Pyllëzimi në RMV në nivel rekord të ulët, nuk do të ketë kush të luftojë me ndryshimet klimatike [infografik]

Pyllëzimi i sipërfaqeve zonave të reja në vend në dekadën e fundit ka rënë. Në vitin 2020, drunj të ri, në Maqedoni, janë mbjellë në një sipërfaqe prej 569 hektarë, që është niveli i dytë më i ulët në dekadën e kaluar pas vitit 2017, kur u pyllëzuan 553 hektarë, tregojnë të dhënat e Entit shtetëror të statistikave, shkruan Meta, transmeton Portalb.mk.

Ajo që është më shqetësuese është fakti që vendi gradualisht po e humb fondin e pasur pyjor me të cilin disponon, sepse nga njëra anë, pyllëzimi vitet e fundit është në rënie, ndërsa nga ana tjetër, shkatërrimi i pyjeve nga zjarret është disa herë më i madh sipas hektarëve në raport me drunjtë e mbjellë.

Në dekadën e kaluar, më së shumti drunj, në sipërfaqe prej 2,969 hektarë, u mbollën në vitin 2010. Prej atëherë e deri më sot, numri i sipërfaqeve të pyllëzuara është në rënie. Për shkak të kësaj, vetëm nga zjarret e pyjeve në vitin 2012, u shkatërrua sipërfaqe prej 19.312 hektarë nën bimësi. Kjo do të thotë që pyjet e shkatërruara vetëm këtë vit janë disa mijëra hektarë më të mëdha se sasia e përgjithshme e sipërfaqeve të pyllëzuara në dekadën e kaluar, që është vetëm 14.294 hektarë.

Përveç zjarreve, sipërfaqet pyjore në vend po pësojnë shkatërrim plotësues nga insektet, fatkeqësitë natyrore dhe prerjet e egra të druve për ngrohje. Këta tregues nuk mund të llogariten në hektarë sipërfaqe, sepse statistikat matin drunjt e shkatërruar me metra kub. Sidoqoftë, të dhënat e përgjithshme tregojnë neglizhencë të dukshme për fondin pyjor që vendi ynë ka në dispozicion.

Për dallim nga vendi ynë, Komisioni Evropian në mes të korrikut të këtij viti e publikoi Strategjinë e fundit për pyjet e Bashkimit Evropian (BE) deri në vitin 2030, me të cilën planifikohet që në dy dekadat e ardhshme në territorin e saj të mbillen 3 miliardë drunj të ri. Institucionet evropiane i konsiderojnë pyjet aleatët kryesorë në luftën kundër ndryshimeve klimatike, sepse drunjtë thithin dyoksid karbonin e dëmshëm që lëshohet në atmosferë, gjegjësisht e zvogëlojnë sasinë e emetimeve të dëmshme të gazrave serrë.

Komisioni Evropian ka llogaritur se mbjellja e drunjve të ri në dy dekadat e ardhshme në vendet anëtare të BE -së do të ndihmojë në arritjen e reduktimit të planifikuar të emetimeve të gazrave serë të paktën 55% deri në vitin 2030.

Sipërfaqet e pyllëzuara përveç qe e mbrojnë tërë botën nga rritja e temperaturave mesatare të ajrit dhe ndikojnë pozitivisht në zvogëlimin e ndotjes së ajrit në qytete, drunjtë në male dhe kodra janë mbrojtësi kryesor i popullsisë nga erozioni i tokës dhe shkaktimin e viktimave njerëzore dhe dëmeve materiale në rast të fatkeqësive atmosferike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button