ANALIZË: Qytetarët iu “kthyen” kredive – vetëm kreditë banesore me rritje prej 14,7% (Infografik)
Baza e depozitave në banka po rritet, ashtu si edhe kreditimi. Janë përmbledhur të dhënat për gjysmëvjetorin e parë të punës së bankave – si kursimet ashtu edhe kreditë janë në nivelin më të lartë historik. Depozitat në qershor u rritën për 6,8% në bazë vjetore, ndërsa kreditë u rritën për 5,1%. Interesante, “hendeku” midis depozitave dhe kredive u rrit për më shumë se një miliard euro – gjegjësisht shuma e bazës së depozitave është për 1,2 miliardë euro më e lartë se shuma e kredive të ndara, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.m.
Borxhet e kompanive dhe të qytetarëve për shkak të kredive tejkaluan vlerën prej 6 miliardë euro…
Familjet i janë kthyer huazimeve “më agresive” në banka – në fund të qershorit, borxhet e qytetarëve për shkak të kredive tejkaluan vlerën prej 3 miliardë euro mbi baza të ndryshme – ose kreditë e familjeve shënojnë rritje prej 8,7% në nivel vjetor.
Kreditë konsumatore dhe ato banesore janë akoma më dominuese në ekspozimin kreditor të bankave ndaj familjeve, ndërsa kreditë për automobila kanë qenë negative për disa muaj me radhë.
Shikuar sipas qëllimit të kredive që u janë miratuar personave fizikë, në qershor, kategoritë më të përfaqësuar – kreditë konsumatore dhe ato banesore, shënuan rritje vjetore prej 7,9% dhe 14,7%, respektivisht. Në qershor, kreditë për automobila shënuan rënie si në bazë mujore ashtu edhe në atë vjetore për 2,9% dhe 17,1% respektivisht. Kreditë e miratuara për kartelat kreditore në qershor u rritën për 0,5% në bazë mujore, ndërsa në bazë vjetore ato u ulën për 8,9%” – njoftuan nga BPRM-ja.
Për dallim nga familjet, rritja e borxheve të kompanive për shkak të kredive ka një ritëm më të ngadaltë. Në fund të gjysmës së parë të vitit, sektori i korporatave kishte borxh prej 2,8 miliardë eurosh, me rritje prej 1,2% në nivel vjetor.
Baza e depozitave në banka tejkaloi vlerën historike prej 7 miliardë…
Shkalla e rritjes së kreditimit – më e ngadaltë se sa rritja e kursimeve. Në fund të gjysmës së parë të vitit, baza totale e depozitave arriti në 7,2 miliardë euro, me një rritje vjetore prej 6,8%. Analiza e bërë nga “Portalb”-i tregon se nga depozitat totale, 53,8% janë në monedhën vendase, ndërsa pjesa tjetër prej 46,2% janë me klauzolë devizore.
Është interesante se te depozitat e sektorit të korporatave është regjistruar një përqindje e lartë e rritjes në nivel vjetor. Depozitat totale të firmave në fund të qershorit arritën në 2,1 miliardë euro.
“Depozitat totale të sektorit të korporatave në qershor ishin më të larta për 3,1% në bazë mujore. Përqindja e rritjes vjetore është 16,7%, kryesisht për shkak të rritjes së parave të depozitave, me një ndikim pozitiv si në depozitat afatshkurtra, ashtu edhe në ato afatgjata në valutë të huaj”, theksojnë nga BPRM-ja.
Te familjet, në qershor, rritja e kursimeve u nxit nga rritja e depozitave afatshkurtra në valutë të huaj, por rritje shënojnë edhe depozitat afatshkurtra në denarë dhe në valutë të huaj.
Ky vit bankar filloi me kushte më të rrepta të kreditimit, por edhe me kërkesë të zvogëluar për kredi, kështu që disa bankierë besojnë se rolet kanë ndryshuar – tani bankat janë ato që “gjuajnë” klientë. Megjithatë, pas përfundimit të tremujorit të parë, u regjistruan përqindje të konsiderueshme të rritjes së kredive për familjet.
“Rritja e fuqishme e ndarjes së kredive për familjet është kryesisht rezultat i kërkesës së rritur për kredi, por njëkohësisht edhe i lehtësimit të kushteve për marrje të kredisë. Bankat theksojnë se ka një lehtësim më të theksuar të kushteve për marrje të kredisë për kreditë familjare, gjë që vërehet në të gjitha llojet e kredive” – thonë bankierët.
Megjithatë – pandemia e Kovid-19 u reflektua edhe në portofolin e depozitave, me ç’rast u regjistrua një ndryshim në preferencën për kursime, si në aspekt të valutës ashtu edhe në aspekt të afateve, që vërehet përmes rënies së depozitave afatgjata dhe një kontributi dominues të depozitave në valutë të huaj, por shkalla e “euroizimit” të depozitave mbetet në nivel relativisht stabil.