Strugë, Sela takon ambasadorin e Shqipërisë

Sot në qytetin e Strugës qëndroi për vizitë ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni, Arben Çejku, i cili zhvilloi takime me kandidatët për kryetarë në këtë komunë, Ziadin Selën nga PDSH-ja dhe vllado Koçovski nga koalicioni VMRO-LSDM.

Kandidati shqiptar për Strugën Ziadin Sela shprehu mirënjohjen për vizitën e ambasadorit Çejku për kujdesin dhe mbështetjen që po jep ai për zhvillimin e një procesi zgjedhor fer dhe demokratik. Sela theksoi se ka informuar ambasadorin Çejku lidhur me zhvillimet e fundit në Strugë, lidhur me fushatën elektorale, dhe ka kërkuar nga ai që të reagojë deri tek faktori ndërkombëtar lidhur me parregullsitë dhe keqpërdorimet që ndodhin në këtë qytet në prag të ditës së zgjedhjeve.

” Takova ambasadorin e Shqipërisë z. Çejku sot, e faleminderoj për prezencën e tij, tani para raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Strugë. I paraqita shqetësimet e mia për atë se çfarë ka ndodhur gjatë këtyre dy javëve, e sidomos gjatë ditëve të fundit dhe ditëve që pasojnë. Bëhet fjalë për presionin e vazhdueshëm dhe shantazhet që u behën qytetarëve në mënyrë që mos jenë të lirë të shprehin verdiktin e tyre. Shfrytëzova prezencën e ambasadorit dhe kërkova nga ai që të alarmojë edhe faktorin ndërkombëtar që ndodhet në Maqedoni dhe monitoron zgjedhjet, që ti paraqesë shqetësimet që i kanë qytetarët, siç janë prezenca e pakuptueshme e forcave  speciale, inspektorë të drejtorisë së të hyrave publike, të cilët po bëjnë hatanë nëpër bizneset shqiptare , si dhe dënimet dhe kontrollet ndaj shqiptarëve dhe shantazhet e formave të ndryshme, të cilat po i bën qeveria këto ditë tha Ziadin Sela”

Ambasadori Çejku shprehu kënaqësinë për siç tha ai një bisedë shumë vëllazërore me kandidatin për kryetar të Strugës, Ziadin Sela i cili mbështetet nga të gjithë faktorët politik shqiptar, për raundin e dytë zgjedhor, që do të zhvillohet këtë të dielë. 

“Unë i ndoqa me vëmendje shqetësimet që i paraqiti kandidati Sela dhe natyrisht unë shfrytëzoj prezencën tuaj që të bëj një apel që këto zgjedhje në Strugë të jenë një model i suksesit të votës së lirë, që këto zgjedhje në Strugë të jenë një votim plebishitar, i lirë, ku qytetarët me vullnetin e tyre të zgjedhin kandidatin e preferuar, i cili duhet të punojë për Strugën dhe jo  për emocione të tjera. Unë kam ardhur këtu për të takuar edhe kandidatin e VMRO-LSDM-së, z. Koçoski, me të cilin poashtu do të bisedoj dhe do të kërkoj që këto zgjedhje të jenë për qytetarët, siç e kam thënë edhe më parë, jashtë çdo përdorimi politik apo me prapavija të tjera siç kemi parë në disa raste, fatkeqësish edhe me prapavijë të emocioneve etnike. Unë duke i uruar suksese  z.Sela, i cili përveç se kandidat për komunën e Strugës është edhe një ish-student i shkëlqyer i Universiteteve të Shqipërisë, kështu që ne shikojmë me shumë vëmendje garën e tij tha ambasadori Çejku”.

Ambasadori i Shqipërisë Arben Çejku vlerësoi lartë veprimin e partive shqiptare për mbështetjen që i ofruan Ziadin Selës në Strugë, duke theksuar këtu ish kandidatin e BDI-së Arben Lablnishtin i cili me shumë korrektësi pranoi rezultatin dhe i ju bashkëngjit fushatës së Selës për raundin e dytë.

Çejku shprehu besimin se institucionet përgjegjëse për mbarëvajtjen e procesit do të marrin masat adekuate për të siguruar rregullshmërinë e procesit, ai shtoi se do të jetë prezent edhe vetë në monitorimin e zgjedhjeve për të ndjekur nga afër mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Lajme të ngjashme

Back to top button