krye banori është 3.630 euro (informatë për vitin 2012), që vendin e fut në grupin e vendeve “më të varfëra” në Evropë. 

Sipas matjeve të fundit të punëtorëve statistikorë evropianë, PBB-ja e Maqedonisë, gjegjësisht standardi i qytetarëve të vendit, është vetëm 35% e mesatares së Bashkimit Evropian.

Sipas të dhënave (të përmbledhura për vitin 2011) pas Maqedonisë është vetëm Bosnja dhe Hercegovina me PBB që është 30% e mesatares evropiane dhe Shqipëria me parametra të njëjtë (që do t’i nënshtrohen revizionit për shkak të rritjes së ekonomisë së Shqipërisë). Por ajo që alarmon është se Prodhimi i brendshëm bruto në vend zvogëlohet, për dallim nga Shqipëria e cila në vazhdimësi, që nga viti 2005 e këndej, shënon rritje të PBB-së për krye banori. 

Nga vendet e rajonit, në pozitë më të mirë se Maqedonia janë Kroacia dhe Mali i Zi, ndërsa në vendin e njëjtë është Serbia. 

PBB-ja në krahasim me mesataren evropiane: 
Bosnja dhe Hercegovina 30% 
Shqipëria 30% * 
Maqedonia 35% 
Serbia 35% 
Mali i Zi 42% 
Bullgaria 46% 
Turqia 52% 
Kroacia 61%

Vende me standard më të lartë jetësor, më të lartë se niveli mesatar i Bashkimit Evropia janë Belgjika, Danimarka, Gjermania, Franca, Austria, Finlanda. 
Analiza e “Portalb”-it tregon se në 10 vitet e fundit, përqindje më e ulët e rritjes ekonomike prej 6,1% është matur në vitin 2007, ndërsa si vite më të fuqishme konsiderohen 2006-ta dhe 2008-ta ( +5,0% PBB). Recesioni i vitit 2009 (me përqindje prej – 0,9%) u përsërit edhe vjet, kur u mat PBB negative prej -0,2 përqind, kundrejt projektimeve qeveritare për rritje prej 4,5 përqind.

Aneta Dodevska, Portalb 

 

Lajme të ngjashme

Back to top button