Falsifikimet me kartela të vaksinimit, po shqetësojnë zyrtarët e kolegjeve në SHBA

Ndërsa varianti Delta i koronavirusit po vazhdon të përhapet në SHBA, një numër i madh i kolegjeve e universiteteve po kërkojnë dëshmi të vaksinimit kundër COVID-19, për t’u lejuar studentëve të ndjekin ligjëratat me prani fizike, raporton Koha.net.

Por, kjo kërkesë ka hapur dyert për ata që janë kundër vaksinimit që të mashtrojnë, sipas intervistave me studentët, zyrtarët e kolegjeve por edhe të forcave të rendit, raporton agjencia AP. Si institucionet e arsimit ashtu edhe studentët janë të shqetësuar se sa lehtë është të sigurosh një kartelë false vaksinimi.

Nëpër internet është hapur një industri për të akomoduar personat që thonë se nuk do të vaksinohen për shkaqe personale apo fetare.

Në një llogari të Instagramit me emrin e përdoruesit “Vaccinationcards”, po ofrohen kartela vaksinimi kundër COVID-19 për 25 dollarë.

Një përdorues në Telegram, ofron “certifikata të vaksinimit kundër COVID-19”, për 200 dollarë.

“Kjo është mënyra e jonë për të shpëtuar sa më tepër njerëz që është e mundur nga vaksina helmues”, është shkruar në mesazhin në Telegram, që është shikuar nga së paku 11 mijë përdorues.

Një numër i madh i kërkesave në këto faqe apo faqe të ngjashme po vijnë nga personat që po mundohen të sigurojnë kartela false vaksinimi për kolegje. Një përdorues në Redd ka komentuar në një postim në lidhje me kartela vaksinimi, duke thënë: “Më duhet edhe mua një për kolegj. Refuzoj të jem kavie laboratori”, ka shkruar ai.

Në Twitter, një përdorues me më tepër se 70 mijë përcjellës ka shkruar: “Mbesa ime i ka blerë dy ID false për 50 dollarë për kolegj. Erdhën nga Kina. A ka dikush ndonjë lidhje për kartela të vaksinimit?”

Sipas shifrave të “The Chronicle of Higher Education”, së paku 664 kolegje e universitete në SHBA po kërkojnë tash dëshmi të vaksinimit. Procesi i konfirmimit të vaksinimit në shumë shkolla është i thjeshtë, madje aq i thjeshtë sa mjafton vetëm të ngarkosh një fotografi të kartelës së vaksinimit në portalin e studentëve, kështu që mundësia për të falsifikuar është shumë e madhe.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button